Korrigjimi i demarkacionit nuk do t`ia kthejë Kosovës mijëra hektarët që ju falën Malit të Zi

Politika

Korrigjimi i demarkacionit nuk do t`ia kthejë Kosovës mijëra hektarët që ju falën Malit të Zi

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 30 shtator 2018 Në ora: 07:31
Ramush Haradinaj. Foto ilustrim

Pas tri vitesh, në mars të këtij viti, Kuvendi i Kosovës miratoi demarkacionin me Malin e Zi. Me ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin, u tha se do të bëhej korrigjimi i vijave kufitare në mes të dyja shteteve.

Ratifikimi i marrëveshjes u bë pas nënshkrimit të deklaratës së përbashkët, që parasheh formimin e një grupi punues, i cili do të korrigjonte gabimet e bëra dhe këtë do ta bëjë brenda dy vitesh.

Por, deri më tani nuk është ndërmarrë asgjë, për rregullimin e këtyre gabimeve.

Kryetari i Komisionit Shtetëror për Mbikëqyrjen dhe Mirëmbajtjen e kufirit, Shpejtim Bulliqi, ka thënë se për këtë çështje duhet të pyetet Qeveria.

“Është pyetje për qeverinë”, ka thënë ai shkurt për gazetën “Bota sot”.

Ndërkaq, Qeveria nuk është përgjigjur në pyetjet e dërguara nga gazeta “Bota sot”.

Rugova: Kjo qeveri si erdhi në pushtet harroi kauzat

Ndërsa, lidhur me këtë, deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Rugova, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se brenda dy viteve, Komisioni Qeveritar ka për obligim ta përmbyllë këtë proces që ka qenë dhe zotim i kryeministrit.

Image
Naser Rugova

“Komisioni Qeveritar për demarkimin e vijës kufitare me Malin e Zi është i obliguar që brenda periudhës dy vjeçare ta përmbyllë këtë proces, përveç që ka obligim ligjor ishte edhe premtim dhe zotim i kryeministrit në kuvend”, është shprehur ai.

Sipas deputetit Rugova, qeveria sapo erdhi në pushtet, harroi premtimet e saj dhe tani merret me zhvatje të buxhetit dhe demarkimi nuk ju duket i nevojshëm.

“Kjo qeveri si erdhi në pushtet harroi kauzat, premtimet dhe tani merren me zhvatje buxheti dhe feudet e tyre që i kanë ndarë në qeverinë e Kosovës dhe kjo çështje e demarkimit nuk ju duket më e nevojshme. Tani mos koordinimi institucional rreth dialogut me Serbinë, mospajtimet e thella të partnerëve të koalicionit dhe krerëve institucional këtë çështje e kanë lënë në periferi”, ka deklaruar Naser Rugova për gazetën “Bota sot”.

Topalli: Unë nuk besoj se do të ketë korrigjim të kufirit me Malin e Zi

Kurse, deputeti nga radhët e Partisë Socialdemokrate, Faton Topalli, duke folur për këtë temë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se ata kanë votuar kundër marrëveshjes së demarkacionit dhe do ta mirëpritnin një korrigjim të gabime vetë kufirit, por që sipas tij, kjo gjë nuk do të ndodhë.

Image
Faton Topalli

“Ne kemi votuar kundër si PSD, për arsye se kemi konsideruar se është një marrëveshje me të cilën Kosova humb territor. Në fakt kjo marrëveshja është dashur të jetë teorike për korrigjimin e kufijve, por unë personalisht nuk besoj se do të ketë korrigjim të kufirit me Malin e Zi, derisa Kuvendi me shumicë të votave e ka miratuar këtë marrëveshje. Ne do ta përshëndetim nëse ekziston vërtetë mundësia që të bëhet korrigjimi i vijave kufitare, por nuk mendoj se do të bëhet një gjë e tillë”, është shprehur Topalli për “Bota sot”.

Zogaj: Kosovës edhe Malit të Zi, u konvenon që ratifikimin ta bëjnë sa më në heshtje

Ndërsa, njohësi i çështjeve aktuale politike në vend, Skënder Zogaj, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se marrëveshja e Demarkacionit me Malin e Zi shkaktoi shumë shqetësime duke shtuar se kjo çështje është e kryer, derisa sipas tij, të dyja shteteve u konvenon që ratifikimi të bëhet në heshtje.

Image
Skender Zogaj

“Marrëveshja për Demarkacionin me Malin e Zi shkaktoi shqetësime shumë të mëdha të cilat e tronditën skenën politike dhe shtetërore të Kosovës duke u shkaktuar dëme të mëdha në të gjitha planet. Pavarësisht nga e vërteta përmbajtjesore, unë e konsideroj çështje të kryer, sepse sa mund të gjykoj, edhe Kosovës edhe Malit të Zi, u konvenon që ratifikimin ta bëjnë sa më në heshtje, përmes komisioneve të përbashkëta, e me pajtueshmëri të plotë, sepse nëse i rikthehen zhurmës dalin të humbura dy palët”, është shprehur ai.

Sipas tij, ratifikimi do të bëhet spontanisht, ndërsa zhvillimet e reja në raport me Serbinë, do të jenë në formë të ratifikimit edhe me Malin e Zi.

“Ratifikimi i Marrëveshjes do të bëhet spontanisht me korrigjime të politikave në funksion të integrimeve evropiane, ndërsa zhvillimet e reja rajonale, sidomos në raport më Serbinë, do ta diktojnë formën e ratifikimit edhe me Malin e Zi”, ka deklaruar Zogaj për “Bota sot”.

Krasniqi: Demarkacioni do të korrigjohet sa për sy e faqe

Në anën tjetër, njohësi i çështjeve politike, Faik Krasniqi, thotë se kjo çështje është e mbyllur, ku Kosova ka humbur dhe nëse bëhet korrigjimi, do të jetë sa për sy e faqe.

Image
Faik Krasniqi

“Konsideroj që ratifikimi i marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi është çështje e mbyllur. Me atë ratifikim Kosova ka humbur ato mijëra hektarët që është thënë nga ekspertët. Edhe nëse bëhet korrigjimi gjë një gjë e tillë është dashur të fillojë në bazë të premtimit të kryeministrit Haradinaj, do të korrigjohet sa për sy e faqe, por jo që do të ''rikthehen'' ato mijëra hektarë të falur Malit të Zi”, ka theksuar ai. Sipas Krasniqit, premtimi është bërë vetëm për ta ratifikuar marrëveshjen, sikur dhe shumë premtime tjera të parealizuara. “Premtimi ka qenë vetëm sa për t'u ratifikuar kjo marrëveshje, ashtu siç kanë qenë edhe mijëra premtime të parealizuara nga kjo klasë politike, të cilët janë fajtorët kryesorë edhe për gjendjen politike por edhe për gjendjen në përgjithësi”, ka deklaruar Faik Krasniqi për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat