Maqedonia në udhëkryq pas referendumit të së dielës

Politika

Maqedonia në udhëkryq pas referendumit të së dielës

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 3 tetor 2018 Në ora: 19:25
Ilustrim

“Interesant me shqiptarët e Maqedonisë, kur duhet të votojnë për vetveten e fatin e tyre nuk dalin asnjëherë, kurse për partitë bëjnë turr për t'i pasuruar politikanët. Fajtor kryesor për dështimin e pro-referendumit është vet qeveria se bashku me partitë tona shqiptare të cilat tubimet i mbanin sa për sy e faqe, për t'u arsyetuar para evropianeve, ja ne”.

Rreth 1.8 milion qytetarë me të drejtë vote ishin ftuar që të përgjigjen se a janë për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe BE, me pranimin e marrëveshjes për emrin me Greqinë, megjithatë shumica prej tyre bojkotuan këto zgjedhje.

Dalja në referendum duhet të ishte mbi 50 për qind e trupit të përgjithshëm votues, edhe pse për këtë ka pasur debate e interpretime të ndryshme, nëse me daljen eventuale nën 50 për qind do të konsiderohej i dështuar ose jo.

Veç kësaj, maqedonasit kanë pranuar se nuk kanë lidhshmëri me maqedonasit antik sikur edhe gjuha maqedonase, e cila në bazë të marrëveshjes i takon grupit të gjuhëve sllave.

Sipas analistëve, fajtor kryesor për dështimin e pro-referendumit në Maqedoni është vet qeveria së bashku me partitë shqiptare, të cilat tubimet i mbajnë sa për sy e faqe, dhe sa për t'u arsyetuar para evropianeve.

Mehazi: Fajtore qeveria dhe partitë shqiptare

Sipas tyre, këtë problem të pakëndshëm qeveria do ta hedhë në parlament, ku duhet të votojnë 2/3 e deputetëve. 

Image
Sulejman Mehazi

Njohës i çështjeve politike profesor Sulejman Mehazi, ka thënë për “ Bota sot” se, sipas rezultateve doli se qytetarët e Maqedonisë, sidomos shqiptarët s'janë për BE dhe NATO, madje sipas tij është brengosës edhe numri shumë i vogël i votuesve në qytetet shqiptare.

“Tetova e Gostivari njihen si qendra të mëdha votuesish, por vetëm 25-30% votuan. Interesant me shqiptarët e Maqedonisë, kur duhet të votojnë për vetveten e fatin e tyre nuk dalin asnjëherë, kurse për partitë bëjnë turr për t'i pasuruar politikanët. Fajtor kryesor për dështimin e pro-referendumit është vet qeveria se bashku me partitë tona shqiptare të cilat tubimet i mbanin sa për sy e faqe, për t'u arsyetuar para evropianeve, ja ne. Ata aspak s'bënin klimë pozitive e të ngrohtë zgjedhore, askund në asnjë rrugë e mëhallë s'kishte çerdhe shtabesh nga degët dhe nëndegët e partive shqiptare”, ka thënë njohësi i çështjeve politike Mehazi.

Sipas tij, këtë problem të pakëndshëm qeveria do ta hedh në parlament, ku duhet të votojnë 2/3 e deputetëve, kjo është e pamundur pasi opozita maqedonase VMRO-nuk do ia lejojë këtë luks qeverisë për shkak numrit të madh të deputetëve, 50.

“Sipas gjithë kësaj do ketë zgjedhje të reja parlamentare, por nuk dihet një gjë nëse qytetarët e Maqedonisë s'duan NATO e BE atëherë çfarë duan në të vërtetë,  mos vallë e duan Rusinë së bashku me Serbinë. Kishte qenë në interes të BDI-se ky referendum, më besoni do kishin futur në punë shumë njerëz, do kishin dhënë shumë para, madje sa e sa kutia e votimit do të ishin mbushur, vetëm e vetëm të fitojnë, kampanja e referendumit e BDI-se dhe e partive tjera shqiptare ka qenë sa për sy e faqe para evropianeve”, ka thënë njohësi i çështjeve politike Mehazi.

Xhelili: Duhet të filloj qasja e ndryshimit

Image
Zudi Xhelili

Njohësi i çështjeve politike, Zudi Xhelili ka thënë se, Referendumi në Maqedoni kishte karakter konsultativ, jo karakter obligativ, ku sipas kësaj i bie që një numër i madh i qytetareve diku 660.000 janë për anëtarësim të vendit në NATO.

Sipas tij, si rezultat i listave zgjedhore të pa pastruara dhe si rezultat i bojkotit nga ana e opozitës maqedonase nuk u arit cenzusi i pjesëmarrësve në votime prej 50% plus një votë.

“Faktori ndërkombëtar e vlerësoi lart votën që ishte mbi 91 % dhe tani duhet të fillojë qasja e ndryshimit të emrit kushtetues të vendit, nga Republika e Maqedonisë në Republikën e Maqedonisë veriore” është shprehur Xhelili.

Ai ka thënë se, për të arritur ky ndryshim dhe disa nene tjera të kushtetutës nevojiten 2/3 e votave në kuvend (81 vota).

“Shumica aktuale ka 72 vota, pra nevojiten edhe 9 vota nga deputetë të partisë opozitare. Nëse arrihet marrëveshje eventuale do shkohet në votime për ndryshime kushtetuese, nëse jo do të shkohet në zgjedhje të parakohshme parlamentare rrugë të tretë nuk ka”, ka thënë njohësi i çështjeve politike Xhelili.

Krasniqi: Referendumi mund të quhet i pranueshëm

Image
Mensur Krasniqi

Ndërkaq, njohësi i çështjeve politike Mensur Krasniqi, ka thënë se Referendumi ishte një moment historik për qytetarët e Maqedonisë që të përcaktohen nëse janë për përmbylljen definitive të kontestit me Greqinë sa i përket çështjes së emrit si parakusht për anëtarësim në BE dhe NATO, ose do të vazhdojnë me mendësinë ballkanike dhe proruse.

“Për dallim nga partia më e madhe opozitare maqedonase VMRO-DPMNE, parti kjo e cila bojkotoi referendumin me pretekstin se ndryshimi i emrit të shtetit do ta rrezikojë, gjegjësisht do ta zhbëj edhe identitetin e tyre si maqedonas, pjesa dërmuese e qytetarëve nga partitë tjera u treguan vigjilent para faktorit ndërkombëtar duke votuar për Maqedoni Evropiane. Megjithëkëtë referendumi në fund nuk arriti të kalojë censusin me mbi 50 për qind të votuesve, pasi që dalja në fund rezultoi të ishte 38 për qind. Por do të ishte utopike të besohet se ky Referendum do të kalon pragun pasi që në Maqedoni nuk ka banorë aq sa ka votues të regjistruar në KSHZ, 1 milion e 800 mijë”, ka thënë ai.

Sipas tij, nevojitet regjistrim urgjent i popullsisë, ndryshe çdoherë nëpër zgjedhje do të ketë hapësirë për manipulime me votuesit fiktiv.

“Duke marrë parasysh daljen mesatare të qytetarëve në votimet e zgjedhjeve të fundit afër 60 për qind, vlerësoj se referendumi me 38 për qind ku mbi 95 për qind prej tyre janë deklaruar PËR me lehtësi mund të quhet i pranueshëm. Këtë fakt së fundi e pranoi edhe ambasada e SHBA-ve, me ç ‘rast uroi qytetarët për referendumin siç thanë ata të suksesshëm. Mirëpo a është referendumi përcaktues për ndryshimin e emrit të shtetit me kushtetutë? JO, tani vijon procedura në Kuvend ku nevojiten 2/3(81) e votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve(120) që të miratohen ndryshimet kushtetuese mbi ndryshimin e emrit, në ndërkohë që shumica e qeverisë për momentin numëron vetëm 71 deputetë”, është shprehur Krasniqi.

Sipas tij, është çështje kohe nëse partitë nën ndërmjetësim të faktorit ndërkombëtarë do të arrijnë një kompromis politik dhe së bashku ta përqafojnë Evropën ose alternativa tjetër janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare me ç'rast nuk përjashtohet një koalicion i zgjeruar ndërmjet LSDM-së në krye me kryeministrin Zoran Zaev dhe të gjitha partive shqiptare.

“Në këtë formë ky koalicion do ta siguronte shumicën e nevojshme për ndryshime kushtetuese jo vetëm të emrit të shtetit por edhe për avancimin e shqiptarëve si popull shtet formues në këtë vend”, ka thënë Krasniqi.

Topi në Kuvend

Image
Arben Zeqiri

Kurse, Arben Zeqiri, njohës i çështjeve politike konsideron se në kombinim janë dy skenarët, ku sipas  njëri doemos i konvenon kryeministrit Zoran Zaev, për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare ku ai shpreson të fitojë një shumicë më të madhe bashkë me partitë shqiptare.

Ai ka pohuar se në këtë skenarë Zaev shpreson në koalicion me partitë shqiptare për të arritur bashkë 80 deputetë, veçanërisht tani që VMRO është edhe në krizë të brendshme me shumë ndarje dhe shumë të përndjekur penalisht. Skenari i dytë që insistojnë faktori ndërkombëtar është arritja e një marrëveshjeje për votim në Kuvend. Në këtë skenar duhet që përgjegjësia të ndahet me VMRO-në por këtu LSDM duhet të paguajë një çmim, ose të blejë 11 deputetë nga VMRO ose të bëjë pazare për amnesti të ish funksionarëve që ndiqen penalisht. Nëse ndodhin pazare kjo është më e rrezikshme sepse ose do të kemi kriminel të amnistuar ose nëse blihen 11 deputet do të ngelet një grup i madh nacionalist në VMRO që do të forcohet dhe do të tensionohen marrëdhëniet ndëretnike”, ka thënë Zeqiri.

Sipas tij, Referendumi në Maqedoni ishte një tregues së në Maqedoni ka një shumicë pro Evropës dhe NATO-s.

“Por gjithashtu dolën në shesh edhe dy anomali të sistemit, lista e pa pastruar e votuesve që ndikon në një cenzus jo real dhe numrin e madh të qytetareve e veçanërisht të shqiptarëve që kanë braktisur vendin dy vitet e fundit. Po ashtu tek shqiptarët s'ka dilemë që janë për dhe s'ka asnjë zë kundër. Por, tek maqedonasit numri prej rreth 370 mijë që vlerësohet të kenë votuar është megjithatë numër i madh duke pasur parasysh dilemat, lajmet e rrejshme dhe propagandën e zhvilluar nga opozita. Por një dobësi ishte edhe tek Qeveria e cila nuk arriti të zhvillojë fushatë ta fuqishme dhe të suksesshme”, ka thënë Zeqiri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat