David Phillips, denoncues i tregtisë dhe tradhtisë që Thaçi po tenton t’i bëjë atdheut

Politika

David Phillips, denoncues i tregtisë dhe tradhtisë që Thaçi po tenton t’i bëjë atdheut

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 16 tetor 2018 Në ora: 07:58
David Phillips dhe Hashim Thaçi

“Thaçi do të abuzojë me mbështetjen amerikane, do të bindë shqiptarët se amerikanët duan kështu si thotë Thaçi, por unë nuk besoj se amerikanët që çliruan e pavarësuan Kosovën janë me Thaçin që do të shesë një copë Kosove për interesat e tij”, ka thënë publicisti Rexhep Shahu.

Eksperti amerikan i politikës së jashtme, David L. Phillips, njëherësh këshilltar për Politikë të Jashtme i angazhuar nga presidenti Hashim Thaçi, së fundmi ka dhënë dorëheqje nga kjo detyrë, duke thënë se ai nuk do që të jetë pjesë e ndarjes së Kosovës.

Ai ka thënë se, Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë pajtuar për idenë e korrigjimit të kufijve, të cilën Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është duke e avokuar tash e disa muaj nëpër Kosovë dhe jashtë saj.

Phillips, drejtor i Programit për Ndërtim të Paqes dhe të Drejta të Njeriut në Institutin për të Studime të të Drejtave të Njeriut në Universitetin Columbia, tha se nëse Presidenti Thaçi po thotë që Qeveria amerikane e përkrah pozicionin e tij, atëherë “ai ose i ka keqkuptuar ata, ose po i keqinterpreton”.

“Po, jam i sigurt. Kam folur me zyrtarë amerikanë. Qeveria amerikane nuk e përkrah korrigjimin e kufirit, ajo përkrah gjetjen e një zgjidhje të përbashkët të cilën mund ta vlerësojë dhe ajo marrëveshje duhet të gjejë përkrahje nga qeveritë përkatëse dhe nga shoqëria civile”, ka thënë Phillips.

Tahiri: Dialogu Kosovë-Serbi ka hyrë në një ngërç

Image
Ramush Tahiri

Duke folur për gazetën "Bota sot" lidhur me këtë, politologu Ramush Tahiri, ka thënë se Phillips ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për pavarësinë e Kosovës dhe meriton falënderimet më të larta të popullit të Kosovës.

"Eksperti nga SHBA David Philips ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për pavarësinë e Kosovës për më shumë se tri dekada pa rreshtur dhe puna e tij është e jashtëzakonshme dhe shumë e frytshme dhe për këtë meriton dhe ka falëndërimet më të larta të popullit dhe të shtetit të Kosovës. Koncepti i tij politik dhe ideologjik janë të drejtat qytetare civile dhe pavarësia bazohet në autonominë politiko territoriale të Kosvës në ish Jugksllavi të të së drejtës së vetvendosjes si territor dhe jo si komb dhe në parimin e pandryshmërisë së kufijve, pra të moscenimit të tyre dhe të ruajtjes së tërësisë territoriale e integritetit të Republikës së Kosovës", është shprehur ai.

Tahiri thekson se tani është dialogu në Bruksel në një ngërç, ku presidenti Thaçi flet për korrigjim të kufijve dhe presidenti Vuçiq flet për përkufizim territorial në mes shqiptarëve dhe serbëve, që sipas tij është kundër konceptit të Phillips.

"Tash dialogu Kosovë-Serbi që po zhvillohet ne Bruksel ka hyrë në një ngërç dhe njëkohësisht në nivel presidentësh të të dyja shteteve ka nisur dialogu politik me objektivin e qartë që të arrihet një marveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e plotë ndërmjet të dyja shteteve sovrane e të pavarura si po thotë pala kosovare apo ndërmjet kombit serb dhe kombit shqiptar si po thotë pala serbe. Presidenti Thaçi flet për korrektim apo korrigjim kufiri ndersa Presidenti serb Vuçiq flet për përkufizim territorial ndërmjet serbëve e shqiptarëve. Në dy variantat është çështje e lëvizjes së kufirit gjë që është kundër konceptit të ekspertit e mikut amerikan Philips. Kjo ide duket se ende ka përkrahje nëse palët bien dakort", ka deklaruar Ramush Tahiri për "Bota sot"

Shahu: Shihet se Philips e do Kosovën më shumë se Thaçi

Image
Rexhep Shahu

Kurse, njohësi i çështjeve politike, Rexhep Shahu, ka thënë për gazetën “Bota sot” se po shihet se eksperti amerikan po e do Kosovën më shumë se Hashim Thaçi, që po pranon të jap territor të Kosovës.

“Nuk më takon mua të dal patriot mbi patriota, të deklarohem se e dua Kosovën më shumë se ndonjë shqiptar tjetër. Unë thjeshtë e dua Kosovën se është atdheu im dhe nuk do të lejoja të cenohet asnjë pëllëmbë territor i tij. Eksperti i njohur amerikan, ekspert prej 3 dekadash, këshilltar i tre presidentëve amerikanë, po shihet se e do Kosovën më shumë se Hashim Thaçi që fatkeqësisht është president i Kosovës por që për interes të tij që nuk e di çfarë dhe për llogari të serbëve, pranon të japë territor të Kosovës për paqe e qetësi”, është shprehur Shahu.

Ai thotë se, Kosova e ka paguar çmimin e saj me gjakun e të vrarëve dhe me ndihmën e NATO-s dhe SHBA-së.

“Kosova e ka paguar çmimin e saj, ka mijëra e mijëra njerëz në varre për lirinë e pavarësinë e saj, nuk po i kërkon askush ta blejë pavarësinë e lirinë me tokë, duke dhënë tokë për pavarësinë e lirinë. Kosovës ia ka sjellë lirinë e pavarësinë gjaku i bijve të saj dhe Amerika e NATO-ja”, ka vlerësuar si.

Shahu: Thaçi po e shet Kosovën për karrierën e tij

Sipas Shahut, Thaçi e ka nxjerrë në shitje një copë toke të Kosovës për karrierën e tij, por ai nuk e ka të drejtën që ta shet Kosovën.

“Hashim Thaçi nuk e di çfarë do të blejë për vetene tij, për karrierën e tij që e ka nxjerrë në shitje një copë Kosove. Populli shqiptar nuk e ka nxjerrë në shitje asnjë copë Kosove, Hashimi mundet me e shite veten e tij, me soj e sorollopin e tij por jo atdheun tim se nuk e ka atëtager, është president me mbrojt tërësinë territoriale të atdheut e jo me e shitë copa atdheu”, ka theksuar Shahu për “Bota sot”.

Ai thotë se David Phillips është denoncues i tregtisë dhe tradhtisë që Thaçi po tenton t’i bëjë atdheut dhe që deshi të bindë shqiptarët që amerikanët e mbështesin shkëmbimin e territoreve.

“David Philips është denoncuesi më serioz i tregtisë e tradhtisë që po synon të bëjë Thaçi me atdheun. Thaçi flet në emër të amerikanëve si kryebanditi në emër të bandës së tij por David Philips e demantoi këtë mashtrim të Thaçit. Thaçi do të abuzojë me mbështetjen amerikane, do të bindë shqiptarët se amerikanët duan kështu si thotë Thaçi, por unë nuk besoj se amerikanët që çliruan e pavarësuan Kosovën janë me Thaçin që do të shesë një copë Kosove për interesat e tij”, ka thënë ai.

Madje, Shahu thotë se nëse do të falet territor i Kosovës, më mirë që Kosova të mos jetë kurrë pjesë e BE-së, OKB-së, duke shtuar se për Philips duhet vetëm falënderim që e do Kosovën më shumë se Thaçi.

“Unë do të thosha se kurrë Kosova mos të hyjë në OKB, mos u njohtë e pranoftë nga 5 vendet e BE-së nëse duhet të japë territor të saj si çmim për këto gjëra. Sot duhet vetëm një falënderim për David Philips, këtë amerikan që e do Kosovën siç po shihet më shumë se Hashim marrja”, ka përfunduar Rexhep Shahu për gazetën “Bota sot”.

Krasniqi: Një amerikan nuk pajtohet që të jetë pjesë e ndarjes së Kosovës

Image
Faik Krasniqi

Në anën tjetër, njohësi i çështjeve aktuale politike në vend, Faik Krasniqi, ka thënë se dorëheqja e dorëheqja e David Phillips tregon gjendjen në të cilën është Kosova, e që në këtë gjendje e ka sjellë Hashim Thaçi, që aktualisht është president i Kosovës.

"Është lajm i keq për Kosovën dorëheqja e një analisti dhe eksperti si David Philips. Veçanërisht një mik i shqiptarëve, dhe jo si puna e një analisti si Daniel Server që nuk ishte kurrë i drejtë me gjendjen reale në Kosovë. Një amerikan nuk pajtohet që të jetë pjesë e ndarjes së Kosovës. Kjo tregon se në çfarë gjendje e ka sjellë Kosovën me idiotizmat e tij një njeri me emrin Hashim Thaçi, që aktualisht është president i Kosovës", ka theksuar Krasniqi.

Sipas tij, Thaçi dhe liderë tjerë politikë gjithmonë janë thirrur në emër të SHBA-së, BE-së e NATO-s, por që gjithmonë janë demantuar dhe në këtë rast nëse SHBA nuk e përkrah idenë e tij, ai mund të bëjë vetëm propagandë siç ai e quan të kotë.

"Presidenti Thaçi dhe liderët tanë politikë gjithmonë kanë folur në emër të SHBA-ve, BE-së dhe NATO-së, por gjithmonë janë demantuar. Duke u thirrur në emrin e tyre kanë mbijetuar në politikë, por edhe populli më në fund e ka kuptuar që këtë e kanë bërë puro për interesa personale. Nëse SHBA-ja nuk e përkrah idenë e korrigjimit të kufijve, Hashim Thaçi vetëm mund të bëjë propagandë të kotë në lidhje me këtë çështje", ka deklaruar Faik Krasniqi për gazetën "Bota sot".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat