Vetëvendosje u bën thirrje rugovistëve që t`i bashkohen protestës për ta ndalur Thaçin

Politika

Vetëvendosje u bën thirrje rugovistëve që t`i bashkohen protestës për ta ndalur Thaçin

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 22 shtator 2018 Në ora: 08:41
Foto ilustruese

“Partitë tjera opozitare është dashur t’i bashkangjiten protestës dhe t’i tregojmë pakënaqësitë. Me këtë rast dua t’i bëj thirrje anëtarësisë së LDK-së, sidomos Rugovistëve që të jenë pjesë e protestave dhe ta ndalim një të keqe që po na vjen nga njeriu i shantazhuar siç është Hashim Thaçi. Secili qytetar që ja do të mirën këtij vendi, me datën 29 shtator do të jetë në shesh, është koha e fundit që të ndalet kasapi i Kosovës, përndryshe do të jetë shumë vonë”, ka theksuar deputetja e VV-së, Drita Millaku.

Gjendja politike në Kosovë, kapja e institucioneve dhe ideja e korrigjimit të kufijve e presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, janë arsyet që Lëvizja Vetëvendosje do të protestojë me 29 shtator në Prishtinë.

Kryetari i kësaj Lëvizje ka bërë thirrje për pjesëmarrje masive në këtë protestë, si qytetarët ashtu edhe anëtarë të partive politike.

Sipas tij, skandalet e kryeministrit Ramush Haradinaj dhe të kabinetit të tij, po e dërgojnë vendin në zgjedhje të reja.

“Nga skandalet e shpeshta dhe të shumta të kryeministrit dhe kabinetit enorm të tij na nxjerrin veç se zgjedhjet e reja parlamentare. Qeveria po e bojkoton Kuvendin sepse ajo po e lufton opozitën, krejt kjo nën mbikëqyrjen e kryetarit të Kuvendit. Pushteti në Kosovë e ka braktisur shtet-ndërtimin, ai nuk e do sundimin e ligjit dhe nuk di për zhvillim ekonomik. Prandaj Lëvizja Vetëvendosje me 29 shtator të këtij viti, thërret protestë paqësore e qytetare në Prishtinë në ora 14:00”, tha Kurti.

Ai përmendi idenë e korrigjimit të kufijve në dialogun Kosovë-Serbi, ku sipas tij Thaçi është pa mandat dhe po e zëvendëson Gjermaninë me Rusinë në këtë proces.

Lidhur me këtë protestë, për të cilën VV-ja i kishte bërë ftesë Lidhjes Demokratike të Kosovës, kjo parti është shprehur se nuk është koha për protesta tani, derisa kryetari i LDK-së, Isa Mustafa tha se nuk i shohin protestat si mjet kundër korrigjimit të kufijve.

E për këtë refuzim të LDK-së, Kurti tha se LDK-ja ka më shumë interesim se sa gatishmëri për protestë, dhe se me kalimin e ditëve do të kuptohet se këto protesta janë të domosdoshme.

Millaku: LDK duhet të na bashkohet në protesta

Image
Drita Millaku

Në lidhje me atë se çka presin Lëvizja Vetëvendosje nga kjo protestë, deputetja nga radhët e kësaj partie, Drita Millaku, në një bisedë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se VV po punon në terren për një protestë masive dhe të qetë, derisa shton se kushdo  që do ta prishë protestën, nuk është pjesë e kësaj Lëvizje.

“Disponimi i qytetarëve për të marrë pjesë në protestën e 29 shtatorit është i madh. Ne jemi duke punuar në terren dhe besoj shumë për një protestë masive dhe shumë të qetë. Ne jemi duke u angazhuar për një protestë të qetë, shprehem me bindje se secili person që do të tentojë që ta prishë protestën e qetë, nuk i përket LVV-së. Është e mirë se LVV po lufton në dy drejtime në parlament dhe në protesta, dhe besoj shumë që do të kemi sukses”, është shprehur ajo.

Millaku i ka bërë thirrje LDK-së që tu bashkohen në protestë, që ta ndalin presidentin Thaçi dhe të keqen që po vjen nga ai, duke shtuar se është koha e fundit që ai të ndalet.

“Partitë tjera opozitare është dashur t’i bashkangjiten protestës dhe t’i tregojmë pakënaqësitë. Me këtë rast dua t’i bëj thirrje anëtarësisë së LDK-së, sidomos Rugovistëve që të jenë pjesë e protestave dhe ta ndalim një të keqe që po na vjen nga njeriu i shantazhuar siç është Hashim Thaçi. Secili qytetar që ja do të mirën këtij vendi, me datën 29 shtator do të jetë në shesh, është koha e fundit që të ndalet kasapi i Kosovës, përndryshe do të jetë shumë vonë”, ka theksuar deputetja e VV-së.

Ajo ka treguar po ashtu se kanë informata që për protestë janë duke u bërë organizime edhe nga diaspora.

“Gjithashtu ne kemi informata që është duke u bërë edhe një organizim i diasporës për të jenë pjesëmarrës me 29 shtator”, ka deklaruar deputetja Drita Millaku për gazetën “Bota sot”.

Tahiri: Nuk mund të ketë zgjedhje me protesta

Ndërsa, politologu Ramush Tahiri, duke folur në lidhje me protestën e VV-së, ka thënë se me protesta nuk mund të mbahen zgjedhjet e reja e as të bie qeveria.

Image
Ramush Tahiri

“Me protesta të organizuara nga partitë politike ne këtë rast nga Vetëvendosje nuk mund të organizohen zgjedhjet e reja parlamentare dhe nuk mund të bie Qeveria. Para se gjithash nga fakti se Republika e Kosovës është shtet demokratik dhe pushteti në të gjitha nivelet dhe qeverisja ndërtohet në bazë të procesit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”, është shprehur ai.

Sipas tij, Kosova është dhe nën një lloj mbikëqyrje ndërkombëtare dhe pa pëlqimin e tyre nuk mbahen zgjedhjet e nuk rrëzohet qeveria.

“Gjithashtu Kosova është në një lloj mbikëqyrjeje ndërkombëtare ku edhe ambasadat e vendeve të jashtme kanë një ndikim të rëndësishëm dhe asnjë palë zgjedhje deri më tash e po ashtu edhe asnjë Qeveri nuk është rrëzuar pa marrë më parë pëlqimin edhe të tyre”, ka vlerësuar Tahiri për gazetën “Bota sot”.

Më pas, politologu thekson se opozita asnjëherë nuk mund të bëjë ndryshime, pa bashkëpunim dhe me partitë në pushtet, siç ka ndodhur deri më tani.

“E treta zakonisht partitë opozitare në Kosovë asnjëherë nuk e kanë fuqinë për të bërë ndryshime, për të rrëzuar Qeverinë ose për të provokuar zgjedhjet e parakohshme. Kjo gjithmonë deri tash ishte bërë në bashkëpunim me partitë në pushtet”, ka theksuar Tahiri.

Madje, sipas tij, pushteti asnjëherë nuk i ka marrë parasysh kërkesat politike nga protestat, por i ka trajtuar me masa policore.

“Vetëvendosje me protestat e saja përveç dhunës e tollovisë edhe me pasoja tragjike nuk ka arritur ndonjë rezultat as ndonjë plotësim të kërkesave. Zakonisht e kanë lëshuar qytetarët e policët por asnjëherë pushteti. Në Kosovë nuk ka vetëdije për protesta të organizuara masovike dhe gjithashtu as pushteti asnjëherë nuk i ka marrë parasysh kërkesat politike nga protestat por i ka trajtuar ato me masa policore dhe mospërfillje totale institucionale”, ka deklaruar Ramush Tahiri për gazetën “Bota sot”.

Abazi: Kapja e shteti tanit është duke u transformuar në zhbërje të shtetit

Image
Haki Abazi

Në anën tjetër, njohësi i çështjeve politike në vend, Haki Abazi, ka thënë për gazetën “Bota sot”, se të gjithë aktorët e sidomos Thaçi po thirret në emër të popullit, andaj protesta e VV-së duhet të tregojë se ai nuk ka mandat as nga qytetarët as nga institucionet.

“Kapja e shteti tanit është duke u transformuar në zhbërje të shtetit. Çdo gjë që ka ndodhur deri tani që nga shpallja e pavarësisë ka qenë degradim i vizionit dhe shthurje institucionale. Të gjithë aktorët e sidomos Thaçi po thirret në emër të qytetarëve dhe popullit e kjo protestë duhet të tregojë se ai nuk ka mandat as nga institucionet dhe as nga qytetarët. Ai nuk lejohet të shkelë Kushtetutën dhe nuk është mbi ligjin”, është shprehur ai.

Sipas Abazit, zgjidhjet janë të nevojshme pasi qeveria po varet nga Lista Serbe dhe Thaçi duhet ndalur me të gjitha mënyrat.

“Zgjedhjet janë të domosdoshme sepse kjo qeveri është qeveri që është peng i listës Srpska dhe shumica shqiptare është në anën tjetër. Nuk ka legjitimitet edhe për formën se si është formuar dhe se si është duke funksionuar. Thaçi duhet ndalur në të gjitha mënyrat ai është duke punuar kundër interesave të Kosovës dhe kundër interesit të gjithmbarshëm të shqiptarëve”, ka deklaruar Haki Abazi për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat