Thyerja e tabusë që tregoi shpirtin e pamposhtur të shqiptarëve

Politika

Thyerja e tabusë që tregoi shpirtin e pamposhtur të shqiptarëve

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 18 tetor 2018 Në ora: 19:25
Jovica Dejanovic dhe Vasfije Krasniqi-Goodman

E mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, Vasfije Krasniqi-Goodman, theu tabunë e vendosur prej dy dekadash.

Ajo vendosi që publikisht të rrëfente vuajtjet dhe torturat e përjetuara nga kriminelët paramilitarë serbë.

Vasfija me rrëfimin e saj, ka treguar guximin dhe forcën e jashtëzakonshme të të mbijetuarve, të cilët përkundër vështirësive, me aktivizimin e tyre po ngrisin vetëdijen se përdorimi i dhunës seksuale si mjet lufte duhet të zhduket njëherë e përgjithmonë dhe se kryesit e këtyre krimeve duhet të përballen me drejtësi.

Ajo ka folur hapur për përvojën e saj të hidhur si pasojë e krimit që është kryer mbi të, duke rrëfyer edhe vështirësitë që ka hasur kur ka kërkuar drejtësi.

Vasfijen e hodhën përtokë edhe institucionet e drejtësisë, kur ajo kërkoi vetëm të drejtën e një viktime. Ajo kishte pasur një proces gjyqësor i cili proces në fund nga Gjykata Supreme e Kosovës kishte liruar dy serbë nga akuzat për krime të luftës të dhunimit të një të miture shqiptare. Për përdhunimin që kishte ndodhur më 14 prill të vitit 1999, Dejanoviq dhe Bojkoviq ishin shpallur të pafajshëm, ndërsa Dejanoviq ishte dënuar me 1 vit e gjysmë burg për armëmbajtje pa leje.

Madje, Dejanoviq ishte edhe pjesëtar i policisë së Kosovës, e kjo vërteton faktin se në institucionet tona kemi pësuar aderime nga UDB-ashët serb, pa asnjë kontroll të mundshëm, pasi që Dejanoviq ishte edhe ish pjesëtar i policisë serbe gjatë luftës në Kosovë. “Pa asnjë kontroll të mundshëm”, me shpresë se kjo nuk ka ndodhur me vetëdije të plotë nga pushtetarët tanë shqiptarë.

Përkrahja nga të gjithë ne nuk duhet të mungojë për Vasfijen dhe të tjerat, e gjithashtu gjinia mashkullore në Kosovë, duhet të marrin shembull përkrahjen e madhe që bashkëshorti i Vasfijes, që është Amerikan, i dha asaj në rrugën e “shfryrjes shpirtërore” dhe ndëshkimit të kriminelëve.

Vasfija që nga nata e së martës, do të jetë gjithmonë një heroinë në historinë e Kosovës, si pjesë e çlirimit të vendit dhe iniciatore për rrëfimin e të gjitha të mbijetuarave të dhunës seksuale që do ta bëjnë të njëjtën sikurse Vasfija.

Këtë rrëfim të saj, duhet ta kenë parasysh të gjithë ata që në dialog me Serbinë duan t’ia falin krimet kësaj të fundit dhe të arrijnë marrëveshje paqeje, pa asnjë kërkim falje të paktën nga ana e Serbisë.

Ky rrëfim duhet të jetë edhe para syve të Bashkimit Evropian, e cila nganjëherë di të tregohet skeptike në faktet e krimeve nga ana e Serbisë në shtetin e Kosovës. Me këtë rrëfim, BE-ja duhet të ketë një sy tjetër për Serbinë, si shtet me kriminelët më mizorë në Evropë.

Medalja presidenciale duhet t’i mungojë më së paku Vasfijes, ndërsa femrat e tjera si ajo, duhet ta ndjekin rrugën e saj të patrembur dhe krenare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat