“Hajn i pulave e pishpirik, bir i kudrës e kanuni”, drejtësia “gjunjëzohet” përballë Ramush Haradinajt!

Politika

“Hajn i pulave e pishpirik, bir i kudrës e kanuni”, drejtësia “gjunjëzohet” përballë Ramush Haradinajt!

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 28 shtator 2018 Në ora: 16:59
Ramush Haradinaj

Dy deputetët e Kuvendit të Kosovës, Milaim Zeka dhe Shkumbin Demalija, janë arrestuar dhe dënuar me burg pasi që të dy kërcënuan dy prokurorë të ndryshëm në Kosovë.

Por kërcënime dhe akuza të rënda ndaj një prokuroi kishte drejtuar edhe kryeministri, Ramush Haradinaj.

Ramush Haradinaj, apo siç e quajnë në popull nganjëherë me shaka, “Rambo”, e kishte kërcënuar dhe akuzuar rëndë ish prokurorin e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Elez Blakaj, të cilin e kishte quajtur pishipirik e hajn të pulave.

Por, përballë kërcënimeve dhe akuzave të Haradinajt ndaj Blakaj, prokuroria u bë si e shurdhër duke mos ndërmarrë asnjë masë, për dallim nga rasti i Zekës dhe Demalijajt, ku që të dy u arrestuan.

Lidhur me këtë, analisti politik, Faton Mehmeti në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se si duket kryeministri ka imunitet karshi drejtësisë.

“Është vështirë të pretendosh se mund të arrestohet një kryeministër ose ministër në Kosovë, pavarësisht se çfarë veprimi bën, qofte edhe ai antiligjor dhe vepër penale. Nëse Haradinaj do të punonte për të ndërtuar një shtet ligjor dhe të drejtë, faktikisht në Kosovë sot do të kishim ministra në burg, mbase edhe vet kryeministrin aktual i cili me deklaratat e tija ka sulmuar hapur ish prokurorin Blakaj. Për këtë të fundit janë arrestuar edhe dy deputet, por jo edhe kryeministri i cili si duket ka imunitet karshi drejtësisë”, është shprehur Mehmeti.

Image
Faton Mehmeti

Më tej, sipas tij derisa koalicioni aktual është në pushtet nuk pritet të bëhen ndryshime dhe reforma në drejtësi.

“Kosova ka prodhuar një sistem të drejtësisë krejtësisht te politizuar, e të cilët me tepër janë marioneta të klaneve në pushtet. Prokurorët nuk emërohen nga merita por nga servilizmi, dhe si të tillë i shërbejnë edhe pushtetit. Derisa ky koalicion është në pushtet, nuk pritet që të bëhen reforma në drejtësi, e të cilat faktikisht do të mund të prodhojnë tamam drejtësi siç duhet”, përfundon Mehmeti për “Bota sot”.

Ndërsa, sipas analistit Nexhat Haziri, drejtësia është treguar selektive.

“Mendoj se ne rastet e kërcënimeve ndaj prokurorëve nga njerëzit e politikës, siç është rasti me deputetët Zeka dhe Demalijaj, të cilët edhe u arrestuan, drejtësia u tregua selektive për faktin siç e përmendeni edhe ju, kërcënimet dhe fyerjet publike që ia bëri kryeministri Ramush Haradinaj ish prokurorit Elez Blakaj, që për mendimin tim është dashur që edhe kryeministri Haradinaj të përballej me organet e drejtësisë”, është shprehur Haziri.

Më tej,  ai thotë se kjo tregon gjendjen e rëndë të drejtësisë në Kosovë, që sipas tij është e kapur nga politika.

Image
Nexhat Haziri

“Ky rast, jo i vetëm, kur drejtësia tregohet e pafuqishme për tu përballë edhe me njerëzit e fuqishëm të politikës kurë këta bëjnë veprime antiligjore, tregon më së miri gjendjen e institucioneve të drejtësisë në Kosovë, se sa janë të kapura nga politika dhe parapolitika. E thash se ky nuk është rast i vetëm kurë nga përgjegjësia ligjore kursen njerëzit e fuqishëm të politikës siç është rasti me kryeministrin Haradinaj, pasi edhe në rastin që është procesuar nga prokuroria shtetit lidhur me aferën “PRONTO”, serish kemi një drejtësi selektive, ku në aktakuzën e prokurorit nuk janë përfshirë akterët kryesor të aferës “PRONTO” siç është presidenti Thaçi dhe kryeparlamentari Veseli”.

“Pra këto janë institucionet tona të drejtësisë, dhe se këto raste dhe shumë të tjera duhet të jenë mësim për politikanët e tjerë se ata nuk janë Hashim Thaçi, Kadri Veseli apo Ramush Haradinaj, që të kërcënojnë dhe të bëjnë çfarë të duan e të mos përballën me drejtësinë”, përfundon për gazetën “Bota sot”,  analisti politik, Nexhat Haziri.

Ndërsa, kujtojmë deputeti i AAK-së, Shkumbin Demalijaj e kishte kërcënuar rëndë ish prokurorin Blakaj, të cilin e kishte quajtur edhe “bir i kudrës”.

“Ofendimi i familjes sime është bërë nga një kriminel që është zgjedhur nga Prokuroria Speciale. Ai është një dezertor, hajn, idiot, rrugaç. Ai nëse babën tim e ka akuzua, babën e vet e ka kudër. Ai është biri kudrës, biri babës vet”, kishte thënë Demaliaj, duke shtuar se do të merret privatisht me Elez Blakajn.

Ndërsa, Milaim Zeka e kishte kërcënuar një prokuror tjetër, për të cilin kishte thënë se do ta ndjek me ligj e me kanun.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat