Cakolli tregon arsyen pse Kuvendi miratoi udhëtimet e deputetëve jashtë vendit

Politika

Cakolli tregon arsyen pse Kuvendi miratoi udhëtimet e deputetëve jashtë vendit

Nga: G.B Më: 2 nëntor 2018 Në ora: 14:59
Eugen Cakolli

Për vetëm 6 muaj, Kuvendi ka shpenzuar 67 mijë euro vetëm për dreka zyrtare, ndërsa akomodimi i deputetëve në udhëtimet e tyre jashtë vendit, ka kushtuar 91 mijë e 187 euro.

E së fundmi Kuvendi ka miratuar dhe udhëtimet e disa deputetëve jashtë vendit, për punë që nuk kanë të bëjnë me Kuvendin.

Lidhur me këtë, hulumtuesi nga KDI, Eugen Cakolli, ka thënë për gazetën “Bota sot” se fenomeni i udhëtimeve të deputetëve me e pa arsye është kthyer në praktikë dhe ata nuk po e ndalin luksin, pavarësisht se Kuvendi ka çaluar në ushtrimin e funksioneve kushtetuese.

“Fenomeni i realizimit të udhëtimeve të deputetëve, vend e pa vend, me arsye e pa arsye, tashmë është kthyer në një praktikë për legjislaturat e fundit. Përkundër faktit se Kuvendi ka çaluar në ushtrimin e pothuajse të gjitha funksioneve të tij kushtetuese, sërish deputetët nuk kanë ndalur lukset e udhëtimeve jashtë vendit, që u sjellin atyre përfitime të konsiderueshme. Po ashtu, sistemi i kuotimit të vendeve për marrjen e mëditjeve, është faktor shtytës që ka ndikuar në rritjen e udhëtimeve. Edhe pse, vlen të ceket që legjislatura aktuale ka shënuar regres në aspektin e transparencës financiare, të dhënat tregojnë për shpenzime të mëdha në udhëtime jashtë vendit si dhe dreka apo darka zyrtare”, ka thënë Cakolli.

Image
Eugen Cakolli

Sipas tij, sa i përket lejimit të udhëtimeve të paarsyeshme të deputetëve element është brishtësia e institucioneve dhe varësia nga votat e secilit deputet, derisa shton se nëse deputetët do të angazhuar në votimin e projektligjeve, kjo legjislaturë do të kishte rezultatet më të mira.

“Element tjetër që duhet përmendur në raport me lejimin e udhëtimeve krejtësisht të paarsyeshme të deputetëve është edhe brishtësia e institucioneve, dhe varësinë nga pothuajse secila votë e deputetëve. Kjo mund të ketë ndikuar që Kryesia e Kuvendit të aprovojë çfarëdo kërkese për udhëtime zyrtare. Kurse, nëse deputetët do të ishin të angazhuar dhe të përkushtuar në votimin e projektligjeve apo mbikëqyrjen e ekzekutivit, siç janë për realizimin e udhëtimeve, pa dyshim që legjislatura aktuale do të kishte shënuar rezultate dukshëm më të mira në aspektin ligjvënës dhe atë mbikëqyrës”, ka deklaruar Eugen Cakolli për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat