Kancelarja Merkel e brengosur për kufijtë e Kosovës, Thaçi po i rrezikon seriozisht marrëdhëniet me Gjermaninë - Bota Sot
Kancelarja Merkel e brengosur për kufijtë e Kosovës, Thaçi po i rrezikon seriozisht marrëdhëniet me Gjermaninë

Politika

Kancelarja Merkel e brengosur për kufijtë e Kosovës, Thaçi po i rrezikon seriozisht marrëdhëniet me Gjermaninë

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 3 nëntor 2018 Në ora: 08:04
Angela Merkel

Gjermania edhe me tej po vazhdon të shpreh shqetësimet e saja për zhvillimet e fundit në vend.

Është pikërisht e para e shtetit  gjerman, Angela Merkel, ajo që ia ka kthyer letrën kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa, në të cilën ka shprehur shqetësimin e saj për zhvillimet e fundit, më theks të veçantë për idenë e Thaçit për ndryshim të kufijve.

“Edhe nga këndvështrimi im është shumë me rëndësi që Kosova të vazhdojë dialogun me Serbinë me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian dhe të shtyjë përpara normalizimin e marrëdhënieve. Debatin rreth ndryshimit të kufijve edhe unë, sikurse ju po e përcjell me brengosje të madhe”, thuhet ndër tjerash në letrën e kancelarës Angela Merkel.

Nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) konsiderojnë se lidhja e Kosovës me Gjermaninë, ishte shumë e thellë duke e ditur edhe ndihmën dhe kontributin e kësaj të fundit për lirinë e vendin, mirëpo, siç potencon deputeti i opozitës, tani rreziku për Kosovën po vije nga brenda, për shkak të politikës së gabuar, kryesisht të presidentit të vendit.

E, shoqëria civile, është e mendimit se letra e Angla Merkel paraqet më së miri shqetësimin e aleatit të natyrshëm, siç është Gjermania, për gjendjen në Kosovë e sidomos për idenë e lansuar nga presidenti  Hashim Thaçi.

Deputeti i LDK-së: Për ta ndalur Thaçin detyrë e kemi ne

Image
Haxhi Avdyli

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Haxhi Avdyli, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se partia e tij që nga koha e presidentit historik Ibrahim Rugova, orientimin e politikës dhe aleancën gjeostrategjike e ka pasur me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Evropën.

Sipas tij, lidhja e Kosovës me Gjermaninë, ishte shumë e thellë duke e ditur edhe ndihmën dhe kontributin e Gjermanisë për lirinë, mirëpo, siç ka thënë deputeti i opozitës, fatkeqësisht boshti i politikës të disa tani në pushtet ka anuar në një anë tjetër.

“Lidhja Demokratike e Kosovës që nga koha e presidentit historik Ibrahim Rugova, orientimin e politikës dhe aleancën gjeostrategjike e ka pasur me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Evropën. Lidhja e Kosovës me Gjermanin , ishte shumë e thellë duke e ditur edhe ndihmën dhe kontributin e Gjermanisë për lirin dhe shtet-ndërtimin e Kosovës. Lidhja Demokratike e Kosovës edhe më vonë edhe tani ka kultivuar lidhje speciale me Gjermaninë, por fatkeqësisht boshti i politikës të disa tani në pushtet kanë anuar një anë tjetër dhe po tentohet anashkalimi i Gjermanisë”, ka thënë deputeti Avdyli.

Tutje, deputeti i LDK-së ka theksuar se për ta ndaluar presidentin Hashim Thaçi, detyrë e kanë deputetët e Kuvendit të Kosovës, ndërsa potencon se për ta bërë një gjë të tillë rastin e humbën këto ditë.

“Përkrahja e Gjermanisë për Integritetin e Kosovës tregon se çfarë miq të mirë janë Gjermanët dhe sa parimor janë, por tani rreziku po na vije nga brenda për shkak të politikave të gabuara kryesisht të presidentit. Dhe për ta ndaluar ketë president detyrë e kemi ne dhe jo Gjermania, por ne e humbëm rastin dje në Kuvendin e Kosovës”, ka përfunduar deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haxhi Avdyli, për gazetën “Bota sot”.

Abazi: Marrëdhënie mes partive të Kosovës dhe Gjermanisë, janë strategjike për qeverinë e ardhshme

Image
Haki Abazi

Ndërsa, njohësi i zhvillimeve politike, Haki Abazi, duke e komentuar letrën e kancelares Angela Merkel, të drejtuar për kryetarin e LDK-së, ka thënë se roli dhe mbështetja e Gjermanisë për Kosovën dhe stabilitetin, sigurinë dhe zhvillimin në Ballkan është jashtëzakonisht e madhe dhe rëndësishme.

“Roli dhe mbështetja e Gjermanisë për Kosovën dhe stabilitetin, sigurinë dhe zhvillimin në Ballkan është jashtëzakonisht e madhe dhe rëndësishme. Ka shume arsyeje pse Gjermania dhe kancelarja Gjermane është kujdesur nga afër për Bosnjën, Kosovën dhe Maqedoninë. E ardhmja dhe kredibiliteti i BE-së dhe NATO-s varet nga suksesi në Ballkan. Sigurisht që Gjermania është e interesuar që të ketë sistem demokratik dhe funksional në shtetin e Kosovës”, është shprehur Abazi.

Abazi për gazetën “Bota sot”, ka shtuar më tej duke thënë se historia e këtij bashkëpunimi daton që nga koha e ministrit të jashtëm Joshka Fischer me presidentin Ibrahim Rugova.

“Historia e mbështetjes nga Gjermani daton që nga koha e ministrit të jashtëm Joshka Fischer që kishte pritur Presidentin Rugova dhe kishte bërë përkrahjen e plotë të Kosovës kundër agresionit serb”, ka shtuar Abazi.

Krejt në fund, analisti politik ka potencuar se bashkëpunimi i mirë i dy partive opozitare me dy partitë gjermane është një marrëdhënie e shëndoshë dhe më shumë strategjike për Kosovën dhe qeverinë e ardhshme që duhet krijuar në vend për ta nxjerrë Kosovën nga kjo krizë e thellë.

“Besoj shumë që marrëdhëniet e LDK-së me CDU-në dhe marrëdhëniet e VV-së me SPD-në janë marrëdhënie të shëndosha dhe më shumë strategjike për Kosovën dhe qeverinë e ardhshme që duhet krijuar në vend për ta nxjerrë vendin nga kjo krizë e thellë dhe rrezik që po i kanoset”, ka thënë krejt në fund për gazetën “Bota sot”, analisti politik, Haki Abazi.

“Gjermani asnjëherë nuk e ka parë presidentin Thaçi si partner të besueshëm”

Image
Nexhat Haziri

E, në anën tjetër edhe analisti tjetër politik, Nexhat Haziri, e ka komentuar bashkëpunimin ndërmjet LDK-së së Isa Mustafës dhe CDU-së së Angela Merkel.

Haziri në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se kjo letër paraqet shqetësimin e aleatit tonë të natyrshëm, siç është Gjermania, për gjendjen në Kosovë, sidomos për idenë që u lansua nga presidenti Thaçi.

“Letra e kancelares Angela Merkel drejtuar kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa, paraqet shqetësimin e aleatit tonë të natyrshëm siç është Gjermania për gjendjen në Kosovë, sidomos për idenë që u lansua nga presidenti Thaçi mbi ndryshimin e kufijve e që kundërshtohet ashpër nga Gjermani”.

“Për më tepër në këtë letër, kancelarja Merkel, konfirmon edhe një herë pozicionin e Gjermanisë në përkrahjen e Kosovës dhe të garantimit të tërësisë territoriale të saj. Sa i përket asaj që Gjermania nën udhëheqjen e kancelares Merkel ka preferencat e saja që LDK-ja të jetë në pushtet, kjo është e natyrshme, pasi Merkel është lidere e CDU-së dhe me LDK-në janë parti aleate si i përket ideologjisë politike, pasi të dyja partitë i takojnë bllokut të partive popullore evropiane, dhe po ashtu LDK-ja shihet nga pala gjermane si një partner i besuar”, ka thënë Haziri.

Ai gjithashtu, ka thënë se në raport me presidentin Hashim Thaçi, shteti Gjerman asnjëherë nuk e ka parë si partner të besueshëm dhe jo vetëm tani, por që nga koha e skandalit të arrestimit të tre agjendave të BND-së.

“Ndërsa në raport me presidentin Thaçi, Gjermania asnjëherë nuk e ka parë si partner të besueshëm dhe jo vetëm tani por që nga koha e skandalit të arrestimit të tre agjendave të BND-së nga qeveria e Thaçit gjoja me pretekstin se ata kishin dorë në një shpërthim që patë ndodhur në ndërtesën e OSBE-së në vitin 2009, nëse nuk gabohem”, ka thënë ai.

Haziri ka deklaruar se presidenti aktual me idenë e tij për ndryshim kufijsh si marrëveshje me Serbinë gjatë procesit të dialogut me ndërmjetësimin e Brukselit përfundimisht ka vendosur një mur të pakalueshëm në mes Kosovës dhe Gjermanisë.

“Thaçi me idenë e tij për ndryshim kufijsh si marrëveshje me Serbinë gjatë procesit të dialogut me ndërmjetësimin e Brukselit sulmet që ai i bën shtetit gjerman si gjoja pengesë së arritjes së kësaj marrëveshje me Serbinë, përfundimisht ka vendosur një mur të pakalueshëm në mes Kosovës dhe Gjermanisë, dhe po i rrezikon seriozisht marrëdhëniet me aleatin tonë të natyrshëm në BE, siç është Gjermania, njëri nga shtet që fuqishëm ka përkrahur çlirimin, pavarësinë dhe zhvillimin e shtetit të Kosovës”, ka përfunduar Nexhat Haziri për gazetën “Bota sot”.

Angela Merkel i përgjigjet letrës së Isa Mustafës

Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, i është përgjigjur shkresës së kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa.

Merkel, në letrën drejtuar Mustafës ka thënë se është duke e përcjellë më brengosje të madhe idenë e ndryshimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Edhe nga këndvështrimi im është shumë me rëndësi që Kosova të vazhdojë dialogun me Serbinë me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian dhe të shtyjë përpara normalizimin e marrëdhënieve. Debatin rreth ndryshimit të kufijve edhe unë, sikurse ju po e përcjell me brengosje të madhe”, thuhet në letrën e Merkelit.

Kancelarja Merkel thekson se, “edhe nga këndvështrimi im është shumë me rëndësi që Kosova të vazhdojë dialogun me Serbinë me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian dhe të shtyjë përpara normalizimin e marrëdhënieve. Debatin rreth ndryshimit të kufijve edhe unë, sikurse ju po e përcjell me brengosje të madhe”, porosit Kancelarja Merkel.

Duke trajtuar çështjen e liberalizimit të vizave të adresuar nga shkresa e Kryetarit të LDK-së, kancelarja Gjermane Angela Merkel shkruan: ”Unë jam e vetëdijshme sa e rëndësishme është arritja e udhëtimeve pa viza për qëllime turizmi për vendin tuaj. Thelbësore për Gjermaninë në këtë rast është plotësimi pa përjashtim i të gjitha kritereve, para se mund të jepet liberalizimi i vizave. Konsultimet e shteteve anëtare të BE-së rreth kësaj çështjeje janë duke vazhduar”.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa kishte njoftuar, në fund të muajit shtator të këtij viti, Kancelaren Gjermane Angela Merkel dhe Ministrat e Punëve të Jashtme të të gjitha vendeve të BE-së lidhur me qëndrimet e LDK-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Një reflektim në këtë letër Kryetari Mustafa e pranoi para disa ditësh edhe nga Ministri për Punë të jashtme dhe tregti të Hungarisë,  Peter Szijarto.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...