Paralajmërohet vjeshtë e nxehtë e opozitës

Politika

Paralajmërohet vjeshtë e nxehtë e opozitës

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 20 shtator 2018 Në ora: 07:08
Ilustrim

“Partitë politike të opozitës kanë paralajmëruar se vjeshta e këtij viti do të jetë mjaft e nxehtë për Qeverinë e Kosovës. Përveç qasjes më aktive dhe më kritike të opozitës ndaj punës dhe veprimeve të Qeverisë Haradinaj dhe veprimeve të Thaçit për korrigjimin e kufijve, tani duhet të pritet edhe krijimi i një "koalicioni" opozitarë për t’i parandaluar këto matrapazllëqe politike”, ka thënë analisti politik Ali Hertica.

Ideja e korrigjimit të kufirit nga presidenti Hashim Thaçi dhe mos zgjidhja e temave të mëdha nga qeveria e Ramush Haradinajt, janë dy çështje që për opozitën po konsiderohen si  të rënda e të pafalshme,  andaj edhe po paralajmërojnë një “vjeshtë të nxehtë” në politikën e Kosovës.

Lidhur më këtë, opozita shprehet se, nuk do ndalen dhe as nuk do lodhen nga tentimet që të ndalin keqqeverisjen manipulative të Haradinajt, si dhe aventurat e rrezikshme të presidentit Thaçi. Për ta, zgjidhje janë vetëm zgjedhjet.

Ndërsa, shoqëria civile, konsideron se qytetarët janë gati për ndryshime, mjafton të kenë prijës të besuar, të cilët paraqesin diçka ndryshe nga ajo çfarë kemi përjetuar deri tani. Këta të fundit janë të mendimit se fati i Kosovës tashmë është në duart e opozitës.

Image
Haxhi Avdyli

Haxhi Avdyli: Nuk ndalemi, as nuk lodhemi

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haxhi Avdyli, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se opozita nuk do ndalet dhe as nuk do lodhet për të tentuar që të ndalin keqqeverisjen manipulative të Ramush Haradinajt, si dhe aventurat e rrezikshme të presidentit Hashim Thaçi.

“Ne si opozitë nuk do ndalemi as nuk do lodhemi për të ndalur keqqeverisjen manipulative të Ramush Haradinajt si dhe aventurat e rrezikshme dhe të dëmshme të Hashim Thaçit me territoret tona”, ka thënë deputeti i LDK-së për gazetën “Bota sot”.

Tutje, ai ka potencuar se do t’i shfrytëzojnë të gjitha mjetet demokratike që pushtetarët të mos abuzojnë me pushtetin.

“Ne do i shfrytëzojmë të gjitha mjetet e njohura demokratike për të mos lejuar që këta pushtetarë të papërgjegjshëm të abuzojnë me pushtetin”, ka potencuar ai.

Krejt në fund të prononcimit, deputeti i partisë më të madhe opozitare, është shprehur se zgjedhjet janë zgjidhje e vetme për gjendjen e krijuar, që siç e ka quajtur ai, anakronike.

“Zgjedhjet janë zgjidhje për gjendjen e anakronike ku partitë pakicë të shumicës shqiptare po udhëheqin me Kosovën përmes numrave të fryre të deputetëve të pakicës Serbe”, ka përfunduar deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haxhi Avdyli, për gazetën “Bota sot”.

Image
Faton Mehmeti

Mehmeti: Fati i Kosovës është në duart e opozitës

Ndërsa, analisti politik, Faton Mehmeti, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se, shpreson të jenë të vërteta thirrjet e bllokut opozitar për ta rrëzuar këtë qeveri dhe këtë president.

“Shpresojë të jetë e vërtetë vendosmëria e opozitës për ta rrëzuar këtë qeveri dhe këtë president nga postet e tyre, pasi përbejnë rrezik kombëtar. Një opozitë e bashkuar me një platformë të qartë për të nxjerrë vendin nga kriza ku e ka futur ky koalicion aktual, është bazament i fuqishëm rreth të cilit do të bashkohen të gjithë qytetarët pa dallim partie ose bindje”, ka thënë Mehmeti.

Ai ka thënë se fati i Kosovës është në duart e tyre, ku sipas tij, edhe në sondazhe ka pasqyruar mendimin dhe dëshirën e saj për të pasur një koalicion LDK-VV.

“Qytetarët janë gati, mjafton të kenë prijës të besuar, të cilët paraqesin diçka ndryshe nga ajo çfarë kemi përjetuar deri tani. Fati i Kosovës është në duart e opozitës, e cila edhe në sondazhe ka pasqyruar mendimin dhe dëshirën e saj për të pasur një koalicion LDK-Vetëvendosje. Shpresojë se opozita nuk do të bie në kurthet e Thaçit, por do të nisë një mision që nuk do ndalët deri në fund, e që është rrëzimi i kësaj qeverie dhe shkuarja ne zgjedhje”, ka thënë ai.

Në fund, analisti politik, thekson se, është momenti i opozitës që ta marrë në duart e saj fatin e Kosovës.

“Opozita duhet të marr në duart fatin e Kosovës, karshi këtij koalicion aktual që po e degradon jetën tonë çdo ditë e më shumë”, ka përfunduar analisti politik, Faton Mehmeti, për gazetën “Bota sot”.

Image
Ali Hertica

“Na pret një vjeshtë e “nxehtë””

E, edhe analisti tjetër, Ali Hertica qëndron në një linjë më Faton Mehmetin.

Hertica për gazetën “Bota sot”, deklaron se duhet qasje më aktive dhe më kritike të opozitës ndaj punës dhe veprimeve të Qeverisë Haradinaj.

“Partitë politike të opozitës kanë paralajmëruar se vjeshta e këtij viti do të jetë mjaft e nxehtë për Qeverinë e Kosovës. Përveç qasjes më aktive dhe më kritike të opozitës ndaj punës dhe veprimeve të Qeverisë Haradinaj dhe veprimeve të Thaçit për korrigjimin e kufijve, tani duhet të pritet edhe krijimi i një "koalicioni" opozitarë për t’i parandaluar këto matrapazllëqe politik”, ka thënë analisti politik.

Me tej, analisti politik shprehet se, partitë opozitare duhet të jenë të pajtuara për krijimin e një fronti më unik opozitar karshi qeverisë aktuale.

“Bashkimi i opozitës dhe i liderëve të saj duhet të jetë fuqishëm kundër veprimeve të Presidenti Thaçi dhe Qeverisë Haradinaj. Tani partitë opozitare duhet të jenë të pajtuara për krijimin e një fronti më unik opozitar karshi Qeverisë Haradinaj. Përfaqësuesit e opozitës konsiderojnë se me bisedimet me Serbinë për korrigjimin e kufirit, është krijuar një vijë shumë më e qartë ndarëse mes Qeverisë dhe partive opozitare”, është shprehur Hertica.

Ai thekson se opozita duhet të përdor çfarëdo forme për ta rrëzuar ketë qeveri të prirë nga elita analfabete.

“Tani kur Kosova është shtet i pavarur,dhe ka Kushtetutën e saj, vëmendja e opozitës duhet përqendruar që të ngrejë zërin kundrejt qeverisë që ka veprime antikushtetuese për rishikim të kufirit me Serbinë dhe tani opozita duhet të jetë më aktive në realizimin e programeve që kanë të bëjnë me përmirësimin e jetës së qytetarëve të Kosovës. Opozita duhet të përdor çfarëdo forme për ta rrëzuar ketë qeveri të prirë nga elita analfabete”, ka përfunduar Ali Hertica për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat