Saga e shndërrimit të FSK-së në FAK dhe iniciativa në dështim e Qeverisë

Politika

Saga e shndërrimit të FSK-së në FAK dhe iniciativa në dështim e Qeverisë

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 19 shtator 2018 Në ora: 16:50
FSK

Qeveria e Kosovës javën e kaluar ka proceduar në Kuvend projektligjin për shndërrimin e FSK-së në ushtri, mirëpo kjo iniciativë nuk pritet të shkojë deri në fund për shkak të kundërshtimit nga ndërkombëtarët.

Duke parë kundërshtimin e Listës Serbe për të votuar ndryshimet kushtetuese që i hapin rrugë krijimit të ushtrisë, transformimi i FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës, mund të ndodhë vetëm përmes ligjit. Lista Serbe në të gjitha qeveritë e Kosovës po e luan rolin e “Kalit të Trojës”. Forca e Sigurisë së Kosovës nuk do ta ndryshojë emrin në rast se në Kuvendin e Kosovës miratohet pakoja e ligjeve të hartuara nga Qeveria e Kosovës. Por, kësaj force parashihet t’i ndryshojnë vetëm kompetencat dhe detyrat.

Ndryshe, nga ligji aktual, i cili e definon FSK-në si një forcë krejtësisht vullnetare të ndërtuar nga të gjitha shtresat e shoqërisë, me Projektligjin e ri i cili tashmë është proceduar në Kuvendin e Kosovës, përcaktohet që FSK-ja të jetë forcë ushtarake multietnike, profesionale, e armatosur dhe e autorizuar për të shërbyer në vend dhe jashtë vendit, në pajtim me mandatin e dhënë kushtetues dhe ligjor.

Diplomatët ndërkombëtarë po kërkojnë në vazhdimësi që Ushtria e Kosovës të formohet  me anë të ndryshimeve kushtetuese dhe jo nga ndryshimi i pakos ligjore, ndërsa Lista Serbe është duke i penguar ndryshimet kushtetuese.

Hap pozitiv i Qeverisë?

Kurse, nga departamenti për Politika të Mbrojtjes dhe Sigurisë brenda Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, thonë për gazetën “Bota sot” se është shumë pozitive dhe në kohë të duhur procedimi nga Qeveria për miratim parlamentar të tri projektligjeve bazike për krijimin e Ushtrisë së Kosovës.

DPMS i AAK-së thotë se është i angazhuar dhe përcjellë me vëmendje zhvillimet që ndërlidhen me procesin e transformimit të FSK- së në Forca të Armatosura të Kosovës.

Sipas tyre, nevoja që Kosova të bëhet me ushtri është tepër urgjente, gjetja e një opsioni të koordinuar formal, do të nënkuptonte zgjerimin e misionit të FSK-së deri në krijim dhe transformim të plotë.

“Veprimet e tilla proaktive të Qeverisë, në koordinim me partnerët strategjik të FSK-së NATO-n dhe SHBA-të, po realizojnë infrastrukturën e plotë ligjore për krijimin e Ushtrisë, si komponent kryesor të sigurisë për garantimin e sovranitetit dhe paqes duke ruajtur direkt mjedisin e sigurisë në Kosovë, rajon dhe kapacitetet ushtarake për misione paqeruajtëse në botë. DPMS i AAK-së i mirëpret të gjitha angazhimet shtetërore dhe ndërkombëtare, me theks të veçantë SHBA-në dhe NATO-n, për gatishmërinë në ofrimin e mbështetjes strategjike, aspekteve teknike ushtarake dhe logjistike në interes të misionit të ri të FSK-së”, thuhet në përgjigjen e DPMS-së.

Image
Faton Kurti

Kurti: Nuk ka asnjë parashikim se si do të financohet krijimi i Ushtrisë

Kryetari i Republikanëve të Kosovës, prof. Faton Kurti thotë se, REK mbështesin tërësisht shndërrimin e FSK në ushtri, por pyet kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj se do të ishte me interes shumë të madh publik të na shpjegoni cili është plani i financimit të ushtrisë së Kosovës?!

“Me gjithë dëshirën dhe vullnetin pozitiv për të pasur një ushtri të fortë dhe të strukturuar në nivele të larta kjo për momentin mbetet vetëm një ëndërr e bukur sepse llogaritë e buxhetit nuk janë bërë si duhet. Partnerët perëndimorë duke analizuar aventurat e klasës qeverisëse të Kosovës e kanë vënë vendin në kushtet e izolimit. Është e qartë se pa bekimin dhe financimin e tyre nuk mund të ndodhë shndërrimi i FSK-së”, thotë Kurti për gazetën “Bota sot”.

Ai shton se, pa bekimin e partnerëve tanë SHBA, BE dhe NATO do ishte e pamundur ta financojmë dhe ndërtojmë ushtrinë me buxhetin e vogël që ka Kosova.

“Teksa nuk ka asnjë parashikim se si do të financohet krijimi i Ushtrisë, në anën tjetër qeveria e Kosovës ka mjaft punë të financojë batalionin e "ushtarëve" qeveritarë! Vetëm 5000 ushtarë me pajisje moderne ushtarake pa llogaritur blerjen e Armatimit të rëndë mund të na kushtojë rreth 1.0 miliardë euro në vit dhe siç e dimë të gjithë buxheti i Kosovës është gjithsej 2 Miliardë në vit. Pagat e dyfishuara të 5 zëvendëskryeministrave, 3 prej të cilëve mbajnë dhe pozitën e ministrit, 21 ministra dhe deri më tani 64 zëvendësministra janë një barrë e rëndë për buxhetin e Kosovës. Vetëm për pagat e këtij "batalioni" ministrash qeveria për një muaj shpenzon 106 mijë e 773 euro. Për një vit shpenzimet kapin shifrën e 1 milion e 281 mijë e 276 euro”, thotë Kurti.

Image
Avni Islami

Islami: Formimi i ushtrisë është vetëm çështje kohe

Ai tregon se, për një mandat prej 4 vitesh pagat e tyre i kushtojnë taksapaguesve të Kosovës 5 milionë e 125 mijë e 104 euro.

Profesori i Shkencave të sigurisë, Avni Islami thotë se, institucionet e Kosovës, duhet që t’i kryejnë obligimet ligjore dhe kushtetuese.

Sipas tij, dorëzimi dhe procedimi i mëtutjeshëm për transformimin e FSK-së në ushtri është me vend, por i vonuar.

“Nuk ka dilemë se formimi i ushtrisë është vetëm çështje kohe. FSK-ja është vetëm edhe një hap dhe të filloj që t’i plotësoj të gjitha kapacitetet e saj deh të ketë atributet e një ushtrie moderne me kapacitetet e saj vetëmbrojtëse për tërë territorin e Kosovës, si dhe me pjesëmarrje në numër të kufizuar në misionet paqeruajtëse. Jam plotësisht me një vi me Qeverinë e cila ka bë një punë të mirë që e ka dorëzua projektligjin në Kuvend. A bëhet apo jo pa ndihmën e aleatëve tanë, ajo dihet sepse janë edhe KFOR-i me Rezolutën 1244 e cila për momentin është e vetmja forcë që garanton integritetin dhe sovranitetin e territorit të Kosovës”, thotë Islami për gazetën “Bota sot”.

Image
Faik Krasniqi

Krasniqi: Pa votat e serbëve është vështirë

Opinionisti dhe analisti politik, Faik Krasniqi thotë se, shndërrimi i forcave të FSK-së në ushtri, nuk mund të bëhet pa ndryshimet kushtetuese.

Sipas tij edhe ndërkombëtarët e kanë cekur një gjë të tillë, madje edhe NATO.

“Pa votat e serbëve është vështirë. Ata fuqishëm janë kundër krijimit të saj. Prandaj, vetëm ndonjë presion i madh ndërkombëtar do t’i detyronte serbët që ta votojnë Ushtrinë e Kosovës, përndryshe do të ngelemi pa krijimin e saj. Dhe ky presion edhe nëse bëhet, do t’i bëhet qeverisë së Serbisë, në mënyrë që ata t’i shtyjnë deputetët serbë të ”Listës Serbe” që ta votojnë Ushtrinë e Kosovës, sepse kjo Listë është e krijuar nga qeveria serbe dhe dirigjohet dhe bindet vetëm urdhrave të tyre”, thotë Krasniqi për gazetën “Bota sot”.

FSK-ja, Komandant Suprem që e ka presidentin e Kosovës Hashim Thaçi, e ka për obligim për ta mbrojtur integritetin territorial, qytetarët, pronën dhe interesat e Republikës së Kosovës. FSK parashihet të jetë e ndërtuar sipas standardeve të ndërveprueshme me NATO-n.

Çfarë thuhet në projektligj?

Në projektligj nuk është specifikuar lloji, por është thënë se FSK do të jetë e pajisur me armë dhe sisteme të armatimit, në përputhje me nevojat për përmbushjen e kompetencave dhe detyrave të saj.

Në ligjin që është në fuqi aktualisht, FSK është e armatosur lehtë, pasi e ka të ndaluar të ketë armë të rënda, siç janë tanket, artileria e rëndë apo kapacitete sulmuese ajrore.

Në Projektligjin e ri për FSK-në, kësaj force i është dhënë edhe e drejta e përdorimit të forcës, kompetencë që aktualisht nuk e ka.

“Forca e Sigurisë së Kosovës është e autorizuar ta përdorë forcën, armët e zjarrit, mjetet dhe pajisjet që i ka në përdorim me qëllim të përmbushjes të kompetencave dhe detyrave te dhëna kushtetuese dhe ligjore”, thuhet ndër tjera në projektligj.

Në kuadër të kësaj, parashihet që pjesëtari i FSK-së në kohë paqe mund të përdor forcën duke përfshirë forcën vdekjeprurëse vetëm: për të mbrojtur veten, jetën e forcave vetanake dhe forcave mike; të pengojë sulmet ndaj personave, objekteve, mjeteve dhe pajisjeve të tjera;  të pengojë një sulm të drejtpërdrejtë që rrezikon jetën e tij apo qe paraqet rrezik për institucionin dhe shtetin e Republikës së Kosovës.

”Përdorimi i forcës, duke përfshirë forcën vdekjeprurëse, përfshin përdorimin e të gjitha armëve, sistemeve të armëve dhe mjeteve për ndalimin e detyruar të transportit dhe mjete tjera ne përdorim dhe dispozicion nga FSK. Parimi i proporcionalitetit të përdorimit të forcës zbatohet vazhdimisht në lidhje me forcën që përdoret nga FSK”, thuhet shprehimisht në projektligj.

Por, aty thuhet se përdorimi i forcës, duke përfshirë forcën vdekjeprurëse lejohet vetëm nëse rreziku nuk mund të shmanget me mjete të tjera.

Në misione jashtë vendit përdorimi i forcës thuhet se duhet të bëhet sipas rregullave të angazhimit të miratuara nga Kuvendi i Kosovës, në zbatim të misionit të caktuar në përputhje me legjislacionin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar. Forca e Sigurisë së Kosovës thuhet se duhet jetë e paanshme dhe si e tillë nuk mund të përdoret për veprimtari politike partiake. Simbolet e Forcës së Sigurisë së Kosovës janë: flamuri, himni, stema e FSK-së dhe emblemat e njësive të FSK-së. Flamuri dhe himni i Republikës së Kosovës janë edhe flamuri dhe himni i Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Procesi kishte nisur një vit më parë

Iniciativat e liderëve të Kosovës, që transformimi të ndodh përmes ligjeve është ndaluar nga diplomatët ndërkombëtarë duke thënë se ushtria e Kosovës duhet të formohet vetëm përmes ndryshimeve kushtetuese.

Ndërsa, një vit më parë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kishte marrë një iniciativë krye në vetë për krijimin e Ushtrisë. Ai kishte deklaruar se, iniciativa për kalimin e FSK-së në Ushtri të Kosovës është e domosdoshme.

Presidenti Thaçi, pasi i kishte dorëzuar projektligjin që FSK-ja të bëhet ushtri kryetarit të Kuvendit Kadri Veselit ka thënë se, “Kosova nuk mund ta lë veten në mëshirë të askujt”.

“Ju informoj se para pak çastesh bazuar në kompetencat e mija kushtetuese dhe si komandant suprem i FSK-së i dorëzova kryetarit të Kuvendit, projektligjin që FSK-në e bën ushtri. Kjo iniciativë e imja është e domosdoshme dhe bëhet me qëllim të ruajtjes së sovranitetit territorial dhe bëhet me qëllim të ruajtjes së paqes në Kosovë dhe rajon”, ka thënë Thaçi.

“Ashtu siç është informuar opinioni publik në Kosovë tri vite më parë pata paralajmëruar krijimin e FAK e fatkeqësisht realiteti ka mbetur i njëjtë. Si president do të doja që transformimi të ndodhte ashtu siç jemi përpjekur tash e rri vite përmes një procesi transparent. Por një gjë të tillë nuk kemi arritur sepse deputetët serbë e kanë bërë të qartë se kurrë nuk do të votojnë ndryshimet për t'i bërë Forcat e Armatosura. Kosova nuk mund ta lë fatin e vet në mëshirën e askujt. Për mua më e rëndësishme se simbolika që lidhet me emrin është përmbajtja”, kishte deklaruar presidenti Thaçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat