Ky është koalicioni që mund ta shpëtojë Kosovën nga kriza e thellë dhe rreziku që po i kanoset

Politika

Ky është koalicioni që mund ta shpëtojë Kosovën nga kriza e thellë dhe rreziku që po i kanoset

Nga: N.H Më: 2 nëntor 2018 Në ora: 16:25
Albin Kurti dhe Isa Mustafa

Njohësi i zhvillimeve politike, Haki Abazi, duke e komentuar letrën e kancelares Angela Merkel, të drejtuar për kryetarin e LDK-së, ka thënë se roli dhe mbështetja e Gjermanisë për Kosovën dhe stabilitetin, sigurinë dhe zhvillimin në Ballkan është jashtëzakonisht e madhe dhe rëndësishme.

“Roli dhe mbështetja e Gjermanisë për Kosovën dhe stabilitetin, sigurinë dhe zhvillimin në Ballkan është jashtëzakonisht e madhe dhe rëndësishme. Ka shume arsyeje pse Gjermania dhe kancelarja Gjermane është kujdesur nga afër për Bosnjën, Kosovën dhe Maqedoninë. E ardhmja dhe kredibiliteti i BE-së dhe NATO-s varet nga suksesi në Ballkan. Sigurisht që Gjermania është e interesuar që të ketë sistem demokratik dhe funksional në shtetin e Kosovës”, është shprehur Abazi.

Ai për gazetën “Bota sot”, ka shtuar më tej duke thënë se historia e këtij bashkëpunimi daton që nga koha e ministrit të jashtëm Joshka Fischer me presidentin Ibrahim Rugova.

“Historia e mbështetjes nga Gjermania daton që nga koha e ministrit të jashtëm Joshka Fischer që kishte pritur Presidentin Rugova dhe kishte bërë përkrahjen e plotë të Kosovës kundër agresionit serb”, ka shtuar Abazi.

Krejt në fund, analisti politik ka potencuar se bashkëpunimi i mirë i dy partive opozitare me dy partitë gjermane është një marrëdhënie e shëndoshë dhe më shumë strategjike për Kosovën dhe qeverinë e ardhshme që duhet krijuar në vend për ta nxjerrë Kosovën nga kjo krizë e thellë.

Image
Haki Abazi

“Besoj shumë që marrëdhëniet e LDK-së me CDU-në dhe marrëdhëniet e VV-së me SPD-në janë marrëdhënie të shëndosha dhe më shumë strategjike për Kosovën dhe qeverinë e ardhshme që duhet krijuar në vend për ta nxjerrur vendin nga kjo krizë e thellë dhe rrezik që po i kanoset”, ka thënë krejt në fund për gazetën “Bota sot”, analisti politik, Haki Abazi.

Ndryshe, kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, i është përgjigjur shkresës së kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa. E para e qeverisë gjermane në letrën drejtuar kryetarit të LDK-së ka thënë se është duke e përcjellë më brengosje të madhe idenë e ndryshimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Edhe nga këndvështrimi im është shumë me rëndësi që Kosova të vazhdojë dialogun me Serbinë me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian dhe të shtyjë përpara normalizimin e marrëdhënieve. Debatin rreth ndryshimit të kufijve edhe unë, sikurse ju po e përcjell me brengosje të madhe”, thuhet në letrën e Merkelit, përcjellë “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat