Tomë Gashi: Situata politike shtynë ngritjen e aktakuzave të Speciales

Politika

Tomë Gashi: Situata politike shtynë ngritjen e aktakuzave të Speciales

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 17 shtator 2018 Në ora: 12:30
Gjykata Speciale

Gjatë javës së kaluar është betuar edhe Prokurori i ri Specializuar Jack Smith, i cili është pasardhësi i prokurorit të parë David Schwendimanit.

Ky i fundit e lëshoi detyrën më 31 mars, kur edhe skadoi emërimi i tij.

Prokurori Jack Smith ka nënshkruar deklaratën solemne në Zyrën Administrative të Dhomave të Specializuara, në prani të Administratores, Dr. Fidelma Donlon, e cila ishte dëshmitare e nënshkrimit.

Në vitin 2015 është votuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës themelimi i Gjykatës Speciale.

Në atë kohë ishte përfolur se do të merret me 10 raste të dyshuara për krime lufte.

Ka dy vite që flitet se do të ngritën akuzat nga Gjykata Speciale, por një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.

Bennett nuk jep informacione

Për “Bota sot”, Chris Bennett nga Zyra e Prokurorit Specialist, nuk jep informacione rreth ngritjes së aktakuzave të mundshme. 

“Në përputhje me standardet më të larta të punës së prokurorisë dhe detyrimet tona ligjore dhe etike, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) nuk ofron informacione specifike në lidhje me statusin e hetimeve; po kështu ne nuk mund të japim hollësi për perspektivën ose kohën e aktakuzave të mundshme. Kjo bëhet për të ruajtur integritetin e hetimeve në vijimësi, si dhe privatësinë e sigurinë e dëshmitarëve dhe të personave të cilët po bashkëpunojnë me hetimet” ”, ka thënë Bennett për gazetën “Bota sot”.

Avokati Tomë Gashi ka thënë se, sipas situatës politike të krijuar në vend nuk pritet të ngritën  akuzat e para të Gjykatës Speciale.

“Duke pasur parasysh situatën e tanishme politike që është në Kosovë dhe në Serbi e posaçërisht duke pasur parasysh se me presion të madh të Serbisë e ndihmuar nga Rusia është iniciuar themelimi i Gjykatës Speciale për të akuzuar dhe gjykuar ish- prijësit e UÇK -së.  Dhe tani në këtë situatë të re të krijuar ku janë duke u dhënë edhe ide katastrofale për ndarjen e Kosovës, dhe ku Serbia mund të fitojë territor, të Republikës së Kosovës unë nuk mendoj se së shpejti do të ngriten akuzat e para në Gjykatën Speciale”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Gashi: Serbia nuk ka interes për aktakuzat

Image
Tomë Gashi

Gjithashtu, ai nuk beson mund të ketë presion nga Serbia për të ngritur akuzat ndaj udhëheqësve të Kosovës, e që një pjesë e tyre kanë qenë edhe ish- eprorë të lartë të UÇK-së.

“Thënë më thjesht nuk besoj se Serbia të jetë tani e interesuar që të bëjë presion që të ngritën akuza në Gjykatën Speciale dhe Serbia nuk është tani për tani aspak e interesuar të bëjë presion në Gjykatën Speciale që të ngriten  akuza eventuale për nivele të larta të udhëheqësve të Kosovës, e që një pjesë e tyre kanë qenë edhe ish- eprorë të lartë të UÇK-së, e që kanë qenë në shënjestër të raportit të senatorit zviceran Dick Marty”, ka theksuar ai për “Bota sot”.

Për më tepër, ai ka shtuar se deklarata solemne e prokurorit është çështje formale ceremoniale dhe kjo fare nuk ka ndikim në përshpejtimin e ngritjes se akuzave në Gjykatën Speciale.

“Dhe ngritja e akuzave varet krejtësisht nga zyra e prokurorit special në Hagë. Dhe heshtja e prokurorisë për kaq shumë kohë bënë që të humbet kredibiltetit të vet Gjykatës Speciale, e cila gjykatë për fat të keq është formuar me votën e deputetëve të Kosovës në gusht të vitit 2015. Dhe dihet se kjo gjykatë është formalisht e Kosovës, por faktikisht është gjykatë ndërkombëtare. Pasi Kosova asgjë bash asgjë nuk vendos për Gjykatën Speciale”, ka përfunduar Gashi për “Bota sot”.

Burjani: Gjykata Speciale mund të veprojë shumë shpejt

Image
Blerim Burjani

Ndërkaq, njohësi i çështjeve juridike, Blerim Burjani ka deklaruar për “Bota sot”, se  paralajmëron se Specialja do të veprojë shumë shpejt.

“Gjykata Speciale mund të veprojë shumë shpejt kjo tash është çështje kohe dhe momenti, me siguri se brenda këtyre javëve pritet një prononcim i shkurt përmes zëdhënësit të kësaj gjykate të bëjë edhe hapat e parë, për fillimin e një procesi shumë kontradiktor dhe mjaft të vështirë”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Sipas, Burjanit fillimi i këtij procesit është çështje javësh dhe se nuk do të jetë aspak i lehtë për vendin.

“ Pra tash me është fillimi i këtij procesi, pra çështje javësh është. Aspak një proces i lehtë për Kosovën dhe për atë që do të kalojë shteti, por kjo duket tash me real”, ka përfunduar Burjani për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat