Treshja Thaçi-Rama-Vuçiq, me skenar famëkeq për “Jugosllavi të re”

Politika

Treshja Thaçi-Rama-Vuçiq, me skenar famëkeq për “Jugosllavi të re”

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 29 shtator 2018 Në ora: 10:47
Hashim Thaçi, Aleksandar Vuçiq dhe Edi Rama

Kosova ky shtet yni, është në rrezikun më të madh pas shpalljes së pavarësisë. Idetë për korrigjim të kufijve, për shkëmbim të territoreve, për autonomi speciale për serbët, janë kanosje serioze ndaj asaj çfarë kemi ndërtuar këto dhjetë vite, nga deklarata e shpalljes së pavarësisë, aprovimi kushtetutës e vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Kështu është shprehur kreu i Lidhjes Demokratike, Isa Mustafa.

Madje, ai ka thënë se sa ishte kryeministër i Kosovës, ka pasur tentime dhe iniciativa për krijimin e një Jugosllavie të re, me Shqipërinë, por pa Kroacinë dhe Slloveninë. Mustafa thotë se në atë kohë e kishte kundërshtuar fuqishëm këtë ide.

“Idetë dhe iniciativat për ta dërmuar këtë vend, nuk janë të pakta. Sa isha kryeministër i Kosovës me pompozitet trumbetohej iniciativa për Unionin Ekonomik të Ballkanit Perëndimor. Një Jugosllavi e re, pa Kroacinë e Slloveninë, por me Shqipërinë. Sikurse edhe ideja për Unionin Doganor të Vendeve të Ballkanit Perëndimor. Unë i kam kundërshtuar fuqimisht në emër të Qeverisë së Kosovës dhe nuk kemi lejuar që Kosova të shkrihet në organizma të tillë që në substancë e dëmtonin shtetin tone”, ka shkruar Mustafa.

Një referim indirekt i kryetarit të LDK-së drejtuar Thaçit, pasi ky i fundit, gjithashtu ishte president në kohën sa Mustafa ishte shef i qeverisë së Kosovës.

Kjo ide shokuese po komentohet edhe më rënd se ideja e korrigjimit të kufijve, ndërsa, analistët e publicistët mendojnë se treshja Thaçi-Rama-Vuçiq, qëndrojnë mbrapa kësaj çështjeje.

Profesori ndërkombëtar, Enver Bytyçi ka thënë për “Bota sot” se, ideja për një Jugosllavi të re është rizgjuar tani, e para katër vitesh kjo ide ishte në rend dite.

Image
Enver Bytyçi

Ai mendon se Thaçi e kundërshtoi këtë ide të Ramës e Vuçiqit, për t’i marrë vetë meritat e autorit për këto projekte. Sipas tij, ka mundësi që edhe sherri për kufijtë dhe ndarjen e Kosovës të jetë sajuar me qëllim që palët, përfshirë dhe Tiranën zyrtare ta pranojnë krijimin e kësaj Jugosllavie të dikurshme me një hartë politike minus Slloveninë e Kroacinë, plus Shqipërinë.

“Duhet besuar se deklarata e zotit Mustafa është e bazuar në informacione të saktë të tij. Duke besuar këtë, mund të shkojmë te hipoteza se ideja e Jugosllavisë së re është rizgjuar, sepse kjo ide ishte në rend dite para katër vitesh, pas vizitës së parë të zotit Rama në Beograd. Zoti Rama u përpoq që idenë e kësaj Jugosllavie ta realizojë më protagonizëm të përbashkët me ish-kryeministrin e Serbisë, zotin Vuçiq. Por ai u tërhoq, sepse zoti Thaçi e kundërshtoi ashpër këtë lloj protagonizmi midis Beogradit dhe Tiranës. Tani shohim dhe mund të jetë kësisoj, se zoti Thaçi është konfliktuar aso kohe me protagonizmin e dy kryeministrave, sepse ka ëndërruar që ai vetë të jetë autori kryesor i projekteve serbe në Ballkan. Ka mundësi që edhe sherri për kufijtë dhe ndarjen e Kosovës të jetë sajuar me qëllim që palët, përfshirë dhe Tiranën zyrtare ta pranojnë krijimin e kësaj Jugosllavie të dikurshme me një hartë politike minus Slloveninë e Kroacinë, plus Shqipërinë. Gjithçka mund të ndodhë në situate që kalojmë”, është shprehur ai.

Rreziqet

Bytyçi tregon se cilat do të ishin rreziqet nga kjo ide, duke theksuar se ndikimi rus në këtë rajon do të shtohej në përmasa të mëdha.

“Por një Jugosllavi e re e proklamuar me aq bujë në Tiranë e Beograd do të ishte e rrezikshme për interesat e kombit shqiptar, po aq sa edhe ndarja e Kosovës. Jugosllavia e re do të bëhej një vend shumëkombësh në të cilin kombi serb do të ruante hegjemoninë e vet dhe pas pak dekadash do të përsëritej periudha e Milosheviçit. Kjo sepse në një shtet të tillë influence ruse do të ishte më e fuqishme dhe shumë prezentë e për pasojë rivaliteti Lindje-Perëndim do të kishte pasoja në hapësirën e një Jugosllavie të Re. Edhe pse Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia besoj, do të ishin në NATO, Serbia dhe Bosnjë Hercegovina si dhe forcat proruse e anti-NATO në Maqedoni e Mal të Zi do ta dominonin politikën e një federate të tillë derisa do të vihej të një konflikt I ri etnik i atij soji si në periudhën e sundimit të Milosheviçit. Nëse ndjekim me vëmendje përpjekjet e sotme të Beogradit për zgjerimin e Serbisë me territore të reja, atëherë kuptohet më mirë se çfarë do të përfaqësonte lidershipi serb në një Jugosllavi të re. Prandaj kundërshtitë për një projekt të tillë janë e duhet të jenë në rend të parë. Por për ta parandaluar atë Parlamenti i Kosovës do të duhet t’i heqë zotit Thaçi të drejtën që të udhëheqë bisedimet me Serbinë”, është shprehur profesori Bytyçi.

Ide e vjetër

Image
Rexhep Shahu

Publicisti Rexhep Shahu, e ka komentuar për “Bota sot”, këtë deklaratë të Mustafës, duke thënë se ky plan nuk është i ri, por i ideuar para pak vitesh nga politikanë të ri, siç janë Vuçiq, Rama dhe Thaçi.

“Asnjë ide apo projekt propozim nuk është i ri, asgjë nuk është e re në gjithë lojërat politike apo ëndrrat e presidentit Thaçi. Jugosllavia e re është lojë e nisur para pak vitesh nga politikanë të ri te tipit Vuçiq, Thaçi, Rama te sponsorizuar siç ishte para pak kohesh ideja e Ballkanit”, ka thënë Shahu.

Ai ka shtuar tutje se politikanë të llojit të tillë, turbullojnë ujëra, por sipas tij, e vetmja gjë që duhet të bëhet, është dëbimi i këtyre politikanëve të tipit Thaçi.

“Politikanët të paditur marioneta në duar të të tjerëve turbullojnë ujëra, por Ballkani nuk është hapësira te pafundme siberike ku nuk jetojnë njerëz. Në Ballkan ka interesa dhe jetohet, lakmohet. E vetmja gjë që duhet bërë është çmontimi i intrigave, i planeve, dëbimi i këtyre politikaneve të tipit Thaçi, diskreditimi i tyre”, është shprehur ai.

Haziri: Kjo do të duhet të përbëjë një alarm për opozitën dhe qytetarët

Image
Nexhat Haziri

Analisti politik Nexhat Haziri, thotë për “Bota sot”, se kjo që e tha kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, është shumë e vërtetë, dhe se me idenë e lansuar së fundmi për korrigjim kufijsh, po fshihet projekti i “Jugosllavisë së re”.

“Ideja e hedhur për një treg të përbashkët në Ballkan që ishte lansuar nga kryeministri Rama dhe presidenti serb Vuçiq, e cila ishte kundërshtuar në atë kohë nga ish- kryeministri Mustafa, kishte tepër qëllim krijimin e njëfarë Jugosllavie të re, me Shqipërinë brenda, pa Kroacinë dhe Sllovenin, për dallim nga ajo e vjetra. Andaj është plotësisht e vërtetë deklarata e liderit të LDK-së e shpërdor në opinion, se pas të ashtuquajturit korrigjim kufijsh në mes Kosovës dhe Serbisë, ide kjo e lansuar së fundmi nga presidentët Thaçi-Vuçiq, fshihet projekti i një farë Jugosllavie të re në Ballkan”, ka potencuar Haziri.

Ai shton tutje se, kjo do të përbente një alarm të fortë për opozitën dhe qytetarët që ta ndalin Thaçin dhe planin e tij.

“Dhe kjo do të duhet të përbëjë një alarm për opozitën, por edhe për qytetarët që me çdo formë ta ndalin presidentin Thaçi dhe planet e tij. Kujtoj se për ta ndalur Thaçin duhet një koordinim i afërt i partive opozitare në mes veti qoftë përmes kuvendit por edhe në bashkëpunim me qytetarët në protesta të cilat nuk do të duhet të ndalën deri në dorëheqjen e presidentit Thaçi”, ka theksuar Haziri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat