Kosova në fazën më kritike për liberalizimin e vizave

Politika

Kosova në fazën më kritike për liberalizimin e vizave

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 27 tetor 2018 Në ora: 08:04
Foto ilustruese

“Kosova ka përmbushur kriteret e kërkuara nga BE në këmbim të liberalizimit të vizave për qytetarët kosovarë. Një gjë e tillë është konfirmuar edhe nga vet autoriteti evropian, siç është Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian. Tashmë topi është tek autoriteti final i BE-së që në këtë rast është Këshilli i Bashkimit Evropian, i cili përfundimisht do ta adresojë kohën e saktë se kur kosovarët do të mund të udhëtojnë pa viza në Bashkimin Evropian”, është shprehur Sami Blakaj, njohës i integrimeve evropian.

Prej vitesh jepen afate kohore për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Mirëpo, izolimi vazhdon, pasi një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur. Së fundmi Kosova mori rekomandimin pozitiv për viza nga Komisioni Evropian, derisa ka mbetur ende që Kosovës t’i hiqet izolimi.

E derisa udhëheqësit e shtetit njëzëri kanë deklaruar se qytetarët do të mund të lëvizin të lirë brenda këtij viti, një gjë e tillë duket se nuk do të ndodhë.

Janë përmbushur kriteret  

Ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha ka paralajmëruar se nëse nuk sigurohet shumica e votave të nevojshme pro liberalizimit të vizave në Këshillin e Ministrave të BE-së, atëherë votimi i paraparë në fillim të dhjetorit të këtij viti mund të shtyhet.

“Nëse nuk ka shumicë gjatë votimit për liberalizimin e vizave te Këshilli i Ministrave vendimi për votim shtyhet derisa nuk merret qëndrimi pozitiv i shumicës së anëtarëve të Këshillit të Ministrave. Kosova i ka kryer të gjitha obligimet e veta, këtë e ka konfirmuar edhe Komisioni Evropian me rekomandim pozitiv. Askush nuk mund të mohojë kontributin e institucioneve tona”, ka thënë ministrja Hoxha.

E zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj, ka deklaruar se BE ka vendim politik për këtë, pasi Kosova i ka përmbushur kriteret.

“Ajo çfarë ne presim këtë vit është një vendim politik, natyrisht se nuk do të ketë mundësi që qytetarët e Kosovës të udhëtojnë më 2018-n pa viza, por ne presim që në dhjetor të ketë një vendim politik, i cili e qartëson se kur mund të udhëtojmë në vitin 2019 pa viza. Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret e mundshme. Neve na u është thënë se procesi është teknik, jo politik dhe nëse i kryejmë punët tona Kosova në fund të procesit do të shpërblehet. Ne i kemi bërë punët të cilat janë pritur nga ne dhe besoj se BE-ja do ta shpërblejë Kosovën me një gjë të tillë”, ka thënë Hoxhaj.

Se a janë përmbushur kriteret nga Kosova për liberalizim të vizave dhe sa mund të jetë politik vendimi për vizat nga BE, deputetë dhe njohësh të integrimeve evropiane kanë dhënë vlerësimet e tyre.

Zemaj: Deklaratat e njerëzve të Qeverisë po krijojnë paqartësi

Image
Armend Zemaj

Deputeti nga radhët e LDK-së, Armend Zemaj, duke komentuar deklaratën e Hoxhajt, ka thënë se deklarata të tilla për të folur në emër të BE-së janë konfuze dhe të pamatura, derisa luajnë me ndjenjat e qytetarëve për vizat.

“Deklaratat e njerëzve të Qeverisë rreth procesit aktual të liberalizimit të vizave, janë deklarata të pamatura, konfuze me të kaluarën e afërt, pa përgjegjësi institucionale, kinse edhe duke folur në emër të BE-së, janë deklarata të cilat po krijojnë vetëm paqartësi, njëherësh është lojë e keqe me ndjenjat e qytetarëve për liberalizimin e vizave”, është shprehur ai.

Deputeti thotë se qeveria me skandale dhe deformim të imazhit të Kosovës

Neve në vazhdimësi kemi ngritur këto shqetësime për papërgjegjësinë politike të kësaj qeverie, skandalet dhe deformimi i imazhit të Kosovës, ku siç duket tani këtë po e paguajmë edhe me vështirësimin e rrugës evropiane të Kosovës”, ka deklaruar Zemaj për “Bota sot”.

Kadriaj: Kriteri i krimit dhe korrupsionit nuk është kriter që përfundon me procesin e liberalizimit të vizave

Image
Time Kadrijaj

Ndërkaq, deputetja nga radhët e AAK-së, Time Kadrijaj, ka thënë për gazetën “Bota sot” se Kosova i ka përmbushur kriteret për liberalizim të vizave ka marrë rekomandim pozitiv për vizat.

“Në momentin që Kosovë iu ka dhënë rekomandimi pozitiv për liberalizim të vizave, është fakt që Kosova i ka përmbushur kriteret për liberalizim të vizave. Ju e dini që Kosova ka pasur më shumë kritere për liberalizim të vizave se sa shtetet e tjera. Është thënë që Demarkacioni, ai përfundoi, më pas luftimi i krimit dhe korrupsionit dhe në njëfarë formë Kosova i ka përmbushur që të gjitha. Kriteri i krimit dhe korrupsionit nuk është kriter që përfundon me procesin e liberalizimit të vizave por është një kriter i përhershëm, që duhet të luftohet përherë, në vazhdimësi”, ka theksuar ajo.

Sipas Kadrijajt tash varet nga Këshilli i Ministrave si do të votojë, derisa ajo thotë se ai duhet ta jep një datë se kur qytetarët e Kosovës do të mund të lëvizin lirshëm, pasi në të kundërtën do të jetë vendim politik.

“Mirëpo ju e dini që çështja e liberalizimit të vizave është dërguar në Parlamentin Evropian dhe nëse tash Këshilli i Ministrave dhe nëse caktohet që kosovarët nuk mund të lëvizin lirshëm, atëherë është vendim politik sepse shumë shtete janë në procese zgjedhore dhe mundohen t’i ruajnë ato dhe do të jetë e padrejtë nëse Këshilli i Ministrave nuk i jep rekomandim pozitiv dhe të caktojë një datë se kur qytetarët e Kosovës të mund të lëvizin lirshëm. Kosova është e përcaktuar për rrugën evropiane, populli i Kosovës është popull evropian dhe mbajtja izoluar për kaq vite me radhë është e pakuptimtë dhe pa logjikë”, ka deklaruar Time Kadrijaj për “Bota sot”.

Blakaj: Topi është tek autoriteti final i BE-së, Këshilli i Bashkimit Evropian

Image
Sami Blakaj

Në anën tjetër, njohësi i integrimeve evropiane, Sami Blakaj, duke folur për këtë temë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se Kosova i ka përmbushur kriteret për liberalizim të vizave dhe një gjë e tillë është konfirmuar nga Komisioni Evropian dhe se tani mbetet që Këshilli i ministrave të BE-së të tregojë datën e saktë se kur mund të lëvizin pa viza.

“Kosova ka përmbushur kriteret e kërkuara nga BE në këmbim të liberalizimit të vizave për qytetarët kosovarë. Një gjë e tillë është konfirmuar edhe nga vet autoriteti evropian, siç është Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian. Tashmë topi është tek autoriteti final i BE-së që në këtë rast është Këshilli i Bashkimit Evropian, i cili përfundimisht do ta adresojë kohën e saktë se kur kosovarët do të mund të udhëtojnë pa viza në Bashkimin Evropian”, është shprehur Blakaj.

Sipas tij, ky është stadi më i vështirë për Kosovën, për shkak të sistemi se si merret vendimi për vizat nga ky institucion.

“Ky afat kohor do të caktohet vetëm pas vendimit pozitiv të Këshillit të BE-së. Ky është stadi më i vështirë për Kosovën, për shkak të sistemit se si merret vendimi për vizat në këtë institucion. Ekziston sistemi i shumicës së kualifikuar, i cili i ka disa instrumente brenda vetes dhe që qëndrimi i shteteve e determinon kualifikimin e shumicës së nevojshme për Kosovën”, ka deklaruar Sami Blakaj për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat