Ideja për korrigjim të kufijve shtynë liberalizimin e vizave?

Politika

Ideja për korrigjim të kufijve shtynë liberalizimin e vizave?

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 1 tetor 2018 Në ora: 22:03
Ilustrim

“Çdoherë kur ne japim shembuj negativë të mosrespektimit të ligjit, siç kemi bërë gjatë gjithë kësaj kohe e që është thënë dhe ri thënë si vërejtje në të gjitha raportet kredibile ndërkombëtare, ku sistemi i drejtësisë nuk është i pavarur dhe politika vazhdon ta ndikojë atë në çdo mënyrë të mundshme kjo është hap pas dhe dëshmi që dëmton rënd jo vetëm këtë proces, por krejt projektin tonë për të qenë ne një ditë vend anëtar i BE-së”, thotë Taulant Kryeziu, njohësi i integrimeve ndërkombëtare Taulant Kryeziu.

Politikanët në Kosovë nuk mund ta dinë kohën e liberalizimit të vizave, thonë njohësit e çështjeve ndërkombëtare, duke shtuar se ideja e Thaçit për shkëmbim territoresh mund të ndikojë në këtë çështje dhe jo relacionet pozitë- opozitë.

Nuk është bërë ende një muaj që nga data kur Parlamenti Evropian, ka votuar për liberalizimin e vizave për Kosovën, gjersa Presidenti Hashim Thaçi thotë se liberalizimi mund të shtyhet deri për vitin 2020.

Thaçi pas kthimit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka mbajtur konferencë për gazetarë duke deklaruar se në SHBA mori porosinë se nëse nuk janë të bashkuar të gjithë politikanët, atëherë procesi i liberalizimit rrezikohet edhe më tutje.

“Çështje jetike që po e shtyjmë përpara që të ndodh sa më parë është procesi i liberalizimit të vizave, që do të jetë rrugë e mbarë për Kosovën dhe qytetarët e saj. Nuk duhet të ketë dallime mes qeverisë dhe opozitës për sigurimin e kësaj të dejtë për qytetarët. Të gjithë si më herët edhe sot kanë kontribuar që të ndodh liberalizimi. Në takimet e shumta që pata në Nju Jork kemi marr porosi shumë të qartë se nëse ne si politikan nuk do të jemi të bashkuar për liberalizimin e vizave dhe nëse nuk arrijmë të argumentojmë qartë se kemi arritur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave dhe afirmimin e punës së shtetit tonë në takim me ndërkombëtar, nëse ndodh e kundërta e gjitha procesi mund të shtyhet për vitin 2020. Nëse ne jemi unik kjo e arritur rezulton e përmbyllur në muajt e ardhshëm”, ka theksuar Thaçi.

Gjersa, Thaçi është duke bërë përpjekje tërthorazi t’ia lë “fajin” opozitës për mos liberalizimin e vizave, njohësit e çështjeve ndërkombëtare thonë se ideja e tij për shkëmbim territoresh mund të ndikojë në vizat.

Sipas tyre, liberalizimi mund të shtyhet edhe si pasojë e  vendeve anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovë.

Prekaj: Vendimi për vizat mund të shtyhet deri në verën e vitit 2019

Image
Adrian Prekaj

Njohësi i çështjeve ndërkombëtare, Adrian Prekaj, liberalizimin e vizave dhe dialogun i konsideron çështje të ndara.

Duke marrë parasysh hezitimin e shteteve anëtare për potencialin migruese të qytetarëve të Kosovës, sipas Prekajt, liberalizimi mund të shtyhet deri në verën e vitit 2019.

“Liberalizimi i vizave dhe dialogu janë dy çështje të ndara. Procesi i vizave është duke u diskutuar në institucionet relvante të BE-së dhe vendimi do të merret, sipas procedurave të parapara në BE. Tashmë këto procedura kanë filluar dhe vlerësimet e mëtutjeshme që lidhen me këtë proces kryesisht marrin për baze plotësimin e kritereve teknike që i janë vënë Kosovës në këtë aspekt. Në rastin më të mirë qytetarët e Kosovës do të përfitojnë nga liberalizimi i vizave në fund të këtij viti. Megjithatë, marrë parasysh hezitimet e shteteve anëtare për potencialin migrues të kosovarëve, si dhe zgjedhjet për Parlamentin Evropian, ky vendim mund të shtyhet deri në verën e vitit 2019”, ka deklaruar Prekaj.

Presidenti Hashim Thaçi, tashmë ka deklaruar se ka marrë bekimin e plotë amerikan për marrëveshjen me Serbinë.

Për përmbylljen e marrëveshjes me Serbinë, Thaçi kishte përmendur edhe idenë më shkëmbim apo ndryshim territoresh, ide kjo e kundërshtuar nga shumë shtete të mëdha të botës.

Blakaj: Rreziku më i madh për Kosovën sot vjen nga ideja e Thaçit për "korrigjim" kufijsh

Image
Sami Blakaj

Kjo ide e “mbrapshtë”, siç e quan njohësi i integrimeve ndërkombëtare Sami Blakaj, mund të ndikojë në liberalizimin e vizave.

Blakaj duke folur për “Bota sot”, ka thënë se kjo ide e Thaçit është duke e ndarë klasën politike pozitë dhe opozitë, prandaj sipas tij, Kosova ka qenë në rrugë të mbarë për viza gjer më tani.

“Kosova si asnjëherë më parë ndodhet në rrugë të mbarë sa i përket liberalizimit të vizave për qytetarët e saj. Madje një gjë e tillë tashmë është konfirmuar nga Komisioni Evropian, Komisioni LIBE si dhe nga vetë Parlamenti Evropian, i cili këto ditë votoi PRO vendimit për lëvizjen e lirë të qytetarëve kosovarë drejt Bashkimit Evropian. Në këtë kuptim vlerësoj se Kosova aktualisht qëndron në rrugë të mbarë dhe jo në rrezik, siç po pretendon presidenti Thaçi. Rreziku më i madh për Kosovën sot vjen nga ideja e Thaçit për "korrigjim" kufijsh me shtetin e Serbisë që në aspektin praktik do të thotë ndryshim kufijsh. Prandaj është pikërisht kjo ide e mbrapshtë e cila duhet ta bashkojë udhëheqjen politike në vend (pozitë dhe opozitë) dhe njëzëri të kundërshtohet ideja e Thaçit, e cila me apo pa dashje po e çon Kosovën drejt ndarjes përfundimtare”, ka pohuar Blakaj.

Më 13 shtator të këtij viti, Parlamenti Evropian, ka votuar për liberalizimin e vizave për Kosovën.

420 deputetë kanë votuar për liberalizimin e vizave ndërsa 186 ishin kundër. 20 kanë abstenuar.

Pas këtij votimi të Parlamentit Evropian konfirmohet mandati për fillimin e bisedimeve me vendet anëtare të BE-së, në mënyrë që Kosovës t’i liberalizohen vizat. Bisedimet në emër të Parlamentit Evropian do t’i udhëheqë, Tanja Fajon, raportuese për vizat në Parlament.

Kryeziu: Së paku vendimmarrja të përfundojë këtë vit

Njohësi i integrimeve ndërkombëtare Taulant Kryeziu, pas deklaratës së Presidentit se liberalizimi i vizave mund të shtyhet deri më 2020, ka thënë se data e saktë e lëvizjes së lirë varet nga vendimi politik i vendeve të BE-së.

Image
Taulant Kryeziu

Hezitimi i vendeve si Franca, Holanda dhe Gjermania, mund të ndikojnë në datën e lëvizjes së lirë, sipas Kryeziut.

“Për datën e saktë të lëvizjes së lirë do t’i ftoja të gjithë liderët institucional të jenë të përmbajtur dhe të mos rrisin pritshmëritë te qytetarët sepse ky është vendim politik i vendeve të BE-së dhe ku ne ende po kemi hezitime në disa nga to si Franca, Holanda dhe Gjermania, gjë që u dëshmua edhe në votimin, i cili u zhvillua në Parlamentin Evropian”, ka theksuar Kryeziu.

Ai ka përmendur dëshmitë që ndikojnë në procesin e vizave, gjersa ka shprehur optimizmin që vendimmarrja mund të përfundojë në këtë vit.

“Çdoherë kur ne japim shembuj negativë të mosrespektimit të ligjit, siç kemi bërë gjatë gjithë kësaj kohe e që është thënë dhe ri thënë si vërejtje në të gjitha raportet kredibile ndërkombëtare, ku sistemi i drejtësisë nuk është i pavarur dhe politika vazhdon ta ndikojë atë në çdo mënyrë të mundshme kjo është hap pas dhe dëshmi që dëmton rënd jo vetëm këtë proces, por krejt projektin tonë për të qenë ne një ditë vend anëtar i BE-së. Gjithsesi unë dua të jem optimist për hir të qytetarëve tanë, të rinisë tonë, të gjeneratave më të moshuara që së paku vendimmarrja të përfundojë këtë vit, duke ditur që takimet e Këshillit në përbërje të ministrave të Brendshëm ose të Drejtësisë janë më 11-12 tetor dhe më 6-7 dhjetor”, ka nënvizuar Kryeziu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat