“Kosova humbi statusin e vet në OKB, sepse presidenti i vendit ka nxjerrë në treg territorin e saj”

Politika

“Kosova humbi statusin e vet në OKB, sepse presidenti i vendit ka nxjerrë në treg territorin e saj”

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 1 tetor 2018 Në ora: 14:46
OKB

“Diplomacia në kuptimin e gjerë përkufizohet si arritje e marrëdhënieve ndërshtetërore përmes takimeve dhe negociatave “, por si duket liderët të cilët e përfaqësuan  vendin në Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara e harruan këtë gjë. Përfaqësimi i tyre nuk ishte në nivelin e duhur pasi që kanë shkaktuar edhe “skandale” të ndryshme. Pasi ata u “rreshtuan” prapa agjendave të tyre private. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në OKB po e “promovon” idenë  për korrigjimin e kufirit, ndërsa zëvendëskryeministri dhe njëherësh edhe Ministër i Punëve të Jashtmet, Behgjet Pacolli ka “vrapuar” nëpër korridoret ndërtesës së OKB-së të takojë personalitet të ndryshme duke filluar nga Presidenti i Shteteve të Bashkuar të Amerikës, Donal Trump deri tek kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq.

Pacolli: Kosova duhet të përfaqësohet nga diplomat që kanë dinjitet

Image
Fitore Pacolli

Lidhur me këtë veprime, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, ka thënë për ”Bota sot” se vendi po përfaqësohet nga individ që me të rëndësishme kanë agjendat e tyre private.

“Tani më në fund u pa qartë se si e  përfaqësojnë Kosovën. Kosova po vazhdon të përfaqësohet nga individ pa dinjitet, të pa ditur dhe që me të rëndësishme kanë agjendat e tyre private të cilat shpesh herë i shtyjnë në kurriz të Kosovës”, ka deklaruar ai për “Bota sot”.

Për më tepër, deputetja e VV-së ka shtuar  vendi duhet që të përfaqësohet nga diplomat që kanë njohuri të mjaftueshme.

“Kosova duhet të përfaqësohet nga diplomat që kanë dinjitet dhe njohuri të mjaftueshme për të na përfaqësuar siç duhet”, ka përfunduar Pacolli për “Bota sot”.

Blakaj: Nuk bëhet diplomaci vetëm për një fotografi

Image
Sami Blakaj

Kurse, njohësi i çështjeve për Integrime Evropiane, Sami Blakaj, ka thënë se takimet dhe negociatat duhet të jenë gjithmonë përmbajtjesore dhe në përputhshmëri me agjendën shtetërore

“Nuk bëhet diplomaci vetëm për një fotografi! Diplomacia në kuptimin e gjerë përkufizohet si arritje e marrëdhënieve ndërshtetërore përmes takimeve dhe negociatave. Takimet dhe negociatat duhet të jenë gjithmonë përmbajtjesore dhe në përputhshmëri me agjendën shtetërore”, ka shpjeguar Blakaj për “Bota sot” .

Fatkeqësisht, sipas tij,  një rast i tillë nuk ishte edhe me përfaqësimin diplomatik të Kosovës, pasi që ajo çfarë është  parë tek "agjenda" e liderëve, ishte vrapimi i tyre korridoreve të OKB-së për të bërë foto me liderët botëror.

“Fatkeqësisht një rast i tillë nuk ishte edhe me përfaqësimin diplomatik të krerëve kosovarë në selinë e OKB-së.  Kësaj radhe krejt çfarë kemi parë tek "agjenda" e liderëve tanë shtetëror, ishte vrapimi i tyre korridoreve të OKB-së për të bërë foto me liderët botëror dhe të njëjtat ti shesin në publik si takime të nivelit ndërshtetëror”, ka theksuar ai për “Bota sot”.

Gjeste të tilla, shton Blakaj, po e zbehin përfaqësimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

“Një gjest i tillë diplomatik dëshmon edhe njëherë  për deficitin e diplomacisë kosovare, e cila çdo ditë e më shumë po zbehë përfaqësimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare”, ka deklaruar Blakaj për “Bota sot”.

Bytyqi: Protagonizmi i anëtarëve të delegacionit e dëmtoi rëndë prestigjin e Kosovës

Ndërkaq, profesori ndërkombëtar, Enver Bytyçi ka deklaruar se ka pasur shpresë që përfaqësimi nga niveli më i lartë i Kosovës do të kishte performancë më të lartë në përpjekjet e vendit për shtimin e njohjeve, por ka ndodhur kështu.

Image
Enver Bytyçi

“Këtë vit delegacioni shqiptar në OKB ishte i nivelit më të lartë. Atë e kryesoi presidenti I Republikës së Kosovës dhe në delegacion ishin gjithashtu kryeministri dhe ministri i Jashtëm. Kjo përbërje e delegacionit dha shpresë për një performancë të mirë të tij në përpjekjet e vendit për shtimin e njohjeve dhe konsolidimin e autoritetit të shtetit të Kosovës në organizatën më të madhe të globit.

Por fatkeqësisht nuk ndodhi kështu”, ka deklaruar profesori për “Bota sot”.

Për më tepër, ai sjelljet e delegacionit i quan pa takt ndaj autoriteteve të tjera shtetërore, veprimi pa protokoll, si i dhanë këtij qëndrimi pamjen e një sjelljeje mjerane në pallatin e Asamblesë së Përgjithshme.

“Protagonizmi i anëtarëve të delegacionit, sidomos i zotit Thaçi dhe zotit Pacolli, e dëmtoi rëndë prestigjin e Kosovës. Vrapi për të kapur një shtrëngim duarsh me presidentin amerikan, sjellja pa takt ndaj autoriteteve të tjera shtetërore, veprimi pa protokoll dhe në anarki i disa anëtarëve të delegacionit i dhanë këtij qëndrimi pamjen e një sjelljeje mjerane në pallatin e Asamblesë së Përgjithshme.  Por kjo është vetëm forma. Përmbajtjen dhe statusin e delegacionit e dëmtoi diskutimi prej disa muajsh i çështjes së ndryshimit të kufijve dhe ndarjes së Kosovës, në përpjekje për një marrëveshje me Serbinë. Ky diskutim ka çuar në atë që Serbia për herë të parë të marrë përgjigje pozitive për ankesat e saj për pjesëmarrjen e Kosovës në Mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, aq sa zëdhënësja e sekretarit të Përgjithshëm të thotë se ky delegacion nuk është ftuar, por ka hyrë pa lejen e autoritetit në ambientet e kësaj Asambleje”, ka shtuar Bytyçi për “Bota sot”.

“Kosova humbi statusin e vet në OKB, sepse presidenti i vendit ka nxjerrë në treg territorin e saj”

Gjithashtu, ai ka thënë se në asnjë rast, që prej vitit kur Kosova përfaqësohet si vend vëzhgues në OKB, nuk kishte ndodhur kjo dhe se Kosova humbi statusin e vet në OKB, sepse presidenti i vendit ka nxjerrë në treg territorin e saj.

“ Ndodhi këtë vit për shkak se në OKB besojnë se pas ndarjes së Kosovës nuk do të ketë më Republikë të pavarur të Kosovës e për këtë arsye “nuk ia vlen që të merresh me një shtet, i cili territoret e veta me dëshirën e vet dëshiron t’ia dhurojë agresorit të vet, dhunuesit të tij.  Është e njohur se kur një person, një komunitet, ose një shtet e një vend nuk respektojnë vetveten, atëherë nuk përfitojnë respekt nga të tjerët. Kosova humbi statusin e vet në OKB, sepse presidenti i vendit ka nxjerrë në treg territorin e saj. Një vend që bën trageti me territorin nuk meriton të respektohet nga asnjë vend tjetër. Më së pari Kosovën po e mallkojnë fqinjët e saj prej Sllovenisë e Kroacisë e deri në Maqedoni, Bullgari e Greqi, pikërisht për shkak të gatishmërisë së presidentit të saj të çmendur për ndryshim kufijsh, më saktë për ndarjen e vendit. Këta fqinj po e mallkojnë Prishtinën, sepse ata ndjehen të rrezikuar nga ky precedent . Edhe Mali i Zi sot, madje dhe presidentja kroate, paralajmëruan se nuk do të pranojnë asnjë precedent për ndryshim kufijsh në rajon”, ka potencuar ai për “Bota sot”.

Gjithashtu,  Bytyçi ka shtuar se Thaçi me mbështetjen e fuqishme që ai i bën projektit serb të ndarjes së Kosovës, po e çon në ferr të ardhmen e kombit shqiptar.

“Lëmshi që ka shkaktuar angazhimi i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, me mbështetjen e fuqishme që ai i bën projektit serb të ndarjes së Kosovës, është jo vetëm kombëtar, por edhe ndërkombëtar. Me këtë akt presidenti I Kosovës jo vetëm ka dëmtuar prestigjin e vendit të tij, por po e çon në ferr të ardhmen e kombit shqiptar. Nga gjithë kjo histori nxjerrim përfundimin se i vetmi sukses i delegacionit të Kosovës në SHBA ishte ndonjë takim në departamentin e shtetit si dhe ndonjë fotografi e personalitete të njohura në SHBA”, ka përfunduar Bytyçi për “Bota sot”.

Maloku: Të njëjtit njerëz që po e dështojnë përbrenda KosovëN, po dalin dështak  para botës

Image
Albinot Maloku

Politologu Albinot Maloku ka thënë për “Bota sot”, janë të njëjtit njerëz që po e dështojnë përbrenda Kosovës në çdo gjë, veç se po dalin edhe dështak edhe qesharak para botës.

“Nga perspektiva e asaj që është parë në mediet vendore por edhe tjera për këto angazhimet e krerëve shtetëror të Kosovës në OKB përgjatë kësaj periudhe nuk besoj se do të mund ta kalonin provimin. Ndoshta sa për shpresë se këto imponimet që po u bëjnë krerët tani diplomatëve e burrështetasve tjerë  e duke u nisur nga fakti që Republika e Kosovës përbrenda punimeve të Sesionit të 73 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB nuk prezanton asgjë, edhe do të mund ta kalonin disi provimin. Për të vlerësuar nuk ka asgjë se tek e fundit janë të njëjtit njerëz që po e dështojnë përbrenda Kosovës në çdo gjë, veç se po dalin edhe dështak edhe qesharak para botës”, ka deklaruar ai për “Bota sot”.

Për më tepër, ai ka shtuar se asgjë nga këto veprime nuk i përket diplomacisë për të cilën ka nevojë vendi dhe imponimet që po u bëjnë krerët tanë liderëve tjerë, janë mase të pranueshme për pozicionin që e ka Kosova në OKB.

“Fotografimet e krerëve tanë shtetëror me politikan, diplomat e lider vendesh gjatë këtyre punimeve të Sesionit të 73 të AP të OKB-së gjithsesi janë momente që këta maksimalisht nuk i lëshojnë të ikin, çoftë edhe vetëm sa për një “tung”. Asgjë nga këto veprime nuk i përket diplomacisë për të cilën ka nevojë vendi. Gjithsesi, imponimet që po u bëjnë krerët tanë liderëve tjerë, janë mase të pranueshme për pozicionin që e ka Kosova në OKB, por së paku mos të dalin qesharak me fotografime se po janë nënçmuese para syve të opinionit publik”, ka përfunduar Maloku për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat