Drejtori i Qendrës Kosovare për Diplomaci tregon kur do të mund të lëvizin pa viza qytetarët e Kosovës

Politika

Drejtori i Qendrës Kosovare për Diplomaci tregon kur do të mund të lëvizin pa viza qytetarët e Kosovës

Nga: G.B Më: 27 tetor 2018 Në ora: 15:21
Drejtori i Qendrës Kosovare për Diplomaci, Selim Daku

Duket se liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës nuk do të ndodhë brenda këtij viti, pavarësisht deklaratave prej kohësh të krerëve të shtetit.

Kështu së fundmi ka deklaruar dhe ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha.

E se qytetarët nuk do të lëvizin lirshëm në zonën Schengen këtë vit ka vlerësuar edhe drejtori i Qendrës Kosovare për Diplomaci, Selim Daku, i cili ka thënë se përmbushja e kritereve për liberalizim të vizave është konfirmuar në korrik të këtij viti.

“Komisioni Evropian në Maj të vitit 2016 ka propozuar Parlamentit Evropian dhe Këshillit të Evropës që t’i mundësonte qytetarëve të Kosovës lëvizjen pa viza në vendet e zonës Schengen. Ai propozim është shoqëruar me dy kushte përfundimtare, votimin e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi dhe vazhdimin e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Kjo ka nënkuptuar se Kosova ka plotësuar të gjitha standardet e kërkuara në udhërrëfyesin për liberalizim të vizave që në vitin 2016. Në korrik të vitit 2018 është rikonfirmuar edhe një herë përmbushja e të gjitha standardeve dhe dy kushteve për liberalizimin e vizave, kështu dhe nisi procedura administrative për të arritur atë qëllim”, është shprehur ai.

Sipas Dakut, qytetarët do të mund të lëvizin lirshëm në muajt e parë të vitit 2019.

“Shumë politikanë duke mos pasur informacionin e duhur për procedurat dhe zgjatjen e tyre, krijuan opinion publik se kjo çështja ka marrë fund. Deklarata e Hoxhajt është reale dhe bazuar në rrugën që kanë ndjekur shtetet tjera, mund të konkludojmë që qytetarët liberalizimin e vizave mund ta shijojnë vetëm në muajt e parë të vitit 2019”, ka theksuar ai.

Në lidhje me mundësinë që BE mund të marrë vendim politik që të mos liberalizojë vizat për Kosovën, Daku ka thënë se shtetet më me ndikim në BE kanë qëndrim kundër liberalizimit të vizave dhe që tani është e rëndësishme që procesi i liberalizimit të mos ngecë në asnjërin nga mekanizmat.

“Bashkimi Evropian është i përbërë nga shtetet anëtare. Shtetet më me impakt në BE nuk kanë qëndrim kundër liberalizimit të vizave për Kosovën. Në këtë moment për Kosovën është e rëndësishme që procesi i liberalizimit të vizave të mos ngecë në asnjërin nga mekanizmat nëpër të cilët duhet të kalojë procedura. Prandaj, është shumë me rëndësi që organet shtetërore të jenë vigjilente dhe të përcjellin aktivitetin deri në organin e fundit”, ka vlerësuar Selim Daku për “Bota sot”.

Sa i përket deklaratave të politikanëve në lidhje me afatet kohore për heqjen e vizave, ai ka thënë se ato duhet të merren me rezerva, por që me rezerva nuk duhet të merren deklaratat nga BE. “Deklaratat e politikanëve aktual duhet t’i marrim me rezerva. Me rezerva nuk duhet të marrim asnjëherë raportet dhe deklarimet e përfaqësuesve të Unionit Evropian, sipas të cilëve Kosova ka përmbushur kriteret dhe standardet e nevojshme për këtë proces të rëndësishëm. Prandaj kësaj radhe për herë të parë që nga vitit 2012 kur ka filluar dialogun për liberalizim të vizave, Kosova si shtet është në procedura të vendimmarrjes dhe se dihet se kjo procedurë do të ketë një epilog përfundimtar”, ka përfunduar drejtori i Qendrës Kosovare për Diplomaci, Selim Daku.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat