Mesazhi që Franca i dërgoi Thaçit dhe 4 të mëdhenjtë që duan ndryshim kufijsh Kosovë-Serbi

Politika

Mesazhi që Franca i dërgoi Thaçit dhe 4 të mëdhenjtë që duan ndryshim kufijsh Kosovë-Serbi

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 29 tetor 2018 Në ora: 18:30
Emmanuel Macron, Aleksandar Vuçiq dhe Hashim Thaçi

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi do të jetë i pranishëm më 11 nëntor në Paris, i ftuar nga Presidenti francez, Emmanuel Macron në manifestimin e përvjetorit të 100-të të armëpushimit, i nënshkruar në mes të Forcave Aleate dhe Gjermanisë për përfundimin e Luftës së Parë Botërore në Frontin Perëndimor.

E gjithashtu i ftuar do të jetë edhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq.

Shumë media kanë raportuar së në Paris mund të negociohen edhe kufijtë e Kosovës.

Gazeta “Bota sot”, ka zhvilluar një bisedë me profesorin ndërkombëtar, doktor Enver Bytyçi.

Bytyçi ka thënë se është interesant fakti se në këtë ceremoni përkujtimore është ftuar edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

“Ftesa për këta dy të fundit ka për qëllim të promovojë mbështetjen e Macron për këta dy liderë të dy vendeve në konflikt, më synim rritjen e legjitimitetit të tyre në rastin e arritjes së një marrëveshjeje në përfundim të dialogut Prishtinë - Beograd. Por është shumë e mundshme që Thaçi t’ia ketë kërkuar vetë presidentit francez nisjen e një ftese të tillë. Kjo i duhet zotit president të Kosovës që të rimëkëmbet në pozicionin e kryenegociatorit me Serbinë, sepse pas këmbënguljes së tij për ndryshimin e kufijve, pozita e Thaçit si president e si kryenegociator është në pikën më të ulët të jetës së vet politike”, shprehet Bytyçi.

Image
Enver Bytyçi

Sipas tij, Thaçit duhet t’i ndalohet çdo diskutim për kufijtë e Kosovës.

“Kjo duhet të jetë një arsye më shumë pse faktorët politikë në Kosovë të bashkohen për të hartuar një platformë dialogu, në të cilën jo vetëm të ndalohet çdo diskutim për kufijtë e Kosovës, por gjithashtu të përjashtohet Hashim Thaçi nga këto bisedime. Madje t’i kufizohet mundësia e ndikimit te anëtarët e delegacionit në bisedimet me Serbinë. Shumëkush bën kasandrën për një diskutim të gjerë të zgjidhjes së konfliktit shqiptaro-serb midis udhëheqësve botërorë që me datën 11 nëntor do të jenë në Paris. Unë nuk i besoj kësaj skeme për arsye se çështjet e konflikteve diskutohen në samite me axhendë diskutimi të tyre dhe jo në ceremoni protokollare. Aq më tepër kur qëndrimi I Fuqive të Mëdha rreth asaj që quhet “korrigjim i kufijve” është i ndryshëm dhe madje me kundërshti të mëdha”, thekson profesori Bytyçi.

Më tej, ai thotë se Macron dhe Thaçi po e përjetojnë ndryshimin e kufijve të Kosovës si sfidë të antishqiptarizmit të tyre.

“Megjithatë duket se Macron dëshiron që ta çojë në epilog procesin e nisur në Beograd dhe të mbështetur e shumë zell nga Hashim Thaçi për zgjidhjen e konfliktit përmes ndryshimit të kufijve Kosovë-Serbi. Ky pozicion i presidentit francez mund të kthehet në një sfidë në marrëdhëniet e tij me Angela Merkel. Mund ta përdorë këtë rast si sprovë triumfi ndaj qëndrimit gjerman. Dhe kështu do të kemi një déjà vu të sfidës që Hashim Thaçi ka shpallur në luftë e të gjithë politikanët e Kosovës, sa i përket kësaj ideje të çendur. Ndërkohë që Macron dhe Thaçi po e përjetojnë ndryshimin e kufijve të Kosovës si sfidë të antishqiptarizmit të tyre, në Beograd dhe në Moskë kjo zgjidhje nuk përjetohet si e tillë. Deputeti i Dumës Ruse, Aleksej Pushkov,  sot ka bërë një deklaratë, me të cilën mbështet fuqimisht marrëveshjen Prishtinë-Beograd për ndryshimin e kufijve të Kosovës. Ai ka folur në emër të Kremlinit në këtë çështje dhe ka dëshmuar se Rusia është shumë e interesuar për këtë”, deklaron ai.

Bytyçi tregon edhe kush janë të interesuarit e mëdhenj për ndryshim të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Kësisoj na dalin të interesuarit e mëdhenj gjithsej katër ose pesë hije: Krelmini e Beogradi në unison, Macron i Francës, pastaj Thaçi në Prishtinë e Rama në Tiranë. Ky rreshtim do të dukej trishtueshëm edhe në mesin e shekullit XIX, kur Rusia nxiste krijimin e shteteve sllave e ortodokse në Ballkan, ndërsa shqiptarët sapo kishin hartuar tekstin e abetares së parë!”.

Bytyçi tregon edhe mesazhin që Franca i ka përçuar Thaçit me ftesën e dërguar për pjesëmarrje në manifestimin e përvjetorit të 100-të të armëpushimit, i nënshkruar në mes të Forcave Aleate dhe Gjermanisë për përfundimin e Luftës së Parë Botërore në Frontin Perëndimor.

“Macron me ftesën që i ka dërguar Thaçit thjesht i ka bërë një çokë atij, i ka dhënë një mesazh, se Franca do ta mbështesë në iniciativën idiote dhe në përpjekjet që presidenti i Kosovës bën për ta zvogëluar territorialisht shtetin e vet. Hashim Thaçi do ta shesë këtë ftesë dhe pjesëmarrjen e tij në Paris si mbështetje ndërkombëtare. Zakonisht kësisoj deklarohet në çdo konferencë shtypi. Thotë se ka edhe mbështetjen e amerikanëve, por nuk tregon se kush janë këta amerikanë që e mbështesin atë në marrinë e aventurën e tij të lojës me zjarrin. Nëse do t’i shqiptonte emrat, jam i bindur se ata do të jenë amerikanë të cilët kanë qenë kundër pavarësisë së Kosovës. E të tillë ka, pavarësisht faktit se Amerika është kumbara dhe themeluesja e shtetit të Kosovës”.

“Hashim Thaçi do ta përdorë presidentin francez si makijazh të politikës së tij antishqiptare e ndërkohë, nëse do ta realizojë projektin serbo-ruso-francez, ai do të shpërblehet jo vetëm me Urdhrin e Kalorësit Francez, por edhe me amnisti për të gjitha krimet që ka kryer, më së shumti kundër shqiptarëve, përveçse do të marrë një shpërblim të majmë kesh apo në natyrë nga Aleksandër Vuciq!”, përfundon profesori ndërkombëtar, doktor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat