Figura më e fuqishme në Gjermani krah Kosovës

Politika

Figura më e fuqishme në Gjermani krah Kosovës

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 31 tetor 2018 Në ora: 14:59
Angela Merkel

Kancelarja gjermane Angela Merkel, e ka konfirmuar se nuk do të rikandidojë më për kryetare partie në kongresin e CDU-së.

Megjithatë ajo do të qëndrojë deri në fund të mandatit të saj në pozitën e Kancelares, pozitë kjo e cila do të përfundoj në vitin 2021.

Por, sa do të ndikoj ky largim i saj në çështjen e zgjidhjes së çështjes së Kosovës në raport me Serbinë?

Dihet mirë ndihma e madhe e kancelares Merkel dhe shtetit të Gjermanisë që ka bërë në vazhdimësi për Kosovës, po ashtu kritikat e saj ndaj idesë skandaloze të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit në lidhje me “shkëmbimin” e territoreve.

Lajm i mirë është se në pozitën e Kancelares do të qëndroj deri në vitin 2021, atëherë kur pritet të përfundojë gjithçka sa i përket çështjes së Kosovës me Serbinë.

Murtezaj: Kosova është e pavarur dhe Gjermania e ka njohur shtetin e Kosovës

Image
Valon Murtezaj

Ish-zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, profesori universitar në Paris Valon Murtezaj, i cili ligjëron lëndët që lidhen me diplomacinë dhe negocimit ndërkombëtar, pohon se, Angela Merkel do të vazhdojë të mbetet figura më e fuqishme në Gjermani edhe për kohë të gjatë.

Sa i përket raporteve të Gjermanisë me shtetin e Kosovës, Murtezaj pohon se ajo e ka njohur shtetin e Kosovës, kurse politika gjermane bazohet mbi këtë parim.

“Angela Merkel do të qëndroj në pozitën e Kancelares deri në fund të mandatit të saj; kjo është më e rëndësishmja; po ashtu ajo do të vazhdojë të mbetet figura më e fuqishme në Gjermani edhe për kohë të gjatë.

Kosova është e pavarur dhe Gjermania e ka njohur shtetin e Kosovës, dhe politika e shtetit gjerman bazohet mbi këtë parim themelor në çdo vendim që merr”, thotë Murtezaj për gazetën “Bota sot”.

Izmaku:  Qëndrimi i politikave të jashtme gjermane do të ketë kontinuitet si në raste tjera

Image
Xhevahire Izmaku

E mos ri kandidimi i Angela Merkelit në krye të CDU-së, për deputeten e PDK-së, Xhevahire Izmaku nuk është lajm i mirë. Megjithatë, ajo thotë se, politikat e jashtme gjermane do të vazhdojnë me kontinuitetin si në rastet tjera.

“Nuk do të jetë lajm i mirë padyshim! Po qëndrimi i politikave të jashtme gjermane do të ketë kontinuitet si në raste tjera! Ne si komb i jemi gjithmonë falënderues për mbështetjen e vazhdueshme në çdo fazë nga çlirimi deri të shtet ndërtimi!”, potencon Izmaku për gazetën “Bota sot”.

Analisti politik Bahri Cani, pohon se, largimi i kancelares Angela Merkel nga kreu i partisë nuk do të thotë se ajo largohet edhe nga posti i kancelares.

Cani: Për momentin nuk do të ketë kurrfarë ndryshimi në Berlin, karshi çështjes së Kosovës

Image
Bahri Cani

Ai thotë se, Merkel ka bërë të ditur se do të vazhdojë mandatin e saj në postin e kancelares, deri në përfundim të mandatit të tanishëm, pra në vitin 2021.

“Është shumë e mundur që, varësisht nga ajo se kush e merr postin e kryetares/kryetarit të partisë CDU, në të ardhmen të ketë kërkesa për largimin e Merkelit nga posti i kancelares. Ajo që mund të ndodhë është edhe mundësia e largimit të socialdemokratëve nga koalicioni, pas rezultateve katastrofale në dy zgjedhjet e fundit në Lande - Bavari dhe Hesen. Por, tani për tani kjo çështje nuk është shtruar hapur, ka vetëm zëra, që do të thotë se për momentin nuk do të ketë kurrfarë ndryshimi në Berlin, karshi çështjes së Kosovës apo ndryshimit, korrigjimit të kufijve Kosovës-Serbi. Në ditë, javët dhe muajt në vijim do të jetë shumë me rëndësi të shihet se sa do të cenojë largimi i saj nga kreu i partisë pozitën e kancelares në Bashkimin Evropian. Por, duke pasur parasysh faktin që Gjermania funksionon mbi bazat e institucioneve dhe jo personave, ky vend edhe në këtë rrafsh do të vazhdojë të mbetet boshti kryesor i zhvillimeve evropiane”, thekson Bahri Cani për gazetën “Bota sot”.

Gjergji: Presidenti Thaçi veç po deklarohet kundër vullnetit gjerman

Image
Seremb Gjergji

Kurse, ish-kandidati për president, Seremb Gjergji potencon se, Angela Merkel është e vetmja e mbijetuar politike për më shumë se 10 vjet në shtetin më demokratik dhe më të fuqishëm në Evropë.

“Ajo është quajtur Mbretëresha e Gjermanisë dhe Perandoresha e Evropës. Influenca e saj në politiken evropiane dhe ndërkombëtare ka qenë e pa-shoq; kur dihet se ka influencuar edhe vet Presidentin Obama në kohen e përgjimeve. Influencimi i saj në zhvillimin e Gjermanisë ka influencuar botën. Kjo influencë ka qenë direkte edhe në Kosovë. Politika e Kosovës jo vetëm që nuk ka vepruar vetëm, por nuk ka bërë asnjë lëvizje pa Perandoreshën e Evropës. Tash Presidenti Thaçi veç po deklarohet kundër vullnetit gjerman, edhe pse zonja Merkel po i thotë Serbisë: Pa e njohur Kosovën s'ka BE”, pohon Gjergji për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, deklarimi i saj se nuk planifikon të kandidoj si kryetare e CDU-së në vitin 2021, nuk do të thotë se influenca e saj në politiken botërore mbaron, e veçmas, influenca e saj në ndihmë dhe përkushtimin pragmatik ndaj Kosovës dhe popullit të saj.

“Pres që Ajo do të ndihmoj në ndërtimin e hekurudhës Prizren-Durrës para vitit 2021. Po ashtu edhe të financoj këtë projekt mbi €2 miliard eurosh. Serbia do ta njoh Kosovën pa kushte për shkak të presionit të saj. Pas vitit 2021 Kosova do ta ketë më pak një mikeshë të fuqishme, që shpesh del që e do Kosovën më shumë se politikanët tanë. Mendoj se deri në vitin 2021 ajo do të kultivoj në Kosovë mënyrën e saj të udhëheqjes; mënyrën pragmatike dhe shumë direkte. Karriera politike e saj nga viti 1989 me demokracinë e Gjermanisë Lindore dhe pas rënies së Murit të Berlinit, ajo bëhet zëdhënëse e Qeverisë së re. Pas bashkimit të Gjermanisë, ajo merr pozitën e Ministres në Qeverinë e Helut Kholit, po ashtu mik i mirë i Kosovës”, potencon ai.

Pra, sipas Gjergjit, zonja Merkel nga fillet e saj është njohur dhe përkushtuar për Kosovën.

“Fuqia e saj u tregua kur udhëhoqi Gjermaninë gjatë krizës financiare që po kalonte ky vend. Kur e gjithë Evropa po kalonte krizën financiare 2009-2013, ajo reformoi tërësisht sistemin financiar dhe nxori nga kriza disa vende evropiane që ishin para bankrotit. Kjo i dha pozitën simbolike Perandoreshë e Evropës. Angela Merkel për Kosovën dhe botën kur hapi dyer për të gjithë refugjatët. Rreth 200.000 vetëm nga Kosova, për 6 muaj kaluan në Gjermani dhe besohet mbi 500.000 nga Siria - kur të gjitha vendet arabe i kishin mbyllur dyert për ta. Influenca e zonjës Merkel, do të zbehet pas vitit 2021, por mendoj se deri atëherë, ajo do të mbërrij edhe njohjen e Kosovës nga Serbia. Angela Merkel e lindur si Angela Kasner, është Kancelarja e parë gjermane dhe do të njihet si më e suksesshmja Kancelare në historinë gjermane e që me Kosovën gjithmonë do të jetë afër”, përfundon Seremb Gjergji.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat