Milaim Zeka arrestohet, Shkumbin Demalijaj i lirë, të dytë kërcënuan me kanun!

Politika

Milaim Zeka arrestohet, Shkumbin Demalijaj i lirë, të dytë kërcënuan me kanun!

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 27 shtator 2018 Në ora: 11:58
Shkumbin Demalijaj dhe Milaim Zeka

Të mërkurën, Policia e Kosovës, e ka arrestuar deputetin e Nismas Socialdemokrate Milaim Zekën.

Deputeti Zeka, është arrestuar me urdhër të prokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Arrestimi i Zekës ka ndodhur, pasi ndaj tij Prokuroria Themelore në Prishtinë ka lëshuar urdhër për arrestim, për shkak të dyshimeve se ai e ka kërcënuar prokurorin special, Afrim Shefkiu.

48 ndalim për Zekën

Zëdhënësi i Prokurorisë Hekrem Lutfiu, ka thënë se pas intervistimit Zekës i është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orëve.

Gazmend Halilaj, avokati i deputetit Zeka ka vlerësuar se vendimi për caktimin e ndalesës prej 48 orëve për klientin e tij është i pabazuar.

Image
Gazmend Halilaj

Halilaj ka thënë se deputeti i arrestuar nuk ka pasur ndonjë synim për ta kërcënuar prokurorin Shefkiu, por nuk e ka formuluar mirë fjalinë.

Sipas avokatit, Zeka ka dashur të thotë se do ta padisë prokurorin e rastit që ka ngritur aktakuzë për manipulimet me viza.

“Vendimi është komplet i pabazuar në dispozita ligjore dhe gjendjen faktike. Në bazë të nenit për kanosjen ajo duhet të jetë kundër jetës dhe trupit dhe serioze në mënyrë që duhet ta bind të dëmtuarin që do t’i ndodhë një e keqe. Në këtë rast këto nuk kanë ndodhur”, tha fillimisht Halilaj.

“Tutje Zeka kur ka thënë do ta ndjek privatisht ka aluduar se do ta padis, por pasi nuk është profesionist i të folmes së mirë nuk është njohës i kësaj teme, nuk ka mundur ta formulojë mirë fjalinë”, deklaroi avokati i Milaim Zekës.

Sipas Halilajt, vendimi i Prokurorisë është i gabuar, pasi masa e ndalimit është masë e fundit për raste të tilla.

Ai është shprehur i bindur se Gjykata do ta lë të lirë deputetin e Nismës.

“Kjo masë jepet vetëm si masë e fundit, dhe në këtë rast është aplikuar si e para. Besoj që gjykata do ta refuzojë këtë vendim dhe ai do të lejohet i lirë”, ka përfunduar avokati i Milaim Zekës.

Image
Rexhep Maqedonci

Deklarata e Prokurorit

Kurse, prokurori i Themelores në Prishtinë, Rexhep Maqedonci, ka thënë se arrestimi i Zekës lidhet direkt me kanosjen ndaj prokurorit special, Afrim Shefkiu.

Madje, Maqedonci ironizoi duke thënë se i janë “frikësuar” Milaim Zekës se s’është gjallë ‘pleqnari i moçëm’, Xhemail Abria.

“Kemi pas frik mos pe merr Kanunin në dorë, me marrë në dorë, na bën kahre. Xhemal Abria ka vdek, tash s’ka kush na merr vesh me të. E për këtë e kemi arrestuar me ja ndal turrin”, është shprehur prokurori.

Ish-gazetari Milaim Zeka, të hënën në mbrëmje një emision televiziv kishte deklaruar se prokurorin Shefkiu do ta ndjek me gjyq, me kanun, por edhe privatisht.

“Ma përpara ia kisha falë nëse ma kish vra njërin prej fëmijëve në afekt sesa kështu me ia shkatërru njerëzve ëndrrat. Mua më kanë poshtëruar. Unë do ta ndjek këtë prokurorin me gjyq, me kanun e edhe privatisht. Nuk ia fali kurrë poshtërimin. Se njerëzit tash thonë për mua: Kqyre ky hajni i vizave”, ka thënë deputeti Zeka.

Demaliaj kishte kërcënuar Blakajn me kanun, por nuk u arrestua

Mirëpo, përveç Milaim Zekës, është edhe deputeti i AAK-së dhe ish anëtari i Komisionit Qeveritar për Verifikimin e Listave të Veteranëve të UÇK-së, Shkumbin Demaliaj, i cili ka kërcënuar ish-prokurorin Elez Blakaj me kanun.

Demaliaj, është njëri nga të akuzuarit nga Prokuroria për fryrje të listave të veteranëve.

Ai në një paraqitje mediale ditë më parë e ka ofenduar prokurorin Elez Blakaj, duke e quajtur hajn, idiot, rrugaç, i biri i kudrës.

“Ofendimi i familjes sime është bërë nga një kriminel që është zgjedhur nga Prokuroria Speciale. Ai është një dezertor, hajn, idiot, rrugaç. Ai nëse babën tim e ka akuzua, babën e vet e ka kudër. Ai është biri kudrës, biri babës vet”, ka thënë Demaliaj.

Demaliaj të njëjtat deklarata i ka mbrojtur edhe më vonë duke thënë se nuk është pishman për fyerjet ndaj prokurorit, dhe e kërkon kthimin e Blakajt në Kosovë për zgjidhur hesapet më të privatisht.

“Jo unë nuk i bie pishman asnjëherë për fjalët që i them. Kam thënë atëherë do të them edhe tash. Nëse shteti nuk merret me Blakajn, unë personalisht do të merrem me të”, ka thënë Demaliaj.

Por, zëvendës kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Ibrahim Berisha, ka thënë për “Betimi për Drejtësi” se nuk bëhet fjalë për standarde të dyfishta.

Megjithëse, e ka vlerësuar si shumë serioz kërcënimin e deputetit Demaliaj ndaj Blakajt, Berisha ka thënë se nuk është vepruar njësoj për shkak të distancës së ish-prokurorit, pasi që ai ndodhet në Amerikë.

Kurse, ka shtuar se nuk mund të thotë nëse do të veprohet njëjtë sikur me deputetin Zeka edhe me kolegun e tij, Demalijaj.

“Jemi në konsultime për të gjitha rastet, e edhe për këtë rast (kërcënimin ndaj Elez Blakaj). Mirëpo rasti ndaj Elez Blakaj ka qenë në një distancë më të largët. Kjo ka mundur të kryhet këtu, ndërsa ajo ndaj Elez Blakaj ka punë me shku deri në Amerikë. Është shumë serioz edhe kërcënimi ndaj Elez Blakaj. Jena duke biseduar për këtë rast. Nuk mund të them se a do të arrestohet apo jo deputeti Shkumbin Demaliaj. Do shohim”, ka përfunduar prokurori Berisha.

Haradinaj kishte ofenduar Blakajn

Përveç deputetit Demalijaj, edhe shefi i tij i partisë, kryeministri Ramush Haradinaj, kishte përdorur gjuhë të ashpër ndaj ish-prokurorit Blakaj.

“Profiter, rrencë, pishpirik dhe hajn i pulave” ishin disa prej fjalëve që kreu i Qeverisë, Ramush Haradinaj, i kishte thënë në raport me ish-prokurorin Blakaj.

“Çdokush po flet çka po do. Nuk është ashtu. Veteranit të vërtetë s’ia humb vlerën askush. As edhe një profiter aty. Ligji le ta çojë në burg. Por të themi se në Dukagjin ka pas shumë, atëherë ku ke qenë ti që po i ofendon këta njerëz? Hajn i pulave! Hajn i pulave është ai që flet kështu” kishte thënë Haradinaj.

“Ku është ai? Ka shkuar në Amerikë në magjistraturë. Është dashur të shkojë në gjykatë e t’ia vë firmën. Rrenë është puna e kërcënimeve sepse po të ishte ashtu, as Azem Syla, as Sylejman Selimi, as Sami Lushtaku, as Daut Haradinaj s’kishin me hi në burg qe dhjetë vjet. Kjo është rrenë. S’ka pas kurrfarë kërcënimi. Kur kanë gjetur vepra kriminale, kanë përfunduar njerëzit në burg. Edhe mua po t’ma jepnin një magjistraturë, shkoj sot në Amerikë. Të gjithë prokurorëve edhe gjyqtarëve e kujt t’i thuash e keni një program master në Amerikë, krejt shkojnë” kishte shtuar Haradinaj.

Sipas Haradinajt, prokurori i dorëhequr Blakaj, që kishte ngritur aktakuzë për fryrje të listave të veteranëve, është “hajn i pulave dhe pishpirik”.

Deputeti tjetër nga radhët e AAK-së, Ahmet Isufi, kishte thënë se listat e publikuara të veteranëve mashtrues nga ana e prokurorit Elez Blakaj ngjasojnë me listat e përpiluara nga UDB-ja e regjimit të Millosheviqit.

Të gjitha këto kërcënime ndaj ish-prokurorit Blakaj kanë mbetur të pa trajtuara, ndërsa në raport me kërcënimet ndaj prokurorit Afrim Shefkiu, policia ka reaguar një ditë më vonë, duke arrestuar deputetin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Milaim Zeka.

Reagimi i KPK-së

KPK-ja me rastin e dorëheqjes së ish-prokurorit të PSRK-së, Elez Blakaj, diskutimet publike i kishte cilësuar si tendencë për devalvimin e punës së këtij këshilli dhe Prokurorisë së Shtetit, duke mos përmendur as edhe një fjali të vetme për ish-prokurorin Blakaj.

“Tendenca për të njollosur punën e Këshillit Prokurorial dhe organeve të tij, si dhe përpjekjet për ta devalvuar punën e Prokurorit të Shtetit nga kushdo qoftë, përfshirë edhe grupe politike janë të papranueshme dhe i cilësojmë si ndërhyrje në punën tonë dhe cenim të pavarësisë së garantuar me Kushtetutë dhe ligj. Sigurojmë opinion publik se Këshilli ka krijuar infrastrukturë dhe resurse të nevojshme për punë të mirëfilltë të prokurorëve në zbatim të mandatit të tyre në luftën e pakompromis kundër krimit të gjitha formave. Gjithashtu, Këshilli nuk do të lejojë asnjë lloj kompromisi, nga askush dhe për asnjë rast, për asnjë prokuror, pavarësisht pozitës së tij në sistemin prokurorial, në rast të shkeljeve dhe dështimit për ta kryer punën siç kërkohet me ligj”, thuhej në reagimin e KPK-së të bërë me 22 gusht të këtij viti.

Ndërsa, i një natyre krejt tjetër ishte reagimi i KPK-së me rastin e kërcënimeve ndaj prokurorit Afrim Shefkiu, ku kishte reaguar edhe nëpërmjet një komunikate për media.

“Këshilli Prokurorial i Kosovës dënon ashpër deklarimet publike dhe kërcënimet, të cilat kohëve të fundit janë drejtuar ndaj prokurorëve të shtetit, në veçanti, dënon sot deklarimin kërcënues të deputetit Milaim Zeka ndaj prokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, z. Afrim Shefkiu” thuhet në komunikatën e djeshme të KPK-së.

Megjithatë, Prokuroria ka zgjedhur që për deklarata të njëjta të arrestohet vetëm deputeti Milaim Zeka, kurse deputeti i partisë së kryeministrit është në liri.

Më këtë, dëshmohet qartë se sistemi i drejtësisë në Kosovë është i kapur nda politikanët, qeveritarët, pasi që, për një vepër të njëjtë penale, arrestohet dhe burgoset vetëm ai apo ata që janë individ të zakonshëm dhe pa përkrahje të politikës. E kësi raste tashmë në Kosovë kemi me qindra të tilla.

Image
Naser Rugova

Rugova: Kapja e shtetit vetëm se është sforcuar vitin e fundit

Deputeti i LDK-së, në Kuvendin e Kosovës, Naser Rugova thotë se, kapja e shtetit është sforcuar vitin e fundit, ndërsa koalicionin qeverisës e quan me logjikë mesjetar dhe kanunor.

“Fatkeqësisht ky koalicion qeverisës ka logjikë mesjetare, veprime provinciale, arrogancë kanunore dhe që nuk përfillë asnjë normë ligjore dhe cenon rendë pavarësinë e gjyqësorit. Kapja e shtetit vetëm se është sforcuar vitin e fundit, rastet e fundit të deklaratave të njerëzve të zgjedhur janë apeli i fundit që të angazhohemi të gjithë për një shtet ligjor ku të gjithë janë të barabartë para ligjit”, thotë deputeti Rugova për gazetën “Bota sot”.

Opinionisti dhe analisti politik Faik Krasniqi, thekson se, arrestimi dhe ngritja e aktakuzave në mënyrë spektakulare, për deputetët dhe aktivistët e opozitës, veçanërisht atyre të Vetëvendosjes, bëhej me qëllim për të persekutuar komplet opozitën dhe në njëfarë mënyre opozita të shpallet si forcë politike ekstremiste, por të cilët mund të ndiqen edhe për shkak të agjendave të kujtdo që i konvenon në sistemin prokurorial të ndikuar nga pushteti.

Image
Faik Krasniqi

“Kurse në anën tjetër kemi me dhjetëra politikanë të korruptuar që shëtisin lirshëm, kryejnë funksione shtetërore pa i penguar askush nga gjykatat dhe prokuroritë, madje disa prej tyre edhe janë në arrati, por ndiqen dhe arrestohen ata të opozitës, sikur të ishin kriminel ose e keqja më e madhe e Kosovës:, thotë Krasniqi për gazetën “Bota sot”.

Krasniqi: Drejtësia në Kosovë është selektive

Ai tregon se, kemi nga ata edhe që kërcënojnë me jetë dhe kanun edhe prokurorët e shtetit, por që nuk merret asnjë masë kundër tyre.

“Kjo tregon se në Kosovë kemi drejtësi selektive dhe drejtësia tek ne përdoret sipas interesave të pushteteve, që për dikë është nënë e për dikë është njerkë. Demokracia dhe shteti nuk ndërtohen duke përdorur drejtësinë si mekanizëm për të shtypur popullin dhe një pjesë të opozitës. Për të parandaluar këtë metodë diktatoriale të këtij pushteti, BE-ja mund të japë një kontribut të madh në këtë aspekt, duke e kërcënuar me izolim këtë pushtet, sepse me këto metoda Kosova po rrezikon të rrëshqet drejt një diktature, pasi kriminelët e politikës dhe parapolitikës po amnistohen dhe në vend të tyre çmimin po e paguajnë qytetarët e thjeshtë”, përfundon Faik Krasniqi.

Deputeti i Nismës Socialdemokrate, Milaim Zeka po e akuzohet nga shteti për mashtrim, pastrim parash dhe shmangie nga tatimi. Prokuroria ka dorëzuar në Gjykatë një aktakuzë prej 58 faqesh. Ka renditur emrat e të gjitha viktimave të mashtrimit. Ka propozuar fiks 907 dëshmitar kundër tij. Zeka akuzohet se me anë të mashtrimit përfitoi 345 mijë e 700 euro së bashku me Ilir Krasniqin. 145 mijë euro akuzohet se i ka pastruar në bashkëpunim me biznesmenin, Edmond Kërliu. Akuzohet po ashtu se shtetit nuk ia ka paguar 141 mijë e 173 euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat