Koalicioni parazgjedhor do t’ua siguronte LDK-së dhe VV-së fuqishëm ardhjen në pushtet

Politika

Koalicioni parazgjedhor do t’ua siguronte LDK-së dhe VV-së fuqishëm ardhjen në pushtet

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 29 tetor 2018 Në ora: 08:14
Lideri i VV-së Albin Kurti dhe kryetari i LDK-së Isa Mustafa

Përkundër zërave të vazhdueshëm se dy partitë më të mëdha opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje janë afër një koalicioni parazgjedhor, edhe me tej po konsiderohet se mes këtyre dyjave ekziston një hendek i madh i cili nuk po e lejon që një dëshirë e tillë të kthehet në konkretizim.

Ishte deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli, ai i cili edhe zyrtarisht kishte paralajmëruar një koalicion parazgjedhor mes LDK-së dhe Vetëvendosjes, në mënyrë që t’i pamundësohej PDK-së të dilte e para me AAK-në dhe Nisma-n apo ndonjë parti tjetër.

Mirëpo, nga këto dy parti për gazetën “Bota sot”, janë deklaruar se janë kundër një koalicioni parazgjedhor. Ato njëzëri konsiderojnë se nuk përputhën mes vete; me koncepte ideologjike, politike dhe ekonomike. LDK dhe VV, siç deklaruan më shumë preferojnë të shkojnë të vetme në zgjedhje.

Ndërsa, analistët janë të mendimit se një koalicion mes këtyre dy partive, do të shënonte edhe fundin e qeverisjes nga partitë të ashtuquajturat "krahu i luftës", si dhe do ta çlironin vendin përfundimisht nga krimi i organizuar.

Osmani: LDK duhet të garojë me forcën e saj

Image
Naser Osmani

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Osmani, në një intervistë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se partia e tij nuk do të bëjë asnjë koalicion parazgjedhor me askënd.

Osmani ka bërë më dije se LDK duhet të garojë me forcën e saj, që siç ka thënë ai, për të arritur rezultate sa më të mira.

“Jo. Konsiderojë se Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do të bëjë asnjë koalicion parazgjedhor me askënd. Nuk do të ketë dhe nuk duhet të ketë dhe mendoj se gabuam që bëmë koalicion me AKR-në, sepse pastaj ishim dëshmitar se me votën e LDK-së u arrit që koalicioni të funksionalizohet. Prandaj, mendoj se LDK duhet të garojë me forcën e saj, me strukturën e saj, me qytetarët e Kosovës, me elektoratin e saj të devotshëm për të arritur rezultate sa më të mira”, ka thënë deputeti i LDK-së.

Sipas tij, LDK nuk përputhët me koncepte as ideologjike, as politike, as ekonomike dhe as sociale me Lëvizjen Vetëvendosje.

“LDK nuk përputhët me koncepte as ideologjike, as politike, as ekonomike dhe as sociale me Lëvizjen Vetëvendosje, mirëpo ne si LDK ketë subjekt e kemi partnerë të opozitës dhe ne duhet ta respektojmë si partnerë të fuqishëm opozitarë në rrëzimin e qeverisë. Pas zgjedhjeve është një çështje tjetër se me kënd LDK-ja do të bëjë koalicion, por parazgjedhor jo”, është shprehur Osmani i LDK-së për gazetën “Bota sot”.

Lajqi: Vetëvendosje duhet t'i prijë ndryshimeve

Image
Ali Lajqi

Ali Lajqi nga Lëvizja Vetëvendosje, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë ideja e deputetit Haxhi Avdyli për një koalicion parazgjedhor është e vështirë për të ndodhur.

Sipas tij, një gjë e tillë mund të ndodhë vetëm pas zgjedhjeve.

“Ai mund të ketë një mendim të vetin dhe kjo është normale, por mund të bashkëpunohet me ketë subjekt vetëm pas zgjedhjeve edhe pse është një kapitull i vështirë për të ndodhur, por që edhe nuk i besoj se mund të ndodhë. Mund të ndodhë që të koordinohemi pas zgjedhjeve, duke e shikuar me politika dhe me harmonizime programore”, ka thënë Lajqi.

Ai me tej ka thënë se LDK-ja duhet të reflektojë dhe nuk duhet të mendoj për pozitën e kryeministrit.

“Vetëvendosje duhet t'i prijë këtyre ndryshimeve, sepse të gjitha subjektet tjera ishin pjesë e qeverisë. Prandaj, nevoja është që Vetëvendosje të udhëheqë me vendin me njërën nga partitë që janë në opozitë. LDK duhet të reflektojë dhe nuk duhet të mendoj për pozitën e kryeministrit, sepse faktikisht e kanë pasur pozitën e kryeministrit dhe kanë qenë në qeveri të vazhdimisht.  E vetmja logjikë është që ti ndihmohet Lëvizjes Vetëvendosje që të vije në pushtet”, ka thënë ai.

Në fund, Lajqi ka theksuar se Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet e ardhshme do të shkojë vetëm, ndërsa se çka do të ndodhë pas zgjedhjeve ai ka thënë se kjo është një temë tjetër.

“Deklarimi i deputetit të LDK-së është mendim i tij, që të kemi një listë të përbashkët para zgjedhjeve, por unë nuk do të thosha tani, pasi mendoj se ne do të shkojmë para së gjithash vetëm, sepse mund të paraqesim një program më ndryshe, kurse pas zgjedhjeve është një çështje tjetër”, ka përfunduar deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ali Lajqi, për “Bota sot”.

“Koalicion LDK dhe VV, shënon fundin e qeverisjes nga partitë të ashtuquajturat "Krahu i Luftës""

Image
Nexhat Haziri

Ndërsa, në anën tjetër analisti politik, Nexhat Haziri, mendon se një koalicion parazgjedhor mes LDK-së dhe VV-së do t’i siguronte fuqishëm ardhjen në pushtet.

“Them të drejtën ndoshta ky koalicion do të ishte i duhuri në mes LDK-së dhe VV-së, pra parazgjedhor që do t’i siguronte fuqishëm ardhjen në pushtet, megjithatë shihet se përkundër përafrimeve dhe takimeve që zhvillojnë herë pas here liderët e të dy subjekteve politike, pra në mes Mustafës dhe  Kurtit, ka një hendek në mes tyre që është "gërryer" nga e kaluara kur LDK-ja qeveriste me Kosovën dhe veprimet e VV-së ndaj asaj qeverie e sidomos ndaj Mustafa si ish-kryeministër”, është shprehur Haziri.

Analisti politik konsideron se këto dy parti do të duhet të reflektojnë dhe të ngritën mbi interesat partiake e ideologjike për t’i dhënë një qeverisje kredibile vendit.

“Po ashtu duhet parë edhe si pengesë edhe ideologjitë skajshmërisht të kundërta në mes LDK-së dhe VV-së, që nuk është një faktor i vogël dhe duhet punë e anagzhim për ti përshtatur këto dy ideologji, në mes të një të djathte dhe një të majte ekstreme në një program qeveritar. Por duke marrë parasysh situatën nëpër të cilën po kalon vendi, unë besoj se të dyja këto parti , LDK dhe VV-ja do të duhet të reflektojnë dhe të ngritën mbi interesat partiake e ideologjike për t’i dhënë një qeverisje kredibile dhe demokratike vendit”, ka thënë analisti politik.

Në fund, ai ka theksuar se një koalicion mes këtyre dy partive do t’ia shënonte edhe fundit qeverisjes së Kosovës nga partitë të ashtuquajturat "Krahu i luftës", dhe, siç ka thënë ai, do ta çlironin vendin përfundimisht nga krimi i organizuar.

“Është më së e vërtet se një koalicion në mes LDK-së dhe VV-së do t’ia shënonte edhe fundit qeverisjes së Kosovës nga partitë të ashtuquajturat "Krahu i Luftës" dhe do ta çlironin vendin përfundimisht nga krimi i organizuar edhe koncepti mafioz i qeverisjes së Kosovës”, ka përfunduar Nexhat Haziri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat