Avokati i njohur tregon dy porositë e Prokurorit të Speciales, ja pse nuk e takoi Thaçin, Haradinajn dhe Veselin

Politika

Avokati i njohur tregon dy porositë e Prokurorit të Speciales, ja pse nuk e takoi Thaçin, Haradinajn dhe Veselin

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 31 tetor 2018 Në ora: 12:38
Ramush Haradinaj, Kadri Veseli dhe Hashim Thaçi / Foto ilustrim "Bota sot"

Gjatë ditës së djeshme në Kosovë ka qëndruar për vizitë Prokurori i Gjykatës Speciale, Jack Smith. Smith nuk ka takuar asnjë nga liderët e Kosovës, por vetëm Ministrin e Drejtësisë, Abelard Tahiri. Lidhur me vizitën e Smith-it në Kosovës, ekskluzivisht për “Bota sot”, ka folur avokati i njohur, Tomë Gashi.

Gashi, për “Bota sot”, ka treguar dy porositë që Prokurori i Gjykatës Speciale ia ka sjellë në Kosovë.

“Vizita e parë në Kosovë e Kryeprokurorit të zyrës së Prokurorisë Speciale ne Hagë ka disa porosi: E para është se Prokuroria në Hagë është aktive dhe siç duket nuk i ka harruar obligimet që i ka marrë me rastin e nxjerrjes se ligjit për Gjykatën Speciale por edhe për zyrën e prokurorit special po ashtu me seli në Holandë /Hagë. E dyta porsi e që është paksa me serioze është se askush pos tij nuk e din se kush do të akuzohet nga kjo prokurori dhe mos takimi i asnjë udhëheqësi shtetëror të Kosovës jep edhe sinjale se askush nuk ka imunitet nga ndjekja penale respektivisht nga akuzimi pa marrë parasysh se çfarë pozite zyrtare ka sot apo çfarë ka pas që nga 1998 deri më sot”, shprehet Gashi për gazetën “Bota sot”.

Më tej, Gashi ka treguar edhe arsyet pse Smith nuk e ka takuar Thaçin, Haradinajn dhe Veselin.

Image
Tomë Gashi

“Sigurisht që duke e ditur se bazamenti i themelimit të gjykatës Speciale dhe me këtë edhe i zyrës së prokurorit special në Hagë është raporti i senatorit zviceran Dick Marty, e i cili raport është bërë i obligueshëm që të hetohet në aspektin penal, secili që e ka emrin aty mundë të jetë i akuzuar nga vet ky prokuror amerikan, Jack Smit. Për këto arsye Kryeprokurori nuk ka takuar asnjë zyrtarë të larte shtetëror në vizitën e tij të parë në Kosovë”, thekson Gashi për gazetën “Bota sot”.

Ai thotë se takimi me Tahirin është vetëm për qëllime formale.

“Sigurisht qe takimi me ministrin Abelard Tahiri ka qëllime formale ngase dihet qe Abelard Tahiri nuk e ka emrin e tij në raportin e Dick Marty, dhe është takim formal me tepër i mirësjelljes se sa qe ka ndonjë rendësi te posaçme për arritjen e ndonjë marrëveshje eventuale me autoritetet e Kosovës”, deklaron ai.

Sipas Gashit, Prokurori Jack Smith dhe Gjykata Speciale nuk e harrojnë tentimin për zhbërjen e Gjykatës Speciale.

“Kryeprokurori Jack Smith dhe zyra e tije nuk i besojnë asnjë mekanizmi juridik në Kosovë sepse ne kemi dhënë prova më se të besueshme se neve si shtet nuk duhet te na besojnë me këtë bartës të institucioneve. Prokurori Jack Smith por edhe Gjykata Speciale nuk e harrojnë kurrë dhe nuk na falin lehtë tentimin tinëzarë që të zhbëhet Gjykata Speciale me 22 dhjetor 2017, vetëm dy ditë para Krishtlindjeve duke menduar se zyrtarët e misioneve të huaja në Kosovë kanë ikur në vendet e tyre për krishtlindje”, potencon Gashi për gazetën “Bota sot”.

Avokati i njohur ka shtuar gjithashtu Specialja është në dijeni për dëbimin e shtetasve turq nga Kosova, ku sipas tij, institucionet e Kosovës ia plotësuan kërkesën Erdoganit në mënyrë që ky i fundit të ndikojë tek Gjykata Speciale.

“Ata e dinë edhe për dëbimin pa ligj në mënyrë të dhimbshme të 6 shtetasve turq që u bë nga Kosova në Turqi. Ku të gjitha institucionet dështuan në respektimin e ligjeve vendore dhe konventave ndërkombëtare vetëm e vetëm për ti ja plotësuar kërkesën dhe dëshirën diktatorit ERDOGAN, presidentit të Turqisë nder të tjera që ai të ndikojë tek faktori ndërkombëtar që persona të involvuar në dëbimin e shtetasve turq të ndikojë ai Erdogani qe te mos akuzohen në Gjykatën Speciale në Hagë”.

Por,  sipas avokatit Gashi personat që do të akuzohen nga Specialja nuk mund t’i mbrojë Erdogani nëse ata janë në listën e Kryeprokurori Jack Smith.

“Ku të gjitha institucionet dështuan ne respektimin e ligjeve vendore dhe konventave ndërkombëtare vetëm e vetëm për t’i ia plotësuar kërkesën dhe dëshirën diktatorit ERDOGAN, presidentit të Turqisë nder te tjera qe aj te ndikoj tek faktori ndërkombëtar qe persona te involvuar ne dëbimin e shtetasve turq të ndikojë ai Erdogani që të mos akuzohen në Gjykatën Speciale në Hagë. Erdogani nuk munde t’i mbron zyrtarët tanë të lartë shtetëror nëse ata janë në listën për akuza nga ky kryeprokuror amerikan Jack SMITH”, ka përfunduar avokati i njohur Tomë Gashi për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat