Profesori ndërkombëtar jep alarmin për skenarin që e kthen Serbinë deri në Brezovicë, tregon tre politikanët që nuk u zihet besë

Politika

Profesori ndërkombëtar jep alarmin për skenarin që e kthen Serbinë deri në Brezovicë, tregon tre politikanët që nuk u zihet besë

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 28 shtator 2018 Në ora: 09:49
Foto ilustrim nga "Bota sot"

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, kohë më parë pothuajse çdo ditë mbante konferenca për media në të cilat ai fliste për atë, siç e quan ai “korrigjimin e kufirit” mes Kosovës dhe Serbisë.

Por, tashmë që disa javë këto konferenca i ka ndalur presidenti Thaçi. Por, a nënkupton kjo që Thaçi ka heqë dorë nga ideja e tij për ndryshmin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë?

Lidhur me këtë, gazeta “Bota sot”, ka folur me profesorin ndërkombëtar, doktor Enver Bytyçi.

“Në kushtet kur Kosova dhe sidomos presidenti i saj kanë mbjell protagonizëm dhe përçarje në të gjitha sferat e jetës, sidomos në institucione, askush nga aktorët ndërkombëtarë nuk do të ishte entuziast për lidership të suksesshëm që udhëheq proceset në Prishtinë. Në këto kushte është rritur skepticizmi i ndërkombëtarëve, edhe i atyre që janë pro ndarjes së Kosovës, se ky proces mund të jetë i suksesshëm. Mossuksesi përkthehet në destabilizim dhe konflikt. Atëherë, ndërkombëtarët mesa duket i kanë dhënë shenja të qarta Kosovës dhe Serbisë se duhet heq dorë nga planet Vuçiq-Thaçi për ndryshimin e kufijve dhe ndarjen e Kosovës”, thotë Bytyçi.

Sipas tij, Thaçi dhe Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli me veprimet e tyre së fundi në OKB, dëshmuan që lidrshipi i Kosovës nuk ka aftësinë dhe autoritetin e duhur për të menaxhuar ndonjë situatë kritike në vend.

Sipas Bytyçit, në korridoret e OKB-së më së paku është biseduar për opsionin e ndarjes apo korrigjimit të  kufirit mes Kosovës dhe Serbisë.

Image
Profesori ndërkombëtar, doktor Enver Bytyçi.

“Me vizitën e zotit Thaçi në SHBA, ai vetë si dhe Ministri i Jashtëm i dëshmuan autoriteteve në Amerikën e Madhe dhe në OKB se lidrshipi i Kosovës nuk ka aftësinë dhe prestigjin e autoritetin e duhur për të menaxhuar ndonjë situatë kritike në vend. Vrapi i turrshëm pas fotove dhe protagonizmit ishte shenjë e një situate dramatike në çështjet e udhëheqjes dhe menaxhimit të zhvillimeve. Më së paku u fol për këtë opsion në korridoret dhe zyrat e OKB-së. Kjo sepse shumica e popullit shqiptar, shumica dërmuese e politikanëve në Prishtinë, në Tiranë e në të gjitha vendet e rajonit, përveç Serbisë, janë shprehur qartë dhe fort kundër projektit të çmendur të Hashim Thaçit e të presidentit të Serbisë. Nuk mundet që bota të përkrahë një proces që çon në konflikt të brendshëm, i cili automatikisht shndërrohet në konflikt rajonal dhe krijon precedentin për konflikt kontinental e ndoshta më tej se kjo”, shprehet Bytyçi.

Më tej profesori ndërkombëtar, Enver Bytyçi, thotë se nuk mund t’i zihet besë Thaçit, Ramës dhe Vuçiqit.

“Duke analizuar këtë situatë edhe unë besoj se po shkohet drejt heqjes dorë nga planet për ndarjen e Kosovës. Por është ende herët. Thaçit, Vuçiqit dhe Ramës nuk u zihet besë. Në momentin që krijohet ideja se nuk do flitet më për ndarjen e Kosovës, në atë moment ata merren vesh dhe dy presidentët e çmendur hedhin firmën në marrëveshje. Në fund të fundit Johannes Hahn e ka pohuar se kjo marrëveshje është tashmë e gatshme, madje me 35 faqe. Askush nuk duhet të flejë i qetë se rreziku Thaçi-Vuçiq për Kosovën është kapërcyer. Këta të dy përbëjnë jo vetëm rrezik serioz për integritetin territorial të vendit, por edhe për përshkallëzimin e konflikteve zingjir në rajon e më gjerë”, deklaron ai.

Bytyçi, thekson se duhet pasur shumë kujdes nga skenari që e kthen Serbinë në Kosovë në kuptimin politik dhe destruktiv.

“Nëse duhet besuar se ideja e ndarjes po shuhet, atëherë do të duhet të reagohet fort ndaj ndonjë marrëveshje tjetër që krijon kushte të favorshme për një ndarje të mëvonshme në favor të Serbisë. Psh një asociacion me kompetenca ekzekutive i komunave serbe. Apo me kompetenca bllokuese të proceseve në Kosovë. Duhet patur kujdes nga modeli i ekstraterritorialitetit, skemë e cila e kthen Serbinë në Kosovë në kuptimin politik dhe destruktiv jo vetëm në veri të vendit, por edhe në enklavat serbë në jug të vendit, deri në Brezovicë”, ka thënë Bytyçi për gazetën “Bota sot”.

Për fund, Bytyçi deklaron se Kuvendi i Kosovës duhet ta hartojë një platformë të qartë për bisedimet me Serbinë.

“Prandaj unë besoj se Kuvendi i Kosovës duhet të hartojë jo vetëm një platformë të qartë e me ide të sakta, por duhet të ngrejë një grup negociatorësh të zotë, të aftë, të përgjegjshëm, të kualifikuar, si dhe të angazhojë ekspertë të mirëfilltë për të përballuar një dialog me argument imponues me Serbinë. Kjo nuk mund të ndodhë e të bëhet me frymë bajraktariste dhe individualiste, me frymë protagonizmi dhe me sjellje injorantësh siç ndodhi me disa anëtarë të delegacionit në OKB, kur autoritetet e saj u neveritën aq shumë sa u detyruan të deklarojnë se delegacioni i Kosovës ka hyrë nga dritarja në ambientet e OKB-së”!”, përfundon për gazetën “Bota sot”,  profesori ndërkombëtar, doktor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat