Figura të shquara atdhetare-kombëtare nuk u përfshinë në Fjalorin Enciklopedik të ASHAK-ut

Politika

Figura të shquara atdhetare-kombëtare nuk u përfshinë në Fjalorin Enciklopedik të ASHAK-ut

Nebi Ajeti Nga Nebi Ajeti Më 21 tetor 2018 Në ora: 09:39
Fjalori Enciklopedik i ASHAK-ut

Në Kosovë është botuar për herë të parë një Fjalor Enciklopedik.

Ky është projekti më i madh i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.

Fjalori ndahet në dy vëllime: Fjalori Enciklopedik i Kosovës I A-K dhe Fjalori Enciklopedik i Kosovës II L-ZH.

Janë gjithsej 1818 faqe, ku janë përfshirë tekstet e rreth 6 mijë zërave, të hartuar nga 506 autorë, një vepër kolektive e hartuar nga profesorë universiteti, shkrimtarë, publicistë, artistë dhe ekspertë të fushave të ndryshme të shkencës dhe të dijes.

Por ishin një rrebesh kritikash ato që iu bënë hartuesve të këtij fjalori.

Duke e quajtur “huçje” totale  e të turpshme, historianë dhe veprimtarë të shumtë në Kosovë, kanë kërkuar tërheqjen e tij, sa më shpejt që të jetë e mundur.

Deputeti i LDK-së: Përmbajtja e Fjalorit Enciklopedik të Kosovës, e turpshme

Image
Armend Zemaj

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj ka reaguar lidhur me përmbajtjen e Fjalorit Enciklopedik të Kosovës, i cili është botuar në dy vëllime nga Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës (ASHAK). Ai ka pasur një polemikë me Akademik Mehmet Krajën, lidhur me botimin në fjalë, duke e kritikuar për lënien jashtë të shumë figurave atdhetare.

“Atë që e bëj me pasion është demaskimi i njëanshmërisë dhe pretenduesve që janë vetë historia, por e kaluara e tyre është e dyshimte dhe më të kaluar kriminale. Nuk ka nevojë për shumë dije historike për të vlerësuar enciklopedinë ( me ju kryeredaktor) sepse gjerat janë të freskëta për mbamendje dhe për njohje të rrethanave e mbi të gjitha të individëve që ju, iu keni besuar për të hartuar zëra në këtë enciklopedi. Andaj pasi që po paragjykon në subjektivizëm unë po ju shtroj disa pyetje ju këtu direkt??; pse nuk janë deputetët e 2, Korrikut 1990, pse nuk janë deputetët e viteve 92/98, pse nuk janë njerëzit e dëshmuar në kohërat më të vështira në përpjekjet për liri e pavarësi siç janë; Smajl Hajdaraj, komandat i UÇK-së, deputet i Parlamentit; Ukë Bytyqi, komandant i UÇK-së, kryetar Komune;  Ismet Rraci veprimtar e kryetar Komune; Tahir Zemaj komandant i UÇK-së, udhëheqës dhe fitues i Betejës së Loxhës;  Xhemajl Fetahaj, komandant i UÇK-së, veprimtar;  Abaz Thaqi ushtarak dhe luftëtar i Betejës se Koshares; Shaban Manaj veprimtar; Faruk Spahiu, Agim Hajrizi, Lumni Surdulli, Nazif Ramabaja, Mentor Tolaj, Isuf Haklaj , Sebahate Tolaj, Skender Rexhahmetaj, Myvlyde Saraqi, Sanije Aliu, Naxhije Doqi, Fadil Ferati, Bekim Kastrati, Besim Dajaku, Mark Malota, etj etj. Por, zotëri profesor, Akademik ju redaktuat zëra dhe ngjarje që janë të pavërteta, nepotiste, të ndikuara nga grupe kriminale dhe jeni ra në grackën ( friken) e tyre. Sido që të jetë ndoshta është më e mira që keni anashkaluar këta dhe shumë të tjerë meritor, sepse aty keni vendosur kriminelë ordiner, vrasës të shqiptarëve, gjatë kohërave të hershme, luftës së fundit dhe pas saj. Aty kanë zënë vend p.sh për Vaso Çubrilovicin, Sulltanat famkeq dhe diletantet politik”, ka thënë Zemaj.

Por, deputeti Zemaj nuk është i vetmi që ka reaguar ndaj kësaj vepre.

Tekst shkrues, historian dhe intelektual të pavarur, kanë shprehur të njëjtin mendim për etiken profesionale.

Për më tepër Zemaj ka ftuar edhe organet e hetuesisë që të merren me këtë cështje.

Në të njëejtën linjë pothuajse është edhe historiani Shkodran Imeraj.

Imeraj duke folur për gazetën “Bota sot” ka thënë se kryeredaktori, akademik Mehmet Kraja ka gabuar rëndë.

Përfshirje selektive, Mehmet Kraja ka gabuar rëndë

Image
Shkodran Imeraj

Imeraj i ka përmendur disa nga delegatët e 2 korrikut që nuk janë përfshirë fare në këtë fjalor, e ku sipas tij këta delegatë kanë pasur peshën e tyre në shtetin e Kosovës.

“Para disa ditësh institucioni më i lartë shkencor i Republikës së Kosovës, Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës (ASHAK), botoi për herë të parë “Fjalori Enciklopedik i Kosovës” vëllimi I-II, një nga projektet më të mëdha shkencore në historinë e shtetit tonë. Vëllimet e kësaj vepre janë përgatitur për botim nën përkujdesjen e anëtarit të ASHAK-ut, akademik Mehmet Kraja, dhe në hartimin e saj kanë marrë pjesë mbi pesëqind (500) tekst shkrues. Duke shfletuar këtë vepër, sidomos zërat që i takojnë periudhës 1945-1999, sheh se në atë periudhë pa “dashje” apo me “qëllime” të caktuara, janë devijuar shumë ngjarje dhe personalitete historike. Reagimi im si historian, ka ndërlidhet me tri segmente të rëndësishme të historisë sonë, në të cilat kryeredaktori i saj, akademik Mehmet Kraja, ka gabuar rëndë: - Aty nuk janë përfshirë ish-delegatët e Kuvendit të Kosovës, të cilët më 2 korrik të vitit 1990 miratuan Deklaratën Kushtetuese dhe më 7 shtator të vitit 1990 miratuan Kushtetutën e Republikës së Kosovës” ka thënë ai.

Tutje, Imeraj ka shtuar se, Akademia dhe Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, është mirë që të tërheq këtë vepër dhe vetëm kur të behën plotësimet e duhura të hidhet në publik.

“Disa prej tyre janë futur në mënyrë selektive. - Po ashtu, është e habitshme se si nuk janë përfshirë as deputetët e Kuvendit të Kosovës, të cilët më 17 shkurt 2008, shpallën Kosovën shtet të pavarur dhe sovran, pavarësi kjo e njohur më shumë së gjysma e botës demokratike. Është edhe më absurde se si në këtë vepër nuk janë përfshirë të gjithë Heronjtë e Kosovës, të cilët me dekrete të veçanta janë nderuar me këtë titull nga institucioni i Presidentit, pra nga Presidenti Ibrahim Rugova e deri tek Presidenti Hashim Thaçi. Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, është mirë që të tërheq këtë vepër dhe vetëm kur të bëhen plotësimet e duhura të hidhet në publik.”ka përfunduar ai.

Ndikimi politik

Image
Faik Krasniqi

Analisti politik, Faik Krasniqi ka thënë për gazetën “Bota sot” se lënia jashtë e shumë figurave të shquara kombëtare, ka të bëj edhe me orientimin ideologjik dhe vendlindjen prej nga vijnë ato figura kombëtare dhe politikanët aktualë.

“Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës gjithmonë ka qenë e ndikuar politikisht. Këtij institucioni më së paku mund t'i them institucion Shkencor. Nuk mbaj në mend të kenë bërë diçka në të mirë të kombit dhe shtetit. Një institucion që nuk bën asgjë në të mirë të shtetit, s'mund t'i themi institucion. Kurrë nuk e ngritën zërin për degradimit e shtetit, e në veçanti të arsimit dhe kulturës. Edhe një pjesë e madhe e akademikëve të ASHAK-ut, janë përzgjedhur pa krijuar vepra shkencore ose artistike të një rëndësie të veçantë. Por edhe ata që kanë pasur krijime shkencore dhe artistike, i kanë pasur të botuara në revistë të dyshuara si mashtruese. Lënia jashtë e shumë figurave të shquara kombëtare, ka të bëj edhe me orientimin ideologjik dhe vendlindjen prej nga vijnë ato figura kombëtare dhe politikanët aktualë.” ka përfunduar Faik Krasniqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat