Vetëm një njohje nga “ushtria” e Ministrisë së Jashtme

Politika

Vetëm një njohje nga “ushtria” e Ministrisë së Jashtme

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 30 tetor 2018 Në ora: 13:53
Foto ilustrim

Gjatë këtij viti, shteti i Kosovës ka ngecur sa i takon njohjeve të reja nga vendet që ende s’e kanë bërë këtë. Pavarësisht përparimit të Kosovës në aspektin e vendosjeve të marrëdhënieve diplomatike, vetëm shteti i Barbadosit e njohu pavarësinë e Kosovës gjatë këtij viti, shkruan “Bota sot”.

Mirëpo, Kosova u ballafaqua me shumë sfida në këtë proces, pasi përveçse nuk sollën njohje të reja, ata duheshin të bënin luftë diplomatike me shtetin serb, pasi ky i fundit lobonte pa ndalur te disa shtete që t’a tërhiqnin njohjen që e kishin bërë për Kosovën.

Serbia përveç lobimit në këtë proces, ata nuk i ndalën as propagandat duke shfrytëzuar mediat për t’i lasnuar gënjeshtrat se kinse disa shtet kanë tërhequr njohjen e Kosovës.

Diplomacia e Kosovës në arenën ndërkombëtare është duke u sfiduar nga edhe nga mosnjohja e pesë vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.

Image
Rejhan Vuniqi

Vuniqi:  Po punojmë maksimalisht për arritjen e njohjeve

Zëvendësministrja e punëve të jashtme në Qeverinë e Kosovës, Rejhan Vuniqi, duke folur për “Bota sot” lidhur me këtë temë, ka thënë se, ministria e jashtme po angazhohet maksimalisht për të finalizuar njohjen nga ato shtete që ende nuk e kanë njohur Kosovën.

“Ministria dhe Ministri Pacolli personalisht janë plotësisht të angazhuar në procesin e njohjes së Kosovës. Asambleja e Përgjithshme e OKB-se si dhe Samiti i Frankofonise ku Kosova mori statusin e anetarit të asociar, ishin platforma të mira për të lobuar më tej, ku u takuam më shumë delegacione. Ne kemi vizituar disa vende që janë në proces të njohjes së Kosovës dhe disa prej tyre po finalizojnë procedurat e brendshme. Kur dhe si nuk do të jemi në gjendje të themi pasi është një çështje qe vendoset nga një qeveri tjetër dhe për të mbajtur diskrecionin e procesit. Por puna po bëhet drejtpërdrejt me vendet që nuk e kanë njohur Kosovën”, është shprehur Vuniqi.

Njohjen e Kosovës si shtet nga vendet tjera, ajo e quan proces të pandalshëm, dhe shton se ministria në të cilën ajo bën pjesë, po punojnë drejtpërdrejtë me vendet që kanë për disa arsye hezitim për të njohur Kosovën.

Image
Drita Millaku

Millaku fajëson politikat e Thaçit për mos arritjen e njohjeve

Ndërsa deputetja Drita Millaku, fajin ua hedh politikave të qeverisë së Kosovës dhe luftës së qeverisë serbe për mungesën e njohjeve të Kosovës, duke theksuar se edhe presidenti Thaçi ka pasur ndikim negativ në këtë proces.

“Kosova gjatë këtij viti ka vetëm një njohje duke ju falënderuar politikave të qeverise dhe organeve të pushtetit të Kosovës dhe luftës së qeverisë serbe të cilës suportin më të madh ia ka bërë dhe po ia bën presidenti Thaçi. Problemi i njohjeve është problem i cili ka ngec duke qenë pre e politikave qëllimkëqija të Hashim Thaçit të cilat janë duke e mbështetur fuqishëm projektin e shtetit serb dhe politikës hegjemoniste serbe në dëm të tokave shqiptare”, ka potencuar Millaku për “Bota sot”.

Sipas saj, për të avancuar Kosova në procesin e njohjeve, presidenti Thaçi nuk duhet të jetë në pozitën aktuale politike.

“Dhe si mund të ketë njohje kur krerët e shtetit bëjnë eksperimente me shtetasin dhe sovranitetin. Prandaj unë e kualifikojë si të keqen më të madhe të shqiptarëve Hashim Thaçin i cili i ka shkaktuar dhe po i shkakton të këqija të vazhdueshme këtij vendi dhe këtij populli, por tani po i sjellë të këqija edhe tokës së Kosovës. Prandaj, ta heqim dhe ta shpëtojmë këtë vend, këtë popull dhe njohjet do të jenë të pashmangshme”, ka thënë ajo.

Image
Faik Krasniqi

Krasniqi: Nuk u lobua mjaftueshëm

Ndërsa analisti politik, Faik Krasniqi, ka numëruar disa arsye sipas të cilave ai mendon se Kosova ka ngecur sa i përket njohjeve.

Ai thekson se nuk është lobuar mjaftueshëm te vendet që hezitojnë ta njohin pavarësinë e Kosovës.

“Janë shumë arsye pse Kosova ka ngecur në procesin e njohjeve. Dialogu me Serbinë që është futur në një qorrsokak. Propaganda e Serbisë ndaj Kosovës, dhe diplomacia e dobët e Kosovës. Diplomacia e Kosovës nuk ka qenë mjaftueshëm e suksesshme, pasi që prapë Ministria e Punëve të Jashtme vazhdimisht ka pasur probleme me performancën e saj. Nuk është lobuar mjaftueshëm në ato vende që akoma hezitojnë ta njohin realitetin në Kosovë”, është shprehur ai.

Krasniqi shton tutje se përveç që diplomatët e Kosovës nuk sjellin njohje, ata edhe po prishin imazhin e shtetit tonë, me skandalet e vazhdueshme nëpër Botë.

“Për të gjitha misionet diplomatike të Kosovës, nga buxheti i Kosovës për çdo vit ndahen nga 15 milionë euro. Por përfaqësuesit diplomatikë të Kosovës jo vetëm dështuan që t’ia përmirësojnë imazhin vendit në arenën ndërkombëtare, mirëpo disa diplomatë me veprimet e tyre e rrënuan edhe më shumë një imazh të tillë. Vetëm po t’i kujtojmë skandalet që krijuan këta diplomatë nëpër vende të ndryshme të botë, mjafton të shihet se çfarë njerëz jokredibil janë dërguar në këto 10 vite pavarësi nga PDK-ja dhe partitë e tjera që kanë bashkëqeverisur me të! Përveç se prodhuan me dhjetëra skandale dhe ia prishën imazhin Kosovës në botë, këta diplomatë për 10 vite pavarësi, nuk ishin në gjendje ta sjellin një investitor të jashtëm, për të investuar në Kosovë”, ka shtuar Krasniqi.

Duhet reformë në diplomaci

Për në tepër, ai mendon se duhet formuar një delegacion pa ndikime nepotizmi, që vazhdimisht të lobojnë nëpër vendet që se kanë njohur Kosovën.

“Në vend se nëpër ambasada dhe konsullata të dërgohen atashe ekonomik (njohës të çështjeve ekonomike), për të cilët Kosova ka nevojë, pasi kemi probleme të mëdha ekonomike dhe na duhen investime të jashtme, ato u mbushën me familjarë dhe militantë të tyre, e shumica prej tyre pa qenë njohës të asnjë fushe. Aty do duhej të ishte ajka intelektuale dhe atdhetare. Kurse Serbia nuk ka shtet në Afrikë që nuk e ka një delegacion permanent që punon. Kanë paraparë një buxhet 300 milionësh, kanë angazhuar mbi 20 ekspertë në lëmin e diplomacisë që të vizitojnë shtetet qoftë për tërheqje të njohjes, qoftë për mos njohje të Kosovës. Nëse duam njohje nga shtetet që nuk na kanë njohur, Diplomacia jonë urgjentisht duhet ta fillojë e realizojë një reformë të thellë. Por krejt çështja është: A kanë vullnet ata që duhet ta bëjnë reformën?”, ka përfunduar Krasniqi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat