Bashkëluftëtari i Sali Çekajt: Ekzekutimin e Ahmet Krasniqit e bënë persona të specializuar, tregon dy arsyet e vrasjes

Politika

Bashkëluftëtari i Sali Çekajt: Ekzekutimin e Ahmet Krasniqit e bënë persona të specializuar, tregon dy arsyet e vrasjes

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 19 shtator 2018 Në ora: 13:38
Ahmet Krasniqi

Kolonel Ahmet Krasniqi, njëherë ministri i parë Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, do të rivarroset në Kosovë me 21 shtator, në 20 vjetorin e vrasjes.

E lidhur më këtë, ka folur Saim Tahiraj, veprimtari i hershëm i LDK-së në diasporë, bashkëluftëtarë dhe bashkorganizator i luftës në Kosovë me Sali Çekajn. Ai në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se në rastin e kolonel Ahmet Krasniqit, drejtësia si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë ka dështuar.

“Mbushën 20 vite që kur u vra me një atentat mu në mes Tiranës, ministri i mbrojtjes kolonel Ahmet Krasniqi. Sot e 20 vite më parë nuk u bë edhe përpjekja më e vogël që ky rast të trajtohet nga prokuroria e dy shteteve, andaj nuk mund të themi se drejtësia ka dështuar si në Shqipëri e po ashtu në Kosovë. Pra, një gjë që nuk fillon edhe nuk mundë të dështon. Vrasja e kolonel Ahmet Krasniqit ishte vrasje me motive krejtësisht politike, e organizuar mirë nga strukturat më të larta të pushtetit aktual të kohës në Tiranë, në bashkëpunim me strukturat më të larta të të ashtuquajturit SHP-UÇK-së të cilët ishin të vendosur në Tiranë”, ka thënë Tahiraj.

Bashkëluftëtari i Sali Çekajt gjithashtu ka thënë se, vrasjen e Krasniqit e bënë persona të specializuar, ndërkohë që përmend edhe dy arsye lidhur me këtë rast.

Image
Saim Tahiraj

“Ekzekutimin e kolonel Krasniqit e bënë persona të specializuar të cilët në mënyrë shumë profesionale e kryen aktin makabër pa lënë fare gjurmë. E them se ishte vrasje me motive politike për dy arsye. E para sepse ishte ministër në kuadër të institucioneve të Republikës së Kosovës të udhëhequr nga presidenti Rugova, dhe e dyta se i takonte një organizimi politik me orientim djathtist të drejtuar nga atdhetari i madh Metush Krasniqi, që shumë vite më përpara ishte organizuar në të. Arsyeja e mos fillimit të hetimit të kësaj vrasje qëndron pikërisht këtu. Si mundë të fillohen hetimet për këtë vrasje ku pikërisht strukturat më të larta të pushtetit në Tiranë organizuan atentatin ndaj kolonel Krasniqit?”.

“Të hetojnë vetveten e tyre, është absurd të pritet një veprim i tillë kur dihet se prokurorin e shtetit dhe gjykatat i kanë dorë ata pushtetarë. Tani e 20 vite është punuar që kjo çështje të bllokohet tërësisht edhe ato pakë gjurmë që ndoshta kanë mbetur të pastrohen tërësisht dhe normalisht që edhe interesimi i opinionit të bie, sepse janë dy dekada dhe kujtesa fshihet, në mos krejtësisht, në masë të madhe po. Në këtë heshtje 20 vjeçare një pjesë të madhe të përgjegjësisë e bartin edhe institucionet përkatëse të Kosovës, e posaçërisht qeveria në krye me njeriun më përgjegjës, kryeministrin Bukoshi, i cili nuk bëri asnjë lëvizje në këtë drejtim. Së paku bile ka mundur të aktivizonte avokat. Avokat vendorë apo ndërkombëtarë dhe të fillonte procedurën, por nuk e bëri.”, ka thënë veprimtari i hershëm i LDK-së.

Ndër tjerash, ai ka thënë se, kthimi i eshtrave të kolonel Ahmet Krasniqit dhe rivarrosja e tij në Kosovë nuk po bëhet për rastësi.

“Bukoshi jo vetëm që nuk e bëri këtë por ai shkoi edhe më larg, duke i mohuar edhe ekzistimi e FARK-ut që kolonel Krasniqi me oficerë e kishin themeluar. Kthimi i eshtrave të kolonel Ahmet Krasniqit dhe rivarrosja e tij në Kosovë pas 20 viteve nuk është rastësi, pikërisht tani kur në pushtet në Kosovë janë kompletë ajo struktura e cila ishte në krye të atij farë shtabi të UÇK-së. Gjithashtu edhe në Shqipëri qeverisë e njëjta parti e cila mbanë përgjegjësin së bashku me këta në pushtet në Kosovë për vrasjen e kolonel Krasniqit”, tha ndër tjerash ai.

Krejt në fund, Tahiraj thekson se një pjesë të përgjegjësisë e mbanë edhe udhëheqja e LDK-së, e cila, sipas tij, kurrë nuk e pati guximin për të vepruar lidhur me këtë rast.

“Qëllimi kryesorë i këtij rivarrimi ne Prishtinë është që dosja e vrasjes së kolonel Krasniqit të mbyllet përfundimisht. Një pjesë të përgjegjësisë e mbanë edhe udhëheqja e LDK-së e cila kurrë nuk e pati guximin që të filloj diçka, edhe pse disa herë e pati pushtetin. Në vitin 2004 i ndjeri ish-zëvendësministri i ministrisë së mbrojtjes Agim Mehmeti bëri një kërkesë me shkrim duke ju dërguar të gjitha institucioneve shtetërore të Kosovës ,për kthimin e eshtrave të kolonel Krasniqit, por ai kurrë nuk e mori përgjigjen nga asnjë institucion edhe pse LDK e kishte pushtetin. Një mundësi të tillë e pati edhe atëherë kur Isa Mustafa ishte kryeministër, por as ai nuk e bëri, edhe pse kishte kërkesa”, ka përfunduar, Saim Tahiraj, për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat