Qeveria e inatit, pasurimit dhe keqpërdorimit të buxhetit

Politika

Qeveria e inatit, pasurimit dhe keqpërdorimit të buxhetit

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 24 tetor 2018 Në ora: 21:25
Qeveria e Kosovës, foto arkiv

“Kjo Qeveri është Qeveri e inatit, pasurimit dhe keqpërdorimit të buxhetit, shfrytëzim i hapësirës në mungesë të ligjit dhe zbatimit të tij dhe zbulimi i kategorive për të ju dhënë para falas që ata mandej të kenë borxh votën”, thotë publicisti Haki Abazi për “Bota sot” .

Kosova ka 21 ministri me afër 100 zëvendësministra e qindra këshilltarë të cilët paguhen me rroga të majme nga buxheti i varfër shtetit.

Për të mos mjaftuar kjo, Qeveria me kryeministër Ramush Haradinaj, buxhetin edhe ashtu të “lodhur”, me vendimin për rritje pagash e gërryen edhe më shumë.

Njohësit e çështjeve politike në Kosovë, vlerësojnë se një Qeveri e tillë me kaq shumë ministri, zëvendësministra dhe qindra këshilltarë po ta udhëhiqte Kinën do të ishte turp, e lëre më Kosovën, e cila është sa një qytet në vendet perëndimore.

Sipas analistëve, Kosovës nuk i duhet më shumë se 12 ministri maksimumi.

Raporti i GAP

Institutit GAP vlerëson se, në mënyrë që Qeveria e Kosovës të funksionojë në mënyrë optimale dhe të shmang problemin e shpërndarjes së kompetencave nëpër ministri të ndryshme, do të duhej të ulte numrin e ministrive nga 21 në 13.

“Sipas përllogaritjeve tona, nga kjo ulje e numrit të ministrive, vetëm nga shpenzimet e pagave, telefonisë mobile dhe drekave, buxhetit të Kosovës do t’i kurseheshin rreth 3.2 milionë euro në vit apo 12.9 milionë euro për një mandat qeverisës prej katër vitesh”, thuhet në raportin e GAP-it.

Image
Muhamet Kelmendi

Njohësi i çështjeve juridike në Kosovë dhe zëvendësministri i Arsimit, Muhamet Kelmendi, thekson se, kjo çështje duhet të rregullohet me një ligj të veçantë, ligj ky që përcakton çartë mënyrën e funksionimit ligjor në bazë të Kushtetutës së Kosovës.

Ai thotë se këtë ligj duhet Kuvendi ta nxjerrë, për të rregulluar çështjen e Qeverisë, Kuvendit dhe Presidencës.

“Me ligj duhet të përcaktohet mënyra e funksionimit të Kuvendit që të bëhen bashkë pozita dhe opozita, në mënyrë që të nxjerrët ashtu siç duhet të përcaktohet numri i ministrive ku mund të lihet një diferencë për një eventualisht dy ministri, sepse koalicionet nganjëherë e mundësojnë që të dalin jashtë asaj që duhet me qenë, apo detyrojnë koalicionin diçka që nuk kanë dëshirë fare hiq. Pra, me ligj nëse bëhen 14 ministri, duhet të lihet diferenca deri në 15 apo 16, që pas koalicioneve të detyrueshme të ketë hapësirë, dhe pas kësaj të përcaktohet numri i zëvendësministrave, një eventualisht dy maksimumi për një ministri dhe jo më tepër, pra ka dikaster që duhet vetëm një zëvendësministër dhe ka dikaster ku duhen dy, dhe me ligj të përcaktohet edhe mënyra e funksionimit të ministrive”, thotë Kelmendi për gazetën “Bota sot”.

Kelmendi: Ligji duhet të jetë ai që e përcakton funksionimin e Qeverisë

Ai shton se, raporti mes ministrave dhe zëvendësministrave, raporti në mes ministrit dhe këshilltarëve si dhe në rregulloren e punëve të ministrave të caktohet edhe detyra e zëvendësministrave, sepse ke aktualisht një numër mjaft të madh të cilët nuk po angazhohen fare në punë, andaj sipas tij, zëvendësministrat kanë një përgjegjësi të madhe para popullit dhe duhet të meritojnë rrogën e tyre që e marrin.

“Pra, mendoj se këto tri fusha duhet të rregullohen me ligj. Ligji duhet të jetë ai që e përcakton funksionimin e Qeverisë, funksionimin e Presidencës, funksionimin e Kuvendit dhe ministrave dhe detyron ministrin me ligj se si ai duhet të bashkëpunoj me qytetarët, si duhet ta udhëheq ministrinë, se si duhet ta ketë edhe raportin me zëvendësministra në mënyrë që me të vërtet kjo çështje të ec siç duhet”, përfundon Kelmendi.

Tali: Qeveri të bie një minutë e më përpara

Image
Driton Tali

Ndërsa, ish-deputeti i Kosovës, Driton Tali, mendon se, kjo Qeveri e ka humbur kuptimit tërësisht.

“Ramush Haradinaj është duke e përdor Qeverinë si byro për punësim të bashkëpunëtorëve te tij, për shkak se PDK-ja i ka ngopur ndërmarrjet publike me militante të vet, po ashtu edhe Qeveria përshkak se me kohë i kanë punësuar partitë politike dhe nëpunësitë, tash Ramush Haradinaj në mungesë të vendeve të lira të domosdoshmërisht e ka stërngopur Qeverinë e tij. Pra kem te bëjmë vetëm me Qeverinë dhe jo me aparatin shtetëror. Andaj sot i kemi 100 zëvendësministra, Haradinaj vet i mbanë 36 këshilltar dhe me qindra sosh janë në ministri tjera, njerëz që kot marrin paga nga buxheti i varfër i Kosovës”, thotë Tali për gazetën “Bota sot”.

Sipas ish-deputetit, ky marifet nuk ka ndodhur askund në botë, pos në Kosovë.

“Sa i përket rregullimit ligjor, mendoj se me ligj gjithçka nuk mund të rregullojmë, duhet me i lënë edhe arsyes edhe moralit por siç duket Ramush Haradinaj, nuk ka as moral, por edhe e ka humb atë pak arsye që e kishte dikur, prandaj duhet kjo Qeveri të bie një minutë e më përpara, sepse është Qeveri e turpit, një popullatë 2 milionëshe që nuk është më shumë se një qytet metropol i Evropës. Kemi një Qeveri e cila është e madhe edhe për Kinën. Do të ishte turp kjo Qeveri edhe sikur ta qeveriste Kinën me mbi 1 miliardë banor”, përfundon Driton Tali.

Abazi: Kjo Qeveri është Qeveri e inatit, pasurimit dhe keqpërdorimit të buxhetit

Image
Haki Abazi

Analisti politik, Haki Abazi thotë se, i gjithë kompozicioni qeverisës është një formë e akomodimit për me mbetë gjallë një Qeveri, që në fakt nuk i ka numrat dhe nuk është funksionale.

“Kjo Qeveri është Qeveri e inatit, pasurimit dhe keqpërdorimit të buxhetit, shfrytëzim i hapësirës në mungesë të ligjit dhe zbatimit të tij dhe zbulimi i kategorive për të ju dhënë para falas që ata mandej të kenë borxh votën. Kjo Qeveri edhe me dashtë nuk mund të jetë zhvillimore sepse është shumë e rëndë për të funksionuar, nuk e di se kush çka bën dhe siç e pamë ka edhe korrupsion e shfrytëzim të pozitës zyrtare në të gjitha anët. Kosova me 1.8 Milion banorë nuk i duhet asnjë ministri më shumë se 10-12 ministri dhe kjo duhet të përcaktohet me ligj që numri i ministrive nuk mund të rritet pa 2/3 e parlamentit. Gjithashtu edhe stafi i administratës publike duhet të zvogëlohet duke ju dhënë mundësi që ata njerëz të punojnë në sektor privat dhe forma tjera, por jo për të qenë barrë e buxhetit dhe pengesë e proceseve administrative”, pohon Abazi për gazetën “Bota sot”.

Kurse, profesor Dr. Binak Maxharraj thekson se, Qeveria Haradinaj, po e edhe ato të më hershmet, më tepër janë Qeveri partish se Qeveri e shtetit.

Maxharraj: I gjithë ky aparat i tejzmadhuar i kushton buxhetit të Kosovës

Image
Prof. Dr. Binak Maxharraj

Ai thotë se, gati çdo Qeveri duhet më ia bë “qefin” partive politike, që do të thotë së Kryeministri nuk i ka duart e lira për t'i zgjedhë vet ministrat, por ata i dërgojnë partitë e koalicionit, të mirë ose të këqijtë qofshin, me precedent kriminal apo jo.

“Pasi që partitë politike, e jo Kryeministri i zgjedhin ministrat dhe i dërgojnë në Qeveri, kjo shkakton për krijimin e një Qeverie megalomane, tejmase siç është kjo e Haradinajt ku janë 21ministri më gati 100 z/ministra. I gjithë ky aparat i tejzmadhuar i kushton buxhetit të Kosovës. Në rrethanat normale për Kosovën si një shtet relativisht i vogël normalisht do të duhej t'i ketë vetëm 12 ministri më nja 24 z/ministra. Me këtë rast puna do të kryhej njësoj si më 21 ministri dhe më 100 z/ministra”, thotë Maxharraj për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, me këtë rast do të kurseheshin miliona euro të cilat do të destinoheshin për zhvillimin ekonomik apo në ndonjë lëmi tjetër, që do të kishte edhe vetë shteti dobi.

“Dhe krejt në fund që ti ikët një tradite të tillë, është mese e domosdoshme që numri i ministrave të sanksionohet më një ligj të posaçëm për madhësinë e Qeverisë, të cilin duhet ta nxjerr Parlamenti i Kosovës. Më këtë do të shmangej mundësia e krijimit të qeverive me shumë ministri, ku edhe ndikimi i partive politike do të ishte dukshëm më i vogël”, përfundon Binak Maxharraj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat