Liberalizimi i vizave nuk mund finalizohet deri në vitin 2020

Politika

Liberalizimi i vizave nuk mund finalizohet deri në vitin 2020

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 6 nëntor 2018 Në ora: 08:10
Foto ilustruese

“Kjo qeveri, megjithatë, ka bërë shumë në plotësimin e nevojave individuale, grupore e klanore, duke u mundur që përmes kësaj të sigurojnë ekzistimin dhe mbijetesën e tyre në politikë për një kohë të gjatë. Nëse nuk do të ketë liberalizim të vizave, kjo do të jetë kryekëput për fajin e kësaj qeverie, pasi që Qeveria Mustafa që në vitin 2016 kishte premtime kredibile se liberalizimi do të ndodhte atëherë, sikur të miratohej demarkacioni”, thotë Bajram Gecaj për gazetën “Bota sot”.

Edhe pse zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian në vazhdimësi kanë pohuar se Kosova i ka plotësuar 95 kriteret e vëna për liberalizim, vendimi për heqje vizash nuk është i sigurt se do të merret as brenda këtij viti.

Përkundrazi, tashmë është paralajmëruar se ky proces mund të mos finalizohet deri në vitin 2020.

E kjo po ndodh edhe pas ratifikimit të Demarkacionit me Malin e Zi.

Qeveria aktuale ishte e bindur se pas kësaj marrëveshje do të ndodh liberalizimi i vizave.

Megjithatë, nuk ndodhi.

Shumë kritere ka pasur Kosova për të plotësuar në mënyrë që të marrë dritën jeshile sa i përket liberalizimit.

Luftimi i krimit dhe korrupsionit është më i rëndësishmi edhe për ne si shoqëri.

Dikasteri i drejtësisë, Prokurori dhe Gjyqësi, janë të ndikuara nga politika.

Këto insistucione, edhe po të duan të punojnë dhe të marrin vendime të drejta, nuk munden t`i zbatojnë të njëjtat, pasi janë të rrezikuar, ashtu siç ndodhi me ish-prokurorin e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Elez Blakaj, i cili pas kërcënimeve dhe shantazheve të bëra ndaj tij, u dash ta lëshonte Kosovën për të ikur në SHBA.

Kemi pasur edhe shumë raste të drejtësisë, të cilat janë edhe të shënjestruara si “pengesë” për liberalizimin e vizave.

Gecaj: Qeveria kryekëput fajtore

Image
Bajram Gecaj

Ish-këshilltari i ish-kryeministrit Isa Mustafa, Bajram Gecaj pohon se, kjo Qeveri nuk ka bërë shumë në asnjë drejtim dhe kjo shihet qartë si nga qytetarët e Kosovës ashtu edhe faktori ndërkombëtar, i cili ka një prezencë solide në Kosovë.

“Kjo qeveri, megjithatë, ka bërë shumë në plotësimin e nevojave individuale, grupore e klanore, duke u mundur që përmes kësaj të sigurojnë ekzistimin dhe mbijetesën e tyre në politikë për një kohë të gjatë. Nëse nuk do të ketë liberalizim të vizave, kjo do të jetë kryekëput për fajin e kësaj qeverie, pasi që Qeveria Mustafa që në vitin 2016 kishte premtime kredibile se liberalizimi do të ndodhte atëherë, sikur të miratohej demarkacioni”, thotë Gecaj për gazetën “Bota sot”.

Fetoshi: Institucionet s’mund të shfajësohen për neglizhencën dhe qasjen jo serioze ndaj këtij procesi

Image
Arben Fetoshi

Kurse, Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Arben Fetoshi, thotë se, historia e liberalizimit të vizave për Kosovën është kthyer në një cirk politik për të cilin ata po paguajnë biletë shumë të shtrenjtë.

“Pavarësisht ngecjeve të sistemit tonë gjyqësor apo shqetësimeve për ndërhyrje politike, vendimi i Këshillit të BE-së nuk do të duhej të shtyhet për tri arsye: e para, sepse kriteri për rezultatet në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar është proces që kushtëzohet nga forcimi i shtetit ligjor; e dyta, sepse performanca e gjyqësorit nuk është përkeqësuar nga koha e rekomandimit pozitiv apo miratimit nga ana e Parlamentit Evropian; dhe e treta, sepse shtyrja eventuale nuk siguron ndryshim pozitiv, përkundrazi do të ishte ndëshkim për qytetarët”, thotë profesori për gazetën “Bota sot”.

Prandaj, sipas tij, duke pasur parasysh që qytetarët e Kosovës kanë mbetur të vetmit në rajon pa këtë të drejtë themelore dhe si numër s’mund të jenë problem për BE-në, apo duke pasur parasysh liberalizimin e vizave për Ukrainën një pjesë e të cilës ende vazhdon të jetë në gjendje lufte, shtyrja eventuale e vendimit nga Këshilli i Ministrave do të ishte mesazh politik.

“Megjithëse institucionet s’mund të shfajësohen për neglizhencën dhe qasjen jo serioze ndaj këtij procesi, nëse një gjë e tillë ndodhë, atëherë do të vërtetohet principi i kushtëzimit me procese të tjera, siç është dialogu Prishtinë-Beograd për marrëveshjen finale apo Gjykata Speciale”, përfundon profesori Arben Fetoshi.

Duhanaj: Vonesa si një lloj shantazhi ndaj klasës politike të korruptuar deri në palcë

Image
Leon Duhanaj

Kurse, analisti politik, Leon Duhanaj, për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën, konstaton se më nuk ka asgjë teknike që do të duhej zbatuar por krejt çfarë e rëndon ketë proces, është çështje ekskluzivisht politike.

“Së pari, mendoj që është një lloj shantazhi ndaj klasës politike të Kosovës, e cila është e korruptuar deri në palcë. Pastaj edhe e papërgjegjshme karshi nevojave imediate të qytetarëve të Kosovës. Së dyti, unë mendoj që BE-ja përkatësisht disa shtete anëtare, e bllokojnë Kosovën për ta mbajtur peng dhe shantazhuar në procesin e bisedimeve me Serbinë. Në anën tjetër disa shtete preferojnë peshkimin selektiv të kuadrit nga Kosova, pa  u ngarkuar me procese filtrimi në tregun e punës”, thotë Duhanaj për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, duke qenë se klasa politike e Kosovës është aq e keqe sa që qytetarëve ua ka humbë çdo vullnet për të jetuar në Kosovë, natyrisht që është e pritshme që në rast të lëvizjes së lirë, të ketë largime masive.

“Megjithatë, duke qenë të vetëdijshëm për numrin e vogël të qytetarëve të Kosovës, nuk mendoj që nuk është problemi i frikës së ndonjë invazioni, aq sa është qëllimi i kushtëzimit të politikës së Kosovës. Për fat të keq, edhe vetë qytetarët kanë fajet e veta, sepse nuk i kanë kuptuar mesazhet nga ana e komunitetit ndërkombëtarë, me ç’rast vazhdojnë t'i rizgjedhin të njëjtit politikanë që po ua nxinë jetën”, përfundon ai.

Burjani: Duhet të tregohen arsyet e zhagitjes

Image
Blerim Burjani

Njohësi i çështjeve juridike Blerim Burjani, pohon se, deri tash po mbetet konfidencial raporti i delegacionit të BE-së, për liberalizim.

Ai thotë se, diku ka ngecje për të cilën duket se institucionet e vendit nuk po tregohen transparent.

“Edhe ashtu, nuk ishte raporti aq pozitiv sa thoshin zyrtarët e Kosovës. Askush në BE nuk ka garantuar se do të ketë liberalizim të vizave përderisa Këshilli Evropian mos të vendos. Është e habitshme edhe nga ana e BE që nuk tregon arsyet e zhagitjes apo ka edhe atje disa deklarata të çuditshme rreth Kosovës dhe liberalizimit të vizave. Duhet bërë me dije qytetarëve të Kosovës me kohë për të gjitha e jo për të bërë lojëra të ndryshme që po dëmtojnë edhe imazhin e BE-së në Kosovë. Jo rrallë zyrtar vendor të Kosovës drejtonin gishtin ka Brukseli, ku thuhet se janë plotësuar të gjitha kriteret teknike por nuk ka liberalizim”, thotë Burjani për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, kjo është çudi sepse ka deklarata të cilat nuk dihen se janë të sakta, andaj ai thotë se qytetarët kanë nevojë për informata korrekte dhe të sinqerta.

“Disa shtete të BE-së kanë frik, si Franca dhe Holanda se mund të ketë shumë qytetarë të Kosovës që ikin në këto vende dhe vende të tjera të BE-së. Ndoshta mund të jetë një nga arsyet që mund të prolongohet se ka shumë të rinj që presin sinjalin e vizave për t’u largua për shkak të gjendjes politike, punësimit të dobët dhe zhvillimit të dobët ekonomik të shtetit, si dhe mos avancim dhe korrupsion që rënd po e dëmton ekonominë vendore”, thotë Blerim Burjani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat