“Gjykata Speciale iu rri mbi kokë Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Xhavit Halitit, Fatmir Limajt”

Politika

“Gjykata Speciale iu rri mbi kokë Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Xhavit Halitit, Fatmir Limajt”

Nga: N.SH Më: 1 nëntor 2018 Në ora: 12:28
Kadri Veseli, Fatmir Limaj dhe Hashim Thaçi

Serbia po ndikon në agjendën e dialogut që po e zhvillon në Bruksel me Kosovën, përkundër asaj që Kosova do duhej të kishte ndikimin e saj kundër Serbisë.

Ish-deputeti i Kosovës, Driton Tali thotë se, Serbia që nga viti 2011 e ka imponuar agjendën e saj në bisedime.

“Serbia, që nga fillimi, pra që nga viti 2011 e ka imponuar agjendën e saj të cilën Hashim Thaçi përkundër premtimeve të shumta që i ka dhënë në Kuvend, po flas për kohën kur unë isha deputet dhe në pyetjet direkte që ia bëja thoshte se, ato janë bisedime teknike dhe nuk po bisedohet në kuadër të planit të Ban Ki Moonit, që janë politike, e që realisht ishin politike, pikërisht në kuadër të gjashtë gushave të Moonit siç ishin doganat, gjyqësori, policia, kontrollimi i kufirit, telekomunikacioni dhe pasuria e serbëve dhe kishat. Pra, këto gjashtë fusha ishin ato të cilat Tadiqi i imponon dhe Hashim Thaçi përkundër premtimeve të shumta pikërisht i realizoi ato negociata”, thotë Tali për gazetën “Bota sot”.

Sipas ish-deputetit, tashmë i kemi marrëveshjet në ato gjashtë pika të cilat pikërisht janë “Ahtisari plus”.

Image
Driton Tali

“Kjo pak i duket Serbisë, sepse ka gjetur një njeri i cili e ka kap shtetin dhe të cilin Serbia e ka në dorë, apo siç thotë ajo fjala, ia ka zënë bishtin me derë, dhe futë ende pika të cilat janë pikërisht për zhbërjen e shtetit të Kosovës, siç është ky sihariqi i fundit, ndarja e Kosovës, apo siç thotë presidenti Hashim Thaçi, korrigjim i kufijve”, potencon Tali.

Ai shton se, përderisa Kosova do të përfaqësohet nga Hashim Thaçi, dhe derisa Thaçi ta ketë monopolin politik në Kosovë, Serbia do të vazhdoj të imponoj pika tjera.

“Mendoj se pas kësaj të fundit do të kemi edhe kërkesën e Serbisë që vendbanimet serbe që mbetën në këtë anë të kufirit, të kenë një bashkësi të komunave serbe me kompetenca ekzekutive, sido që ta definojmë termin politik Serbia për qëllim e ka zhbërjen e Kosovës. Pra, nuk mund të ketë bisedime të sinqerta me Serbinë, derisa kjo kastë politike në Serbi e dominon shoqërinë serbe pa marr parasysh që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e ka dhënë verdiktin e saj se shpallja e pavarësisë së Kosovës, që do të thotë shteti i pavarur i Kosovës është tërësisht në përputhje me ligjin ndërkombëtar”, deklaron Tali.

Tali: Zgjedhjet janë zgjidhje

E këtu sipas ish-deputetit, duhet të kemi parasysh edhe Gjykatën Speciale, e cila iu rri mbi kokë, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Xhavit Halitit, Fatmir Limajt dhe të gjithë atyre që janë të përfolur e cila iu jep presion të shtuar që ata t’i pranojnë kërkesat e vazhdueshme të pandalshme të Serbisë.

“Kjo u pa edhe në këtë debatin e fundit në Kuvend, se si deputetët e PAN-it tentonin ta relativizonin fuqinë politike të Hashim Thaçit dhe të akuzonin opozitën si jo parimore dhe jo bashkëpunuese etj. Prandaj, unë zgjidhjen e këtij problemi shoh zgjedhjet e reja të parakohshme që aq më shpejt, aq më mirë ku temë e zgjedhjeve duhet të jenë edhe negociatat me Serbinë, sepse asnjëherë nuk kanë qenë në agjendën zgjedhore e cila është me rëndësi për Kosovën”, potencon ai.

Ai shton se, këtë çështje duhet t`i lihet në dorë sovranit, së pari partitë politike të debatojnë për këtë pikë dhe votuesi të ia jep votën partisë që mendon e cila e ka programin më të mirë për zgjidhjen e këtij problemi.

“Hashim Thaçi dhe PAN, nuk mund të thirren më në emër të sovranit, sepse së bashku nuk e kanë shumicën në Kuvend, përkundër që PSD-ja është bërë patericë e tyre, por edhe protesta e shtatori ishte një tregues i rëndësishëm sa i përket mbështetjes së qytetarëve. Andaj mendoj se Hashim Thaçi është tradhtari i kombit bashkë me PSD-në e cila si patericë ndaj tij po e përkrahë. Këtë problem, këtë çështje më së miri e zgjidhin zgjedhjet e reja dhe ashtu siç të vendos vota e qytetarit edhe ashtu duhet të ecet para në këtë proces, përndryshe herët a vonë ky problem do të na paraqitet në vazhdimësi”, përfundon Driton Tali.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat