Takimi i Parisit, alarmi që po vije për Kosovën

Politika

Takimi i Parisit, alarmi që po vije për Kosovën

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 26 tetor 2018 Në ora: 14:53
Aleksandar Vuçiq, Hashim Thaçi dhe Emmanuel Macron

Presidenti francez, Emmanuel Macron, më 11 nëntor është nikoqir i shumë liderëve botërorë, që do të marrin pjesë në manifestimin e përvjetorit të 100-të të armëpushimit, i nënshkruar në mes të Forcave Aleate dhe Gjermanisë për përfundimin e Luftës së Parë Botërore në Frontin Perëndimor. Përveç shumë liderëve botërorë që do të marrin pjesë, Macron e ka ftuar edhe Presidentin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.

E në shumë media është raportuar që në Paris do të ketë takim për dialogun mes presidentit Thaçi dhe Vuçiq.

Gjatë ditës së sotme, Thaçi ka thënë se në Paris nuk do të ketë asnjë diskutim për dialogun me Serbinë dhe idenë e tij për “korrigjim kufiri” mes dy shteteve.

“Natyrisht se Kosova do të marrë pjesë sikur të tjerët në këtë konferencë të thirrur nga presidenti francez Macron. Kjo është një mundësi e mirë e promovimit të shtetit të Kosovës tek vendet që se kanë njohur Kosovën, por po e them se aty nuk do të ketë dialog Kosovë – Serbi por vetëm mundësi të afirmimit të shtetit”, tha Thaçi gjatë ditës së sotme.

Por, nga raportimet se në Paris mund të diskutohen kufijtë e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës ka thirrur menjëherë një seancë të jashtëzakonshme, ku sipas tij Kuvendi duhet t’i vendosë vijat e kuqe Thaçit.

“Edhe pas kundërshtimit të gjerë kundër shkëmbimit të territoreve apo korrigjimit të kufijve, Presidenti vazhdon angazhimin e tij antikushtetues për ta bërë këtë temë pjesë të dialogut me Serbinë. Gjendja është kritike pas paralajmërimit për diskutimin e kësaj teme në konferencën në Paris më 11 nëntorit 2018. Seanca e jashtëzakonshme e opozitës, e kërkuar më 4 shtator 2018 për të aprovuar një rezolutë kundër përfshirjes së kësaj teme në dialog, u pamundësua nga koalicioni PAN. Që nga atëherë, Kryetari i Kuvendit ka bllokuar thirrjen e kësaj seance me arsyetimin absurd se opozita duhet të sigurojë 61 deputetë në sallë. Ne sot kemi dorëzuar kërkesë të re për seancë të jashtëzakonshme për të vendosur vijën e kuqe në dialog, se territori i Kosovës është një dhe i pandashëm, dhe se askush nuk mund të negociojë për territorin e Kosovës”, ka shkruar shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti.

Image
Haki Abazi

Por sa ka gjasa që në Paris të diskutohet për kufijtë e Kosovës?

Lidhur me këtë, njohësi i zhvillimeve politike në Kosovë, Haki Abazi, në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka thënë se favoret e Thaçit ndaj francezeve datojnë që nga viti 1999.

“Gjithsesi që ekziston një dallim i madh ndërmjet qëndrimit të shteteve kryesore të mbështetjes së pavarësisë dhe shtetit francez, kjo gjë me është ditur. Pyetja është pse Thaçi po i nënshtrohet një presioni te tille dhe unë besoj qe kjo çështje ka filluar qe nga 99 dhe favoret ekonomike qe Thaçi ju ka bere grupeve të ndryshme franceze ne Kosovë është arsyeja kryesore dhe ato grupe bëjnë presion edhe tek politika franceze që të realizohen agjenda dhe interesa të caktuara. Po mendoj që ka me qenë shume e vështirë për këdo të flasë apo të bëjë marrëveshje pa mandat dhe pa mbështetjen e popullit. Me mos liberalizmin e vizave besoj që këto pazare kanë përfunduar”, është shprehur Abazi.

Image
Faik Krasniqi

Ndërsa, analisti politik, Faik Krasniqi jep alarmin për diskutimin e kufjeve të Kosovës në Paris.

“Dihet që Hashim Thaçi është njeri i tyre. Raportet e Thaçit me francezët janë për interesa të francezëve, por jo edhe për interesa të shtetit të Kosovës. Prandaj nuk do të çuditesha që një nga sponsorët e ndarjes së Kosovës apo korrigjimit të kufijve do të ishte Franca, dhe copëtimi i trojeve shqiptare të ndodh prapë në Paris siç ka ndodhur në Konferencat e Londrës, Berlinit dhe Versajës”, ka thënë Krasniqi.

Sipas tij, francezët po tregojnë dyfytyrësi ndaj shqiptarëve.

“Franca historikisht ka qenë aleate e Serbisë dhe Rusisë. Por tash francezët po tregojnë edhe dyfytyrësi. Në njërën anë shteti francez është kundër liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, kurse në anën tjetër Presidenti Macron fton Presidentin Thaçi në manifestimin e përvjetorit të 100-të të armëpushimit, mes Gjermanisë dhe Francës për përfundimin e Luftës së Parë botërore. Kjo tregon që Franca akoma mban qëndrim kundër shqiptarëve. Sikur Franca të ishte mik i shqiptarëve, nuk do të ishte kundër lëvizjes së lirë të shqiptarëve të Kosovës”, ka përfunduar analisti politik, Faik Krasniqi për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat