Abdixhiku: Deklarata e Pacollit është dëm nacional, ofendoi viktimat e gjenocidit serb

Politika

Abdixhiku: Deklarata e Pacollit është dëm nacional, ofendoi viktimat e gjenocidit serb

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 28 shtator 2018 Në ora: 07:42
"Dikur kemi jetuar baskë dhe unë po e shoh tendencën se ata duan të jetojnë bashkë. Ne. në vend se të ndërtojmë kufij, duhet t’i eliminojmë kufijtë dhe t’i lëmë njerëzit të lëvizin lirshëm", ka thënë Pacolli

“Çfarë trishtimi: - 13,000 të vrarë; - 1,700 të zhdukur; - 200 varreza masive; - 20,000 gra të dhunuara; - 1 milionë qytetarë të dëbuar; - 20 miliardë dëme ekonomike; Dhe 1 ministër i jashtëm Kosove që me mburrje thotë se “me serbët s’kemi pasur probleme kurrë”. Kjo s’është më veçse naivitet. Është përulje; është inferioritet. Është dëm nacional. Është krejt e kundërta që një diplomat duhet të bëjë. Pa fjalë. Ktheni këta të paditur prapa në Kosovë se na morën në qafë nëpër botë. Së paku naivitetin e tyre e mbajmë veç këtu”, ka shkruar deputeti Lumir Abdixhiku në profilin e tij në Facebook.

Ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk duhet të ketë kufij. Kështu deklaroi të mërkurën ministri i Jashtëm i Kosovës Behgjet Pacolli.

"Dikur kemi jetuar baskë dhe unë po e shoh tendencën se ata duan të jetojnë bashkë. Ne. në vend se të ndërtojmë kufij, duhet t’i eliminojmë kufijtë dhe t’i lëmë njerëzit të lëvizin lirshëm", ka thënë Pacolli 

Ai ka shfaqur bindjen se zgjidhja është diku tjetër, “ndaj ne duhet ta hedhim topin në fushën ekonomike ".

"Atje është zgjidhja – bashkëpunimi ekonomik, më shumë vende pune, më shumë rritje ekonomike, jetë më të mirë të popullatës, shkollim më cilësor dhe më shumë prodhime në tryezë. Kjo do të duhej të ishte zgjidhja, nëse ka vullnet nga ana jugore e veriore, kjo mund të arrihet", ka theksuar Pacolli.

Image
Lumir Abdigjiku

Abdixhiku: Deklarata e Pacollit është dëm nacional

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku e ka quajtur trishtuese deklaratën e ministrit Behgjet Pacolli. Ai ka thënë se, deklarata e Pacollit nuk përkon me sjelljen e një diplomati.

“Çfarë trishtimi: - 13,000 të vrarë; - 1,700 të zhdukur; - 200 varreza masive; - 20,000 gra të dhunuara; - 1 milionë qytetarë të dëbuar;

- 20 miliardë dëme ekonomike; Dhe 1 ministër i jashtëm Kosove që me mburrje thotë se “me serbët s’kemi pasur probleme kurrë”. Kjo s’është më veçse naivitet. Është përulje; është inferioritet. Është dëm nacional. Është krejt e kundërta që një diplomat duhet të bëjë. Pa fjalë. Ktheni këta të paditur prapa në Kosovë se na morën në qafë nëpër botë. Së paku naivitetin e tyre e mbajmë veç këtu”, ka shkruar Abdixhiku në profilin e tij në Facebook.

Image
Haki Abazi

Abazi: Pacolli i ka bërë dëm Kosovës qe 15 vite

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike, Haki Abazi, duke folur për deklaratën e Pacollit, ka thënë për gazetën “Bota sot” se ai nuk ka të bëjë me politikën dhe fatin e Kosovës.

“Deklaratat e Behgjet Pacollit nuk janë gjë e re. Ai është një njeri i njohur që nuk ka të bëjë asgjë me politikën dhe fatin e Kosovës. Ai është një përfitues klasik dhe një manipulues me fatin dhe varfërinë e Kosovës dhe popullit të saj. Ai ka përdorur pasurinë e tij të dyshimtë për të bërë një parti që besoi i ka shkaktuar shumë kokëçarje politikës dhe shoqërisë kosovare”, është shprehur ai.

Sipas Abazit, në kohën e Ibrahim Rugovës ai nuk ka mundur të lajmërohet në politikën e Kosovës.

“Nuk ka qenë e rastësishme që Pacolli në kohën e Ibrahim Rugovës as që ka mundur të lajmërohet në politikën kosovare. Ai është dëmtues së bashku me disa parti tjera satelite dhe institucione që i mbanë gjallë me paratë e tij. Por që 15 vite në fakt çka bërë për Kosovën është dëm i madh. Ky njeri me paranë e tij i kanë dëmtuar seriozitetin e vendit dhe interesin kombit tonë”, ka theksuar ai.

Andaj, Abazi vlerëson se Pacolli duhet të largohet nga politika, duke shtuar se qëndrimet e tij janë vetëm të tij dhe jo të shtetit e të qytetarëve të Kosovës.

“Pacolli duhet njëherë e përgjithmonë të largohet nga politika që të mos i lejohet që nëpërmjet politikës të bëjë pazare për pasurinë marramendëse të tij dhe familjarëve të tij. Qëndrimet e tij për Serbinë janë vetëm të tij dhe askujt tjetër, ato nuk janë as politika e as qëndrime të shtetit e as qytetarëve të Kosovës”, ka deklaruar Haki Abazi për gazetën “Bota sot”.

Image
Rexhep Shahu

Shahu: Pacolli mund të ketë qenë i dehur

Në anën tjetër, njohësi i çështjeve politike, Rexhep Shahu, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se nëse e mendon si një shtet të  vetëm, atëherë nuk duhet të ketë kufij, por nëse duhet që Kosova si shtet i vetëm që u bë shtet me ndihmën e NATO-s dhe SHBA-së, atëherë sipas tij Pacolli mund të ketë qenë i dehur.

“Nëse Behgjeti e bën një shtet Kosovën e Serbinë, nuk ka pse të ketë kufij, por nëse bëhet fjalë që Kosova me luftë u bë shtet me vete me ndihmën e NATO-s e Amerikës dhe ka kufij historik e aktual, atëherë Behgjetin duhet ta lëshojë rakia se ndoshta ka qenë i pirë. Nëse mendon se Kosova e Serbia të kenë komunikim si Franca e Gjermania, edhe ato kanë kufij shtetesh por kanë lëvizje të lirë”, është shprehur ai.

Sipas Shahut, kushdo që mendon të mos ketë kufij, ata duhet të gjejnë një varrezë të përbashkët për shqiptarë e serbë, por jo afër kufirit ku janë vrarë shumë njerëz, derisa shton se askush nuk bëhet politikan evropian duke mos e dashur vendin.

 “Nëse Behgjeti apo filozofët e rinj të Ballkanisë së vjetër mendojnë të mos ketë kufij, le të gjejnë një varrezë të madhe të përbashkët për shqiptarë e serbë, por jo afër kufirit ku janë vrarë mijëra njerëz e ato ngjajnë si piramida kufiri. Nuk bëhet politikan evropian as euroatlantikas, as amerikan askush duke e dashur më pak vendin dhe duke fajësuar vendin tonë”, ka deklaruar Rexhep Shahu për Bota sot.

Image
Fadil Kajtazi

Kajtazi: Nga viti 1845, e deri tani, shteti serb, ka hartuar tre elaborate për zhdukjen e shqiptarë

Kurse, eksperti i sigurisë, Fadil Kajtazi, duke komentuar këtë deklaratë, ka thënë se ajo nuk përkon me realitetin dhe dinjitetin e një ministri, që duhet ta mbrojë vendin e tij, derisa Serbia ka vrarë, dhunuar dhe ka shkaktuar dëme materiale në Kosovë.

“Deklarata e Ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës Behxhet Pacolli se "me serbët nuk kemi pasur kurrë probleme, kemi jetuar gjithmonë me ta", nuk përkon me realitetin, nuk përkon me dinjitetin e një ministri i cili duhet t'i mbrojë interesat e vendit në raport me një shtet armiqësor, i cili para njëzet viteve ka vrarë në mënyrë sistematike, në shumicë me torturë 11 mijë shtetas, që Pacolli i përfaqëson në marrëdhëniet ndërkombëtare, ka dhunuar 20 mijë gra, i mbanë të fshehur rreth 1600 persona, dhe ka shkaktuar dëme materiale rreth 22 miliard euro. 
Në raportet shqiptaro-serbe, çështja është se serbët kanë probleme me shqiptarët. Nga viti 1845, e deri tani, shteti serb, ka hartuar tre elaborate për zhdukjen e shqiptarëve dhe se paku këtë ka provuar ta bëjë katër herë”, ka shkruar ai në Facebook.

Vegla të serbëve?

Kajtazi ka shtuar se, Thaçi e Pacolli ose janë budallenj ose janë vegla të serbëve, që nuk e kuptojnë se Serbia nuk ka hequr dorë nga planet për zhdukjen e shqiptarëve.

“Thaçi dhe Pacolli ose janë budallenj (ahmak) ose vegla të serbëve për të kuptuar se Serbia nuk ka hequr dorë nga planet për zhdukjen e shqiptarëve. Kjo vërtetohet nga servilizmi i tyre në raport me zyrtarët serb, armiq të shqiptarëve. Edhe pse Thaçi dhe Pacolli së bashku me familjet e tyre nuk kanë pësuar në rrafshin personal as gjë nga shteti serb, pozitat i kanë fituar nga viktimizimi i shqiptarëve, dhe rrjedhimisht duhet të jenë viktima të gjenocidit serb; së paku për pozitën që mbajnë, ashtu duhet të ndihen. "I urrej viktimat që respektojnë ekzekutorët" ( J. P. Sarter)”, ka shkruar Kajtazi.

E i zhgënjyer me delegacionin e MPJ-së së Kosovës në SHBA është shprehur zëvendësministri i kësaj ministrie, Anton Berisha, i cili ka thënë se po e përjeton rëndë gjithë këtë, pasi delegacioni ka dalë jashtë kontrollit, me veprime pa sens politik, pa takt diplomatik, e pakoordinuar deri në sjellje komike e situata skandaloze.

“Punimet në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, në Neë York, janë një mundësi që shtetet të bëjnë prezantimin e tyre. Është evidente, për fatin tonë të keq, që delegacioni i ministrisë së jashtme, ka dalë jashtë kontrollit, me veprime pa sens politik, pa takt diplomatik, e pakoordinuar deri në sjellje komike e situata skandaloze. Natyrshëm, që nga pozita e zëvendësministrit e ambasadorit të MPJ-së, jam duke e përjetuar rëndë këtë nivel të ulët prezantues që ulë dinjitetin e kulturës institucionale e qytetare”, ka shkruar ai në Facebook.

Reagon edhe vartësi i Pacollit

Berisha ka thënë se në kuadër të MPJ-së ka edhe diplomatë dhe njohës të normave, por që janë injoruar profesionistët dhe delegacioni është përbërë nga amatorë, duke rezultuar me një paraqitje të gabuar dhe me pasoja për shtetin.

“MPJ në kuadër të vet ka diplomatë të mirë dhe njohës të normave, detyrë e të cilëve është për t’i shërbyer qeverive pavarësisht përkatësisë politike dhe ata si resurs shtetëror, janë në dispozicion të çdo kabineti ministror. Mos konsultimi brenda ministrisë së jashtme, injorimi total i diplomatëve profesionistë dhe përbërja e delegacionit me amatorë ka rezultuar me një paraqitje të tillë të gabuar me pasoja për shtetin që nuk guxon të përsëritet. Askush, nuk ka mandat që në një ngjarje të një niveli me aq peshë të dëmtojë aq rëndë shtetin e Kosovës”, ka deklaruar Anton Berisha.

Ndryshe, këshilltari i Ministrit Begjet Pacolli, Jetlir Zyberaj, nuk është përgjigjur në pyetjen e gazetës lidhur me këtë çështje. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat