Gjykata Speciale deklarohet për aktakuzat e para

Politika

Gjykata Speciale deklarohet për aktakuzat e para

Nga: D.RR Më: 4 nëntor 2018 Në ora: 07:55
Gjykata Speciale

Prokurori i Gjykatës Speciale për Kosovën, apo siç njihet me emrin zyrtar, "Prokurori i Specializuar”,  Jack Smith, qëndroi në Kosovë të martën për t'u takuar me krerët e organizatave ndërkombëtare, përfaqësuesit e shteteve anëtare të BE-së dhe me ministrin e Drejtësisë në qeverinë e Kosovës, Abelard Tahiri. Takimet u zhvilluan larg medieve, ndërsa, Prokurori Smith nuk bëri ndonjë deklaratë.

Ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri, pas takimit me prokurorin Smith, tha se ai i ka shprehur zotit Smith ”gatishmërinë e institucioneve të Republikës së Kosovës për të përmbushur të gjitha detyrimet e saj ndaj Dhomave të Specializuara, të cilat janë themeluar me ndryshimet kushtetuese dhe ligjore të miratuara nga Kuvendi i Republikës së Kosovës".

Smith nuk i takon Thaçin, Haradinajn, Veselin

Mirëpo, prokurori Smith nuk zhvilloi asnjë takim me krerët e politikës së Kosovës, duke injoruar ata tërësisht.

Lidhur me këtë, kanë folur për “Bota sot” nga Gjykata Speciale, duke thënë se, Ministri i Drejtësisë është bashkëfolësi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar në qeverinë e Kosovës dhe se ai përqendrohet në zbatimin e mandatit të tij sipas Ligjit mbi Dhomat e Specializuara.

“Prokurori i Specializuar përqendrohet në zbatimin e mandatit të tij sipas Ligjit mbi Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar të miratuar në vitin 2015. Ministri i Drejtësisë është bashkëfolësi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar në qeverinë e Kosovës”, ka qenë përgjigja nga zyra e Gjykatës Speciale.

Ata kanë thënë se, zyra e prokurorit nuk e diskuton kohën kur do të ngrihen akuzat e para.

“Sipas praktikës së zakonshme prokuroriale Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk e diskuton kohën kur mund të ngrihen akuza të mundshme”, kanë treguar ata.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat