Deputetët njëzëri: Kuvendi t`i marrë frenat e dialogut

Politika

Deputetët njëzëri: Kuvendi t`i marrë frenat e dialogut

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 25 tetor 2018 Në ora: 21:35
Hashim Thaçi, Federica Mogherini dhe Aleksandar Vuçiq, foto arkiv nga bisedimet në Bruksel

Opozita vazhdimisht ka pasur pakënaqësi dhe ka kundërshtuar presidentin Thaçi për dialogun me Serbinë.

E deputetja nga radhët e LDK-së, Melihate Tërmkolli, ka propozuar që në Kuvendin e Kosovës të miratohet një ligj për bisedimet me Serbinë, pasi rezolutat jo vetëm që kanë dështuar, por edhe po të miratoheshin, mund të konsideroheshin të dështuara, për shkak se zakonisht nuk respektohen.

“Rezolutat në Kuvendin e Kosovës për bisedime me Serbinë dështuan, jo veç pse nuk u miratuan por edhe po të ishin miratuar, mund të konsiderohen të dështuara ngase rrallë herë respektohen nga institucionet të cilave iu drejtohen. Nuk respektohen, në radhë të parë sepse nuk kanë fuqi detyruese sa ligji. Mund të quhet e pazakontë, por askush nuk e ndalon Kuvendin e Kosovës të bëjë një ligj për bisedimet”, është shprehur ajo në një shkrim autorial.

Sipas Tërmkollit, me ligjin për bisedimet do të mund të përcaktoheshin parimet, formati, përbërja e ekipit dhe mekanizmat tjerë për dialogun.

“Me ligj të veçantë për bisedime do të mund të përcaktoheshin parimet bazë të bisedimeve, formati i bisedimeve në kuptimin institucional dhe përmbajtësor, përbërja institucionale e ekipit për bisedime, mënyra e zgjedhjes apo emërimit të tij dhe mekanizmave tjerë ndihmës, ekipe profesionale të ekspertëve etj. Me ligj mund të përcaktohet kuadri brenda të cilit mund të zhvillohen bisedimet dhe të arrihen marrëveshje, përfshirë detyrimet ndaj Kuvendit. Në mungesë të një dokumenti për definimin e interesave nacionale të Kosovës dhe qytetarëve të saj, ligji i tillë do të ndihmonte në një masë në drejtimin e procesit të bisedimeve. Ligji mund i përgatitet nga Kuvendi ose me propozim të Qeverisë dhe do të duhej të përkrahej nga të gjithë, të miratohej me konsensus institucional politik”, ka thënë deputetja e LDK-së.

Rugova: Dialogu me Serbinë duhet të mandatohet nga Kuvendi

Image
Naser Rugova

Sa është e mundur që të bëhet një ligj i tillë, duke marrë parasysh se rezolutat e deritanishme nuk janë zbatuar?

Se a duhet të ketë ligj në Kuvend për bisedimet me Serbinë, deputeti nga radhët e LDK-së, Naser Rugova, ka thënë për gazetën “Bota sot” se Kuvendi miraton platformë për bisedime dhe ligj të veçantë.

“Kuvendi miraton platformë për bisedime dhe jo ligj të veçantë për dialog me ndonjë shtet të caktuar, marrëveshja e arritur prapë duhet të kthehet në Kuvend për ratifikim”, është shprehur ai.

Deputeti Rugova tha se në Kuvend duhet të votohet platforma dhe vijat e kuqe dhe nëse arrihet marrëveshja, prapë të votohet në Kuvend.

“Prandaj dialogu me Serbinë duhet të mandatohet nga Kuvendi, të votohet platforma dhe vijat e kuqe, të ruhet sovraniteti dhe rendi kushtetues, të miratohet përmbajtja e platformës, nëse arrihet marrëveshja prapë Kuvendi me 2/3 vendos a ta miratojë a jo”, ka deklaruar Naser Rugova për “Bota sot”.

Millaku: Praktika e deritanishme e bisedimeve ka qenë katastrofale

Image
Drita Millaku

Ndërsa, deputetja nga radhët e VV-së, Drita Millaku, ka thënë për gazetën “Bota sot” se duhet të miratohet një ligj për dialogun me Serbinë dhe të caktohen vijat e kuqe për temat që nuk duhet hapur në këto bisedime.

“Duke pasur parasysh se ne kemi përvoja të këqija me rrjedhën e bisedimeve si dhe kemi pasur probleme në caktimin e bartësve të përgjegjësive duke e lidhur këtë me individë të caktuar por edhe për të vënë kufij në atë se deri ku duhet shkuar në negocime apo lëshime eventuale atëherë përpilimi i një ligji do të ishte edhe lehtësues dhe i dobishëm. Ky ligj do të duhej të vinte vija të kuqe për temat të cilat nuk duhet hapur apo nuk duhet negociuar me Serbinë si dhe do të ishte i mirëseardhur për të kufizuar mandatin e negociatorëve”, ka theksuar Millaku.

Sipas saj, ky ligj duhet të bëhet në pajtim me partitë politike dhe shoqërinë civile, pasi deri tani Millaku thotë se, dialogu është udhëhequr nga njerëz jo profesional dhe pa platformë.

“Gjithashtu mendoj se ky ligj do të duhej të punohej me kujdes dhe do të duhej të sillej me konsensus të plotë jo vetëm të partive politike por edhe të shoqërisë civile dhe të botës akademike. Praktika e deritanishme e bisedimeve ka qenë katastrofale me Kosovën dhe kjo për shkak se në bisedime kane marrë pjesë njerëz jo profesional dhe nuk kanë pasur një platformë, pra është bërë pa parime”, ka vlerësuar deputetja Drita Millaku për “Bota sot”.

Nitaj: Kuvendi i Kosovës vendos për dialogun, përmbajtjen, ekipin çfarëdo marrëveshje me Serbinë

Image
Muharrem Nitaj

Në anën tjetër, deputeti nga radhët e AAK-së, Muharrem Nitaj nuk e sheh të nevojshëm një ligj të tillë, pasi sipas Kushtetutës vendos Kuvendi dhe nuk mund të jetë ndryshe.

“Jo nuk ka nevojë për kurrfarë ligji. Kushtetuta e parasheh qartë se për këtë çështje vendos Kuvendi i Kosovës. Kuvendi i Kosovës vendos për dialogun, vendos për përmbajtjen, vendos për platformën, për ekipin e negociatave dhe në fund edhe për çfarëdo marrëveshje me Serbinë. Kështu e parasheh Kushtetuta dhe nuk mund të ndodhë ndryshe”, ka deklaruar Nitaj për gazetën “Bota sot”.

Kurse, Violeta Haxholli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka thënë për gazetën “Bota sot” se një ligj i tillë nuk është i nevojshëm, pasi parimet për politikën e brendshme dhe të jashtme të Kosovës janë të përcaktuara me Kushtetutë.

Image
Violeta Haxholli

“Jo nuk mendoj se është i nevojshëm një ligj i veçantë për dialogun duke qenë se juridikisht parimet e përgjithshme të funksionimit të shtetit të Kosovës si për politikën e brendshme ashtu edhe atë të jashtme janë të përcaktuara shumë qartë në Kushtetutën e Kosovës”, është shprehur ajo.

Por, Haxholli thotë se duhet të hartohet një platformë për dialogun në frymën e Kushtetutës.

“Ajo që do duhej të bëhet është që institucionet bartëse të dialogut të draftojnë një platformë shtetërore për dialogun në frymën e Kushtetutës. Në mënyrë që të definojnë qartë objektivat e Kosovës nga kjo fazë e dialogut, agjendën dhe ekipin nuk është mirë për shtetin e Kosovës që ka filluar këtë fazë të dialogut pa platformë”, ka deklaruar Violeta Haxholli nga KDI.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat