Mesazhet e Kurz, Krasniqi: As formim të ushtrisë, as liberalizim të vizave, as anëtarësim në Interpol

Politika

Mesazhet e Kurz, Krasniqi: As formim të ushtrisë, as liberalizim të vizave, as anëtarësim në Interpol

Nga: G.B Më: 6 nëntor 2018 Në ora: 15:11
Sebastian Kurz dhe Hashim Thaçi

Kancelari austriak Sebastian Kurz ka qëndruar sot në Kosovë, ku ka thënë se Austria e mbështet çdo marrëveshje që arrihet në mes të Kosovës dhe Serbisë, përfshirë dhe atë për korrigjim të kufijve.

Sa i përket liberalizimit të vizave, ai tha se ka ende kohë që të votohet në Këshillin e Ministrave, pasi ka ende shumë shtete që janë skeptike.

Ai foli edhe për ushtrinë, ku tha se janë skeptik për të dhe se është një çështje që duhet pasur shumë kujdes.

Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve politike në vend, Faik Krasniqi, ka thënë për gazetën “Bota sot” se me këtë u kuptua që nuk ka as formim të ushtrisë, as liberalizim të vizave e as anëtarësim në Interpol.

Image
Faik Krasniqi

“As formim të ushtrisë, as liberalizim të vizave, as anëtarësim në Interpol. Vazhdim i dialogut me Serbinë, dhe mbështetja e çdo marrëveshje që arrihet me Serbinë, qoftë edhe shkëmbimi i territoreve. Çfarë përfitojmë ne? Asgjë”, është shprehur ai.

Sipas Krasniqit, për Austrinë dhe BE-në me rëndësi është që të vazhdohet dialogu dhe Serbisë t’i hapet rruga drejt anëtarësimit në BE.

“Për Austrinë dhe BE-në me rëndësi është vazhdimi i dialogut, në mënyrë që Serbisë t'i hapet rruga drejt anëtarësimit sa më të shpejtë në BE. Kurse Kosova do të ngelet shtet pa shtet, një shtet neutral-tranzit dhe jofunksional”, ka deklaruar Krasniqi për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat