Nga rrena në rrenë, për cilën bindje po na flet Ramush Haradinaj

Politika

Nga rrena në rrenë, për cilën bindje po na flet Ramush Haradinaj

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 6 nëntor 2018 Në ora: 18:33
Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj

Për bindjen e Ramush Haradinajt ideja e Thaçit për korrigjim kufijsh ka vdekur. Por, kryeministri i Kosovës dhe partia e tij AAK nuk e patën këtë bindje ditën kur nuk e votuan rezolutën që do të parandalonte Thaçin, që të diskutojë për kufijtë në dialog me Serbinë. E për bindjen e Haradinajt as Çakorri e Kulla nuk do t`i jepej Malit të Zi. Por, Haradinaj e partia e tij nuk e patën këtë bindje kur e votuan marrëveshjen për demarkacionin  me Malin e zi e servuar me një “ndryshim kozmetik” pa ndonjë efekt juridik. Për bindjen e Ramushit qytetarët e Kosovës do të udhëtonin pa viza që në dhjetor të vitit 2017, por kjo bindje duket se nuk do të bëhet realitet para vitit 2020. Për bindjen e tij, edhe ushtrinë do ta kishim shumë shpejt, por këtë bindje e “shoi” Kancelari i Austrisë duke shprehur skepticizmin e tij se kjo do të ndodhë.

Haradinaj, tjetër gjë ka në mendje e tjetër gjë paraqet para publikut. Një politikan me tipare të politikanëve serbë, të cilët e konsiderojnë “shkollë” aftësinë për të gënjyer publikisht.

Deklaratat e Kryeministrit të vendit Ramush Haradinaj kundër Presidentit Hashim Thaçi janë aq të forta në ambalazh e aq të thata për nga përmbushja apo realizimi i tyre. Nëse Haradinaj e paska ditur se plani i Thaçit është të marr njohjen e Serbisë për Kosovën dhe Serbisë t`ia falë veriun, përse nuk e ndaloi një gjë të tillë në dy mundësitë që i pati. Haradinaj, pati mundësi që t`i marrë personalisht frenat e dialogut me Serbinë, por preferoi që në tavolinë bisedimesh të ulte Hashim Thaçin. Haradinaj e humbi edhe mundësinë për ta ndaluar Thaçin që të bëjë pazare me kufijtë e Kosovës, por ai zgjodhi të mos e votonte rezolutën e cila ishte përgatitur për këtë gjë. Për çfarë bindje po na flet kryeministri e për çfarë njohje Presidenti?

Përse ka nevojë Kosova të marrë njohjen e Serbisë dhe për këtë t`ia falë Serbisë veriun? A ishte Serbia agresor apo viktimë në luftën me Kosovën? Aktualisht kemi një president që po e promovon idenë e hapjes së shtetësisë së Kosovës dhe një kryeministër që në mënyrë hipokrite mundohet të na “bindë” se ideja e tij ka vdekur.

Haradinaj e Thaçi po e faktorizojnë Serbinë pa fije turpi, duke harruar viktimat e luftës dhe gjakun e derdhur të mbi 20 mijë shqiptarëve për lirinë e Kosovës.

Derisa Izraeli ende nuk ka arritur ta falë Gjermaninë për luftën e dytë botërore, Hashim Thaçi 20 vjet pasi ka mbaruar lufta po synon të bëjë paqe dhe ta falë Serbinë për krimet e saj, madje, paturpësisht po do t`i falë edhe tokë..

Haradinaj, po e shikon Thaçin nga këndi i një shikuesi të një televonele dhe po i komenton veprimet e tij po sikur një shikues i një telenovele, pa pasur mundësinë e as guximin që të ndërhyjë për të ndaluar  veprimet e tij.

Pra, Thaçi është një regjisor i zoti karshi Haradinajt në Kosovë e një servil i denjë i politikave shoviniste serbe që kanë për qëllim copëtimin e vendit.

Se kush do ta ndërpres transmetimin e kësaj telenovele, pritet të shihet në të ardhmen e afërt.

Por, një gjë dihet me siguri, pavarësisht deklaratave të tij “patetike” dhe “populiste”, Ramush Haradinaj nuk do të jetë ai që do ta ndalë Thaçin që të bëjë pazar me tokat e vendit.

Kjo, pasi në thelb Haradinaj është i njëjtë si Thaçi! Mjafton të kujtojmë mënyrën se si Haradinaj e realizoi ëndrrën për të qenë kryeministër...  

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat