Ish gazetari gjatë luftës tregon historinë e padëgjuar për blerjen e uniformave të UÇK-së në Kukës

Politika

Ish gazetari gjatë luftës tregon historinë e padëgjuar për blerjen e uniformave të UÇK-së në Kukës

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 17 shtator 2018 Në ora: 21:36
Ilustrim

Listat e fryra të veteranëve të UÇK-së ishin mjaft të komentuara, ku thuhej se numri i veteranëve është më i madh se sa kanë qenë vërtetë në luftë. Ndërsa tani janë publikuar lista të veteranëve të rrejshëm, ku Prokuroria Speciale e Kosovës ka dërguar listën me 28 mijë veteranë që cilësohen mashtrues, në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Lidhur me gjithë këtë, analisti politik, që gjatë luftës ishte gazetar dhe raportoi për luftën në Kosovë, Rexhep Shahu, ka ndarë një histori për një komandant të UÇK-së në lidhje me shitjen e uniformave në Kukës.

“Një nga komandantët e famshëm të UÇK (që me luftën është takuar aq sa unë) dha urdhër që të nxirren në tregun e Kukësit e të shitën uniforma UÇK-je. 30 marka një uniformë. Markat që do të mblidheshin natyrisht që i dorëzoheshin komandantit në fjalë. Një burrë nga një fshat i Kosovës bleu një uniformë UÇK-je. Pas pak ditësh Kosova u çlirua dhe shqiptarët u kthyen me vrap në shtëpitë e tyre.
Pas nja dy ditësh ky burri që bleu uniformë UÇK-je në Kukës, e vesh uniformën dhe del në shkallë të banesës i veshur ushtarak.
-Grue moj, - i drejtohet të shoqes që po lante do tesha në oborr, A m'paskan hije këto tesha, qysh po t'dokem...
-Ik mor t'marroftë Zoti, hiqi ato tesha se marre me t'pa kush. Kur ke koha me i veshe ato tesha u fshehe n'dimiat e mia.
Ky burri sot në Kosovë gradon e shpall veteranët e UÇK-së”, ka rrëfyer Shahu.

Image
Rexhep Shahu

Ai bën thirrje që të shpallen veteranë edhe një gomar, tre kuaj e një qen që kishin bartur armë nga Shqipëria në Kosovë.

“Lutje Komisionit që të shpallë veteranë të luftës së UÇK-së në Kosovë:
Një gomar e tre kuaj mbartnin armë nga Shqipëria në Kosovë. Mezi i mbartnin armët se i ngarkonin shumë rëndë. Me fitue pare sa më shumë të zotët. I kam pa me sytë e mi. Disa here. Mezi kalonin kufirin. Shpallini veteranë sa më shpejt. Mos harroni edhe një qen që shoqëronte të zotin e kalit. E vranë ushtarët serbë qenin e shkretë. Qante i zoti i qenit kur me tregonte të nesërmen e asaj nate që ia vranë. Shpalleni edhe atë qen veteran të UÇK-së sa më shpejt. Shëmtojeni tamam UÇK-së sa t'u neveritet brezave që vijnë”, thotë ai.

Sipas tij, duke se Serbia u ka thënë që të shtojnë numrin e veteranëve.

“Si duket Serbia i ka thënë qeverisë në Prishtinë, veç shtojeni numrin e veteranëve të UÇK-së, se pare për veteranët u japim ne”, thekson Shahu.

Ai thotë se kushdo që ka qenë në luftë një orë apo në ditë, apo që ka kaluar kufirin Kosovë-Shqipëri, ka mundësi t’i ketë përmendur emrin apo ta ketë intervistuar, andaj thotë se duhet ta shpallin veteran edhe atë, që ka lexuar tekstin e betimit ët UÇK-së me zërin e tij.

“Nëse keni qenë ndonjë ditë a ndonjë orë në luftë, nëse keni kaluar ndonjëherë nga kufiri Shqipëri - Kosovë, ka shumë mundësi t'ua kem përmend emrin ndonjëherë, ndaj më kini në vëmendje. Nëse keni qenë refugjatë e UÇK refugjatësh, duhet t'u kem intervistuar ndonjëherë dhe i ruaj 340 orë regjistrime audio, ndaj më kini parasysh. Nëse doni ta dini se nga kush e kanë dëgjuar për herë të parë dëgjuesit e Radio Kukësit e të Radio Tiranës betimin e UÇK-së, tekstin e betimit, e kanë dëgjuar prej meje sepse e kam lexuar me zërin tim.  Ju garantoj se e kam "kënduar" një mijë herë më mirë se artisti veteran i UÇK-së Ilir Shaqiri, e pesë mijë herë më mirë se ju që gradoni veteranë. Ndaj më kini parasysh edhe mua të më shpallni veteran. Se nuk bëhet nami pse dalim më shumë veteranë e luftëtarë se sa shqiptarë në moshë lufte në atë kohë në Kosovë. Më kini parasysh se noj pare ua dërgoj, nuk e la pa ju pague”, ka deklaruar Rexhep Shahu për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, një fryrje të listave që është bërë nuk do ta kishte bërë më mirë as Serbia që ta bënte joreale luftën e shqiptarëve, derisa shton se këtë masakër ndaj Kosovës e kanë bërë komandantët për vota.

“Listat e fryra të veteranëve nuk do t’i kishte bërë më mirë as Serbia për me nxjerrë jo reale luftën e qëndresën shqiptare, për ta shëmtuar dhe për ta bërë të pabesueshme nga faktori ndërkombëtar luftën e qëndresën. Këtë masakër ndaj Kosovës e luftës së saj e kanë bërë komandantët për vota, për të krijuar bahçet e tyre të votave. Por e kanë bërë edhe për të mbledhur para sepse shumë njerëz kanë paguar pare për tu bërë veteranë. Shëmtimi është më i keq kur mendon se nga Shqipëria dalin aq shumë veteranë sa as ëndërr nuk e kanë parë luftën në Kosovë. Nuk mund të jenë veteranë lufte kaq shumë njerëz kur dihet se nga Shqipëria administrative në front të luftës në brendësi të Kosovës nuk kanë qenë as 50 shqiptarë nga Shqipëria”, ka përfunduar ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat