Ekzekutimi zyrtar i Ministrit të Luftës

Politika

Ekzekutimi zyrtar i Ministrit të Luftës

Idriz Zeqiraj Nga Idriz Zeqiraj Më 23 shtator 2018 Në ora: 08:11
Kolonel Ahmet Krasniqi

Qysh në ditën e parë të ekzekutimit të Kolonel Ahmet Krasniqit, Ministër i Luftës i Republikës të Kosovës, është saktësuar motivi dhe autorësia, më saktë, urdhërdhënësit e vrasjes makabre. Ndërkohë që në Tiranë lëviznin lirshëm me makina kriminelë me damkë, dy makinat shoqëruese të Ministrit, asaj nate fatale, u ndaluan nga policia shqiptare. Hudhja inatçore e kufomës lakuriq, të Kolonelit, në një qoshe, fliste për urrejtjen patologjike që kishin sivëllezërit ideologjikë të LPK-së, përkatësisht, Tirana zyrtare social-komuniste.

Zyrtarët e SHISH-it, Ministrisë të Punëve të Brendshme, Ministrisë të Mbrojtjes, gazetarë dhe analistë të politikës zyrtare, ishin të një mendjeje në anatemën e Ministrit Krasniqi. Në kor sulmonin, shpifnin, fyenin, përçmonin, kërcënonin Kolonelin, diç më shumë se sa Serbia. Eksponentë kriminelë të PDK-së, vunë në dispozicion edhe "tokën e babës, për atentatorët e Kolonelit!" Dhe, kjo lexohet si aprovim i krimit në fjalë nga LPK-ja e djeshme, përkatësisht, PDK-ja e sotme.

Pse e gjithë kjo mëri ndaj Kolonel Krasniqit?

Sepse "komandantët" pa ushtarë dhe pa beteja, të "Rogner-it", nuk e duronin shkëlqimin, trimërinë dhe madhështinë profesionale ushtarake e akademike të Kolonelit. Organizimi i UÇK-së, i dalë nga FARK-u, taktika ushtarake e studiuar dhe fillimi i zbatimit të saj në praktikë, në rrethana të një pushtimi të egër serbo-sllav, rezultatet e para, i tërboi "komandantët" profanë, injorantë, të cilët nuk kishin bërë as shërbimin ushtarak klasik. Ata mbetën në hije dhe rrugaveshin bulevardeve të Tiranës, duke intriguar dhe hartuar listat e vdekjes, për ata që po i eklipsonin, hijesonin.

Të gjithë ata që kanë përcjellë karrierën ushtarake të Kolonelit, qoftë në rrafshin teorik apo atë praktik ushtarak, janë të një mendjeje se ai kishte një përgatitje solide e supreme. Drejtimi i Garnizonit të Gospiç-it në Kroaci, deri në dorëzimin e tij ushtrisë kroate, menaxhimi taktik në ruajtjen e forcave ushtarake, për të qenë të gatshëm për lirinë e Kroacisë.

Kolonel Krasniqi ka qenë kundër futjes në luftën e Kroacisë të djemve të Kosovës, pa u përgatitur ushtarakisht e profesionalisht për luftë. Ndoshta kjo i kushtoi Atij me hakmarrjen, hiç meritore, të pushtetarëve kroatë të kohës. Ishin gjeneralët kroatë ata që vlerësuan në shkallën sipërore angazhimin ushtarak profesional të Kolonel Ahmet Krasniqit. "A e dinë shqiptarët se kënd kanë vrarë", - shprehej trishtueshëm gjenerali kroat.

Binomi Presidenti Rugova dhe Kolonel Krasniqi, janë themeli dhe infrastruktura ushtarake dhe luftarake në Kosovë. Dr. Rugova themeloi Forcat e Armatosura të Republikës të Kosovës, FARK, më 1991, ndërsa Kolonel Krasniqi krijoi infrastrukturën e luftës, duke hapur ushtrimoret ushtarake në: Qerret të Kavajës, në Papaj në Tropojë, në Kolsh dhe Kalimash të Kukësit. Koordinimi, bashkëpunimi i Kolonel Ahmet Krasniqit me oficerët institucionalë të FARK-ut ka qenë harmonik, i sinqertë dhe shumë i suksesshëm. 

Pa Betejën e Loxhës dhe betejat e Kosharës në vijimësi, që përbëjnë Luftën e Kosharës, UÇK-ja do të ishte një emërtesë abstrakte, boshe. "Komandantët" shpifarakë, rrenacakë, të strehuar në partitë-banda të PAN-it, nuk do të kishin fytyrë as "namuz", për ta përmendur UÇK-në, sepse, realisht, nuk kanë shënuar asnjë përballje me formacione ushtarake me armikun. Rrjedhimisht, ishin të "zënë" me hapjen e burgjeve rurale, kidnapime, dhunime, tortura, maltretime e deri në vrasjen e kundërshtarëve politikë, veprimtarët e LDK-së dhe FARK-istët luftë-bërës të Ibrahim Rugovës.

Vetë fakti se familja nacionaliste Krasniqi, shpërfilli pushtimin komunist, persekutimi filloi ende pa lindur Koloneli, i cili lindi në internim, dëshmon për bazën familjare atdhetare, me epërsi absolute, në raport me "komandantët" falsifikatorë, sabotatorë të luftës, përgjakës të Kosovës, hajna zyrtarë, haraçxhinj të pas luftës dhe vrasës serikë të kundërshtarëve politikë.

Kundërshtia e PDK-së në Vushtrri, për emërimin e sheshit dhe ngritjen e shtatores të Kolonel Ahmet Krasniqit, pa mëdyshje, është bërë nga krerët e partisë-bandë, PDK-së. Dhe, kjo hiç më pak se sa pranim zyrtar i ekzekutimit të Tij. 

Unë që kam pasur rastin dhe fatin të bashkëpunoj me Kolonel Krasniqin, të jem mik shtëpie i kësaj familjeje, meqë kisha vuajtur burgun politik, së bashku me xhaxhain e Kolonelit, kaçakun e mirënjohur Aziz Zhilivoda - Krasniqi, kam vënë re se Ai rrezatonte pozitivitet: ishte i sinqertë, komunikues, i dashur, parimor dhe mbi të gjitha trim, i lindur si ushtarak, atdhetar në bindje dhe veprime. Koloneli ka qenë dhe mbetet dashuria e qytetarëve të Vushtrrisë, të Kosovës, të Shqiptarisë, madje, pavarësisht përkatësive partiake.

Fundazi, po sjellim opinionin e kolegut, Komandantit të Kosharës, hero i gjallë i Kosovës, deputetit Anton Quni, për Kolonelin:

"Vushtrria dhe qytetarët e saj, e meritojnë ta kujtojnë dhe nderojnë njeriun, i cili ka dalë nga gjiri i saj. Çdo përpjekje për ta zhvlerësuar peshën kombëtare të Kolonel Krasniqit, është përpjekje për t'ju shmangur të vërtetës, për rolin e tij për çlirimin e Kosovës".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat