Qeveria Haradinaj po i humbë aleatët, vendi afër zgjedhjeve - Bota Sot
Qeveria Haradinaj po i humbë aleatët, vendi afër zgjedhjeve

Politika

Qeveria Haradinaj po i humbë aleatët, vendi afër zgjedhjeve

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 23 tetor 2018 Në ora: 16:07
Qeveria PANA-Lista Serbe

“Zgjedhjet si duket i shohin si zgjidhje edhe dikush nga aleatët e koalicionit qeverisës dhe vetëm pritet kur do të kemi veprime konkrete. Nuk di çka duhet të ndodhë më shumë që dikush nga ky koalicion t’i sheh dështimet, aferat dhe skandalet e kësaj qeverie degraduese dhe të marr guximin të stopojë duke u bashkangjitur në mocionin e LDK-së për rrëzim të saj" , është shprehur deputetja e LDK-së, Bunjaku-Rexhepi.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi nuk po heqë dorë nga ideja e tij për “korrigjimin e kufijve” dhe Qeveria e Kosovës është përfshirë nga skandalet.

Rasti i fundit është arrestimi dhe paraburgimi i zëvendësministrit Musa Cena, nën dyshimin për marrje të ryshfetit.

E pas gjithë këtyre zhvillimeve, opozita po vazhdon të këmbëngulë në idenë e saj se vetëm shkuarja në zgjedhje e nxjerr vendin nga kriza.

Image
Valentina Bunjaku Rexhepi

Bunjaku Rexhepi: Zgjedhjet si duket i shohin si zgjidhje edhe dikush nga aleatët e koalicionit

Deputetja Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valentina Bunjaku Rexhepi, ka thënë se partia e saj është deklaruar kaherë se kjo qeveri nuk mund të dërgojë procese të rëndësishme përpara.

Sipas saj, skandalet e kësaj keqqeverisje nuk po ndalen por përkundrazi po shtohen.

"Tash edhe rasti i fundit i arrestimit të zv. ministrit por edhe veprime tjera të dëmshme edhe më shume janë indikator të  zgjedhjeve të reja për të cilat LDK-ja vazhdimisht po insiston derisa të krijojë numrin e nevojshëm për mocion. Zgjedhjet si duket i shohin si zgjidhje edhe dikush nga aleatët e koalicionit qeverisës dhe vetëm pritet kur do të kemi veprime konkrete. Nuk di çka duhet të ndodhë më shumë që dikush nga ky koalicion t’i sheh dështimet, aferat dhe skandalet e kësaj qeverie degraduese dhe të marr guximin të stopojë duke u bashkangjitur në mocionin e LDK-së për rrëzim të saj" , është shprehur deputetja Bunjaku-Rexhepi.

Image
Nexhat Haziri

Haziri: Mungon serioziteti brena partive opozitare

Kurse,opinionisti Nexhat Haziri, ka thënë për “ Bota sot” se janë të shpeshta deklaratat që vijnë nga zyrtar të LDK-së por edhe nga partitë e tjera opozitare për rrëzimin e qeverisë Haradinaj.

Mirëpo sipas tij, nuk po vërehet veprim konkret apo seriozitet edhe të LDK-ja edhe të partitë e tjera opozitare për ti dhënë epilog këtij procesi.

“Ne nuk po shohim ndonjë veprim konkret apo seriozitet edhe te LDK-ja edhe të partitë e tjera opozitare për ti dhënë epilog këtij procesi. Por mendoj se ngritja e mocionit për rrëzimin e qeverisë Haradinaj, që do të ishte edhe një stopim i ideve të presidentit Hashim Thaçi për korrigjim e kufirit me Serbinë që në fakt është ndarja e Kosovës. Pra, përkundër kësaj keqqeverisje, skandaleve të ndryshme, imazhit gjithnjë negativ të qeverisë Haradinaj qoftë në opinionin e brendshëm, por edhe në rrafshin ndërkombëtar, partitë opozitare nuk po mund të mobilizohen dhe të kenë veprime të përbashkëta për rrëzimin e qeverisë Haradinaj”, ka thënë Haziri.

Image
Skender Zogaj

Zogaj: Askush në Kosovë nuk po heq dorë nga e keqja

Sipas tij, këtë situatë të pa konkretizuar me veprime të përbashkëta në mes kampit opozitar, më së miri po e shfrytëzon presidenti Thaçi, i cili më këmbëngulje po i shtynë përpara idetë e dhe projektet e veta “anti -shtetërorë të Kosovës”, e që në një masë të madhe është duke u ndihmuar edhe nga qeverisja e kryeministrit Haradinaj.

Ndërsa, analisti politik Skender Zogaj, ka thënë se gjendja politike nuk është aspak e mirë pasi është duke e mbajtur Kosovën në ankth, madje Zogaj ka arsyetuar edhe kërkesën e LDK-së, që vendi të shkojë në zgjedhje.

Sipas tij, edhe pse në kushtet dhe rrethanat aktuale, as zgjedhjet e reja nuk mund të ofrojnë ndonjë shpresë të sigurte për tejkalimin e krizës, megjithatë është mirë të ndodhin.

“E them këtë për faktin se strukturat e krimit të organizuar ekonomik janë jashtëzakonisht të forta dhe rezultati i zgjedhjeve të reja do të jetë krejtësisht i blerë. Ky fakt i ka dhënë flakë skenës politike, e cila me zhurmime dhe veprime kryeneçe po përpiqet të krijojë sa më shumë turbullira, sepse kjo është mënyra më e mirë e fshehjes së peshqve të mëdhenj. Madje jo vetëm Presidenti Thaçi që nuk po heq dorë nga ideja e korrigjimit të kufijve, por askush në Kosovë nuk po heq dorë nga e keqja. Prandaj, kam frikë se zgjidhja e dëshiruar dhe e merituar për njerëzit e ndershëm ende është larg! Partitë politike, veçanërisht LDK-ja duhet të forcojë disiplinën e brendshme partiake dhe të ristrukturojë radhët e veta, nga aktivet te Kryesia qendrore dhe pastaj të kërkojë dhe t’i fitojë zgjedhjet me mbi 50 përçind. Ky duhet të jetë objektivi i LDK e pse jo edhe i partive të tjera, nëse e kanë qëllim nxjerrjen e Kosovës nga kriza aktuale”, ka thënë Zogaj.

Image
Hidajet Ahmeti

Ahmeti: Duhet të bashkohen të gjithë mekanizmat për ta rritur presionin ndaj kësaj qeverie megalomane

Ndërsa analisti politik, Hidajet Ahmeti, konsideron se vendi ka nevojë për zgjedhje të jashtëzakonshme.

”Gjykoj se vendi ka nevojë për zgjedhje të jashtëzakonshme, pasi Kosova meriton më mirë e më shumë e jo të nëpërkëmbët nga politikanë karrierist, pa vlera morale e intelektuale. Demokracia parlamentare nuk duhet të shndërrohet vetëm në formalitet procedural dhe t’ju imponohet numrave, por vlerat dhe merita e demokracisë duhet të jetë aspekti substancial të cilën nuk po e shohim në qeverinë aktuale. Sistemi parlamentar ka dobësi të shumta e mbi të gjitha në vendet në tranzicion, pasi qeveritë e koalicioneve të partive të shumta mbajnë pezull interesat publike shkaku i interesave të ngushta të partive të koalicionit që qeverisin”, është shprehur Ahmeti.

Sipas tij, situata aktuale nuk i përgjigjet nevojave qytetare e shtetërore , si shkak i keqqeverisjes së dhjetëra partive të koalicionit.

“Nga kjo gjendje e pashpresë duhet të bashkohen mekanizma të shumta parlamentar e jashtë parlamentar për të shtyrë këtë qeveri të dorë hiqet. Jemi të vetëdijshëm për vullnetin e opozitës parlamentare për ta quar vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme, por mungesa e numrave të nevojshëm për ta shkurtuar jetën kësaj keqqeverisje është e pamundur. Prandaj duhet të bashkohen të gjithë mekanizmat institucional e jashtë institucional për ta rritur presionin ndaj kësaj qeverie megalomane”, ka thënë analisti politik Hidajet Ahmeti.

Image
Faton Mehmeti

Mehmeti: Opozita duhet të jetë unike

Ndërkaq, analisti politik Faton Mehmeti, ka thënë se, opozita duhet të jetë unike dhe të bindet që i ka numrat, e pastaj të paraqes mocionin e besimit ndaj kësaj qeverie.

"Mendoj se kjo qeveri e ka humbur të  drejtën morale për të qeverisur në këtë vend. Gjithsesi mendoj se kjo qeveri do të vet shkarkohet, si rezultat i pazareve të  dështuara të Thaçit për t'iu shmangur Gjykatës Speciale, dhe që pikërisht Thaçi do të jetë ai që do ta qoj vendin në  zgjedhje. Kjo do i ndihmonte që të blinte kohë për shkak të zgjedhjeve, e pastaj zhvillimet tjera do të ishin në favor të tij. Kjo  qeveri do të jetë në  këmbë derisa Thaçi nuk cenohet nga rreziku i Gjykatës Speciale, në momentet e para që merr indikacione se mund të arrestohet kjo qeveri do të bie. Ndërkohë që opozita nuk duhet të fërkoj duart por duhet që pushtetin ta merr si rezultat  i fitimit të besimit nga qytetarët e jo nga fatkeqësitë e të tjerëve" është shprehur analisti politik Faton Mehmeti.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test
Tjera