Tentimi “puçist” i Thaçit për ta bërë Kosovën një republikë presidenciale

Politika

Tentimi “puçist” i Thaçit për ta bërë Kosovën një republikë presidenciale

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 26 shtator 2018 Në ora: 15:32
Hashim Thaçi. (Bota Sot)

Së fundi presidenti Thaçi ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese interpretimin e nenit 8 të Kushtetutës, sa i përket marrëveshjeve ndërkombëtare, duke tentuar kështu të anashkalojë kuvendin në votimin e tyre. Kjo sipas opozitës dhe analistëve, është një tendencë e tij që t`i arrij marrëveshjet me Serbinë pa e pyetur fare autoritetin e Kuvendit të Kosovës.

Që  nga momenti kur dialogu me Serbinë u bë temë kryesore në Kosovë, veçanërisht ideja e presidentit Thaçi për korrigjim të kufijve, ai asnjëherë nuk raportoi në Kuvendin e Kosovës, para deputetëve lidhur me atë se çfarë po zhvillohet në këto bisedime.

 Presidenti Thaçi zgjodhi konferencat për shtyp para gazetarëve që të jap raporte për dialogun me Serbinë, duke ua mohuar deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të drejtën që ta diskutojnë këtë temë në parlament, të japin kritika apo propozime.

Në konferencat e tij të shpeshta, presidenti Thaçi asnjëherë nuk u tregua i qartë se çfarë po ndodh me temën e kufijve. Ai asnjëherë nuk e shpjegoi si duhet se çfarë do të thotë korrigjimi i kufijve. Si shpesh herë, ai nuk përgjigjet si duhet në pyetjet që i parashtrohen, duke e injoruar tërësisht punën e gazetarit.

Përmes konferencave, ai mund ta bëjë këtë gjë duke i ikur debatit, por jo edhe në Kuvendin e Kosovës përball deputetëve, e ndoshta kjo është arsyeja pse ai po e injoron parlamentin dhe të zgjedhurit e popullit.

Madje, së fundi presidenti Thaçi ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese interpretimin e nenit 8 sa i përket marrëveshjeve ndërkombëtare, duke tentuar kështu të anashkalojë kuvendin në votimin e tyre.

Image
Drita Millaku

Millaku: Thaçi e ka shkelur autoritetin e Kuvendit

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Vetëvendosjes, Drita Millaku, e quan për “Bota sot” akrobacion të radhës veprimin e Thaçit për t’iu drejtuar Kushtetueses.

“Thaçi e dinë se nuk ka bazë ligjore për veprimet që po i merr në relacion me idenë e shkëmbimit, ndryshimit, demarkimit, korrigjimit e nuk di çka tjetër . Akrobacioni i fundit i Thaçit për t'iu drejtuar Kushtetueses është loja tjetër që vetëm njerëz si ai din ta bëjnë”, ka thënë Millaku.

Ajo shton tutje se, lojëra të tilla e kanë lënë Thaçin në politikë ende dhe se me këtë veprim ai ka shkelur autoritetin e Kuvendit.

“E dimë shumë mirë se me lojëra të tilla deri tani Thaçi ka mbetur në politikë. Në fakt, këtu dilema nuk ka dhe është fakt se Thaçi e ka shkelur autoritetin e Kuvendit duke u munduar që me konferenca për shtyp t’i jap vetit legjitimitet për një dallavere me Serbinë. Me lëvizjet e fundit ai po mundohet të tregoj se në Kosove “ligjin e bën Maliqi”, është shprehur Millaku për “Bota sot”.

Distancimi i presidentit Thaçi nga Kuvendi i Kosovës për të raportuar aty, sidomos për dialogun me Serbinë, është shkelje e kushtetues së Kosovës, saktësisht të nenit 84. Kështu thotë profesori juridik Muhamet Kelmendi.

Image
Muhamet Kelmendi

Kelmendi: Thaçi t’i ndalë doemos konferencat për shtyp

Ai thotë për “Bota sot” se në nenin 84 thuhet se presidenti e ka obligim që të raportojë në Kuvendin e Kosovës, së paku një herë në vit.

“Parimisht apo në bazë të kushtetues dhe dokumenteve tjerë, madje edhe akteve tjera juridike që i ka Republika e Kosovës, del se parlamenti është pushteti më i lartë i cili ka tri pushtete, atë legjislativ, ekzekutiv dhe gjuhësor. Në këtë drejtim, para Kuvendit, parimisht duhet që këto pushtete të raportojnë dhe të jenë të përcaktuara nëpërmes kushtetues së Kosovës, dhe natyrisht i takon edhe qeverisë edhe presidentit, edhe institucioneve tjera të cilat bëhet kjo. Pra, duhet së paku njëherë në vit të raportojnë, të tregojnë gjendjen që është, dhe pastaj Kuvendi të marrë vendim me vazhdu apo jo raportin, ta rishikojë atë, apo të bëjë kërkesa tjera dhe përmirësime”, thotë Kelmendi.

Tutje,e ai shton se raportimi përmes konferencave nga presidenti Thaçi dhe jo në Kuvend, është shkelje e parimit demokratik dhe gjithashtu një gjë negative.

“Tani shtrohet pyetja pse Thaçi ka zgjedhur konferencat për raportim. Kjo është një gjë negative sipas mendimit tim, është shkelje totale e kushtetues së Kosovës, është shkelje totale e parimit demokratik dhe shtetit parlamentar që është Kosova dhe është shkelje e drejtpërdrejt e nenit 84të kushtetutës së Kosovës, pika 30 e kushtetutës, e cila thotë se së paku një herë në vit duhet presidenti t’i drejtohet Kuvendit të  Kosovës për punën e tij. Natyrisht se kur t’i drejtohet, Kuvendi ka drejtë pastaj të diskutojë, të analizoj dhe të japë mendime”, është shprehur ai.

Sipas Kelmendit, Thaçi duhet t’i ndalë konferencat nëpër media, dhe të dalë para Kuvendit që të raportoj qartë dhe të shpjegojë se çfarë nënkupton me korrigjim të kufijve.

“Presidenti këtë nuk po bën, Kuvendi në këtë drejtim nuk është funksional pasi kemi një pozitë që nuk ka numra të mjaftueshëm dhe një opozitë e cila nuk është unike. Në anën tjetër presidenti ka zgjedhur një rrugë tjetër, rrugën e përgatitjes së masave, rrugën e përgatitjeve të njerëzve të supozojnë se çfarë do të ndodh në të ardhmen. Ajo që duhet ndodhur sot, është që Thaçi t’i ndalë doemos konferencat për shtyp, duhet të del para Kuvendit të Kosovës dhe të shpjegoj qartë dhe prerë se çfarë kupton ai njeri me korrigjim. Ai duhet të tregoj se a është kjo iniciativa e tij dhe e Vuçiqit, apo është ide e ndonjë shteti të madh ndërkombëtar. Është alogjike të mendoj se të marrësh Luginën e Preshevës dhe në të njëjtën kohë të mos i japësh asnjë centimetër Serbisë”, thekson Kelmendi.

Për më tepër, ai thotë se është detyrë e Kuvendit që të kërkojë raportim nga presidenti në mënyrë urgjente, sepse ai e ka sjellë Kosovën buzë një katastrofe.

“Është detyrë e Kuvendit që të kërkojë raportim nga presidenti në mënyrë urgjente, sepse e ka sjellë situatën buzë një katastrofe dhe fërkimeve shumë të mëdha dhe shpërthimeve që mund të jenë shumë të rrezikshme. Pra, e ka sjellë situatën në një gjendje shumë të rëndë dhe i takon Kuvendit të thërras një interpelancë për këtë”, ka potencuar Kelmendi për “Bota sot”.

Image
Nexhat Haziri

Haziri: Thaçi po tenton anashkalimin e Kuvendit të Kosovës

Ndërsa analisti politik, Nexhat Haziri, thotë për “Bota sot” se nuk mundësi ligjore që presidenti të thirret në interpelancë, pasi kushtetua i ka rregulluar fushëveprimet e çdo institucioni.

“Nuk shohë mundësi ligjore që presidenti të thirrët në interpelancë nga deputetët e Kuvendit, pasi Kushtetuta i ka rregulluar fushëveprimet e secilit institucion. Ajo që mund ta bëjë vetë presidenti është që të kërkoj vet të raportoj apo ta njoftoj Kuvendin e Kosovës, por një gjë të tillë presidenti Thaçi asnjëherë nuk do ta bëjë”, thotë ai.

Haziri mendon se rruga e konferencave që ka zgjedhur Thaçi, është vetëm një manipulim me opinionin dhe se, në çdo konferencë ai vetëm sa po hedh mjegull në këtë temë.

“Ato që shohim në kohën e fundit, pra veprimet e presidentit qoftë me konferenca shtypi apo më paraqitje të tjera, po mundohet ta manipuloj opinionin sa i përket ideve të tij të shkëmbimit të territoreve me Serbinë, si një opsion për zgjedhjen e mosmarrëveshjeve në relacionin Kosovë -Serbi. Edhe në këto paraqitje, Thaçi nuk është i qartë dhe është i pa artikuluar edhe për vetë opsionet e lansuara nga vet ai pasi krejt çfarë bënë më shumë krijon mjegullina dhe hap shumë të pa njohura se sa që qartëson diçka për opinionin. Dhe duke parë se konferencat e shtypit nuk po i bëjnë punë, sidomos edhe kundërshtimi i opozitës në kuvendin e Kosovës, për ti shtyrë tutje planet e tij për ndarjen e Kosovës, ai zgjodhi ti drejtohet Gjykatës Kushtetuese për interpretimin e nenit 18 të Kushtetutës së Kosovës, që tregon për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, dhe bazuar në përbërjen e kësaj gjykate dhe ndikimin politik në të, Thaçi po tenton anashkalimin e Kuvendit të Kosovës në rast të arritjes së marrëveshjeve eventuale me Serbinë, e që këto marrëveshje ti nënshkruaj vetëm ai si president. Për më tepër kjo është një ambicie e tij për të qenë një diktator që i ngjan idolit të tij, diktatorit turk Erdogan, duke e shndërruar në mënyrë puçiste Kosovën nga një republikë parlamentare në atë presidenciale”, ka thënë Haziri për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat