Akuzat e Gecit ndaj Thaçit dhe hetimi për vrasjen e Ahmet Krasniqit, flasin nga Gjykata Speciale

Politika

Akuzat e Gecit ndaj Thaçit dhe hetimi për vrasjen e Ahmet Krasniqit, flasin nga Gjykata Speciale

Nga: N.H Më: 26 shtator 2018 Në ora: 12:30
Foto ilustrim nga gazeta "Bota sot"

Ishte raportuar se Gjykata Speciale është duke u marrë me zbardhjen e vrasje së Ahmet Krasniqit, ish-Ministër i Forcave të Armatosura të Qeverisë së Bujar Bukoshit.

E, lidhur me këtë çështje, gazeta “Bota sot”, ka provuar të marrë përgjigje nga Zyra e Prokurorit Special të Gjykatës Speciale.

Mirëpo nga kjo zyre nuk kanë dhënë asnjë detaj se a do të merret Gjykata Speciale me zbardhjen e vrasje së Ahmet Krasniqit, ish-Ministër i Forcave të Armatosura të Qeverisë në Ekzil.

Të pyetur se a do ta hetojnë vrasjen e kolonel Krasniqit dhe a do të jetë Gani Geci dëshmitar i saj. Chris Bennett nga Zyra e Prokurorit Specialist, në një përgjigje elektronike i ka thënë gazetës “Bota sot”, se si pasojë e këtij prioriteti ata nuk mund të komentojnë ose të konfirmojnë nëse kjo çështje po hetohet.

“Mbrojtja e dëshmitarëve është një prioritet i rëndësishëm për ZPS-në. Si pasojë e këtij prioriteti ne nuk mund të komentojmë ose të konfirmojmë nëse çështje të caktuara po hetohen”, është përgjigjur Chris Bennett për gazetën “Bota sot”.

Bexhet Krasniqi: Familja është kontaktu nga Gjykata Speciale

Se do të merret Gjykata Speciale me zbardhjen e vrasje së kolonelit Ahmet Krasniqi e ka thënë vëllai i tij, Bexhet Krasniqi.

“Gjykata Speciale ka fillu me u marrë me këto sene, na ka njoftu që e ka në juridiksionin e vet”, ka thënë Bexheti.

Ai ka konfirmuar se vrasja e Ahmet Krasniqit do të zbardhet nga drejtësia ndërkombëtare.

“Familja është kontaktu, ka marrë përgjigje që ata e kanë nën juridiksion kjo nuk do të jetë e mbyllur. Ka me zbërthy nashta ka me zgjat pak ama e vërteta ka me dalë sheshit”, ka thënë Behxhet Krasniqi, vëllai i ish-Ministrit të Mbrojtjes.

Gani Geci: Thaçi me mua do të takohet në Gjykatën Speciale

Ndërkaq, ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Gani Geci ditë më parë ka drejtuar shumë akuza ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, duke e akuzuar se deshi ta vrasë atë.

Në një fjalim që mbajti gjatë ceremonisë së rivarrimit të trupave të Ahmet Krasniqit dhe Qazim Jakupit, Geci ka thënë se do të jetë ndër dëshmitarët e parë të Gjykatës Speciale, ku do të përballet me Thaçin.

“Hashim Thaçi duke u munduar t’i ik Gjykatës Speciale, po mundohet që secilin nga viktimat ta bëj hero dhe me të vërtetë kemi qenë heronj e ai s’ka pasur nevojë të na bëj fare sepse kemi luftuar për Kosovën. Ne ia kemi lëshuar Thaçit krejt Kosovën në dorë. Thaçi me mua do të takohet në Gjykatën Speciale, do të ballafaqohem drejtpërdrejt me të në lidhje me komunikatën e 59, sepse aty ai e ka shkruar sikur për mua edhe shumë anëtarë të tjerë të LDK-së vrasje politike që gjithë bashkësia ndërkombëtare i ka hetuar si vrasje të tilla”, ka thënë Gani Geci.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat