Veprimet joetike dhe skandaloze të kryeministrit Haradinaj

Politika

Veprimet joetike dhe skandaloze të kryeministrit Haradinaj

Idriz Zeqiraj Nga Idriz Zeqiraj Më 7 nëntor 2018 Në ora: 09:05
Ramush Haradinaj

Edhe pse kanë kaluar dekadat, në popull është përcjellë pamuturia, gafat publike të zyrtarëve, të mangët në arsimim dhe edukatë. Lufta, partizanllëku i viteve `40-a, ngriti në pushtet shqipfolës, vrasës të nacionalistëve shqiptarë, të cilët, si servilë e shërbëtorë të sllavizmit jugosllav, u sulën me egërsi karshi bashkëkombëseve të tyre, duke i shpronësuar, dhunshëm, burgosur, vrarë e sakatosur, individualisht dhe familjarisht.

Historia u përsërit edhe gjatë dhe pas luftës së fundit në Kosovë. Djemtë bastardë, të infektuar nga ideologjia e kuqe sllavo-ruse, në shërbim të Sigurimit shqiptar të Enver Hoxhës, të Serbisë dhe të shërbimeve informative të shteteve armike të Kosovës, aksidentalisht, kapën kupolën e shtetit dhe të pushtetit, duke e përsëritur historinë vrastare të etërve të tyre partizanë, sundimtarë injorantë të monizmit, puthadorë të sllavizmit.

Afera e klanit "Pronto", është pasqyrë, sintezë e rrugaçërisë kriminale të kastës aktuale pushtetare. Fjalori i tyre flet mjaft, andaj, përjashton komentin.

Pazarllëqet e pista të PAN-it, sollën në krye të Qeverisë Ramush Haradinaj, i cili, me mbarimin e shkollës fillore, kishte shuar ëndrrat për karrierë. Por, siç thoshin pleqtë: "Vakti e hanë kashtën!" Kështu po i ndodhë edhe Kosovës!

1. Justifikimin për shkarkimin e një drejtori, Ramush kryeministri e thjeshtëzoi, deri në banalitet, duke e quajtur "hajn", madje, nga foltorja e Parlamentit, por, duke mos sjellë asnjë fakt!

2. E përsëriti për rastin e Prokurorit Special, Elez Blakaj, duke e shtuar dozën e fyerjes, krejt padrejtësisht, "hajn i pulave" dhe "pishpirik!" Ndërkohë që prokurori Blakaj denoncoi hajninë zyrtare më të madhe, të bërë nga "komandantët " kriminalë, përmes listave të falsifikuara të "dëshmisë të veteranit". Por, kryehajna rezultojnë të jenë eprorët, "gjeneralët", të cilët urdhëruan fryrjen e listave në fjalë, për interesat e tyre.

 Ramush kryeministri, me atë pamaturinë klasike, përdori zhargonin e karrocierit, kur njerëzit i zënë rrugën në ditën e tregut, dhe zbrazi të gjithë arsenalin pezhorativ sharës.

Për çudë, Ramush kryeministri fyen me akuzën për hajni, cilindo që e shenjëstron për goditje. Ai hakërrohet, madje, tërbueshëm, për këdo që i përmend hajninë atij, qoftë private apo zyrtare. "Nuk lejoj dhe nuk duroj të më thotë dikush hajn", - kërcënon Ramushi! Por, për t`u thënë hajna të tjerëve, ai i jep vetës të drejtë, madje, duke qenë në cilësinë e kryeministrit!!! "Me çfarë kuti, mat Dauti", - thotë një urtësi shqiptare?!

 Të thuash se "tanë Kosova ka marrë pjesë në luftë dhe duhet të jenë tej 60.000 veteranëve", ndërkohë që shefi i Shtabit të UÇK-së, Sylejman Selimi dhe komandantët tjerë kryesorë, japin shifrën 12.700 luftëtarëve faktikë në Kosovë, a nuk është këmbëngulje e Ramush kryeministrit ta vjedh buxhetin e Kosovës zyrtarisht?! Gjithsesi po.

Tashmë, janë bindur të gjithë drejtuesit e formacioneve ushtarake të grupeve, çetave, batalioneve dhe të atyre mini-brigadave, të cilat, për numrin simbolik të luftëtarëve që kishin, është emërtesë fiktive, me fare pak përjashtime, por, jo edhe Ramush Haradinaj, me harambashët e tij, fort të dyshuar për krime gjithëfarëshe.  

Frashër Krasniqi nuk bëri asnjë blasfemi

Pamaturia neveritëse zyrtare e Ramush kryeministrit, reagoi vrazhdësisht, në rastin e deputetit Frashër Krasniqi, kur vlerëson së dështimet e Ramushit, janë të tërësishme, por, veçon si të mirë gruan e bukur të tij. Asgjë jashtë normales, asnjë fyerje njerëzore e morale nuk ka në këtë mes. Anita, para se të jetë nusja e Ramush kryeministrit, është e bija e spikerit, folësit, moderatorit të talentuar dhe të respektuar, Mustafë Muqaj.

Anita është një figurë e dashur publike, ashtu siç janë folset dhe folësit në ekranet televizive. Ta pohosh një të vërtetë, si në rastin e Frashër Krasniqit, për Anitën, nuk përbën kurrfarë blasfemie, mëkati, asfarë fyerje dhe aq më pak ndaj çiftit Anita e Ramush Haradinaj.

Retrospektivë

Së fundi, u publikua një video-incizim, njëra nga komunikatat shpifarake, falsifikuese, denigruese, idioteske, kriminale dhe, skajshëm, rrugaçërore e një "biçim" Shtabi t UÇK-së, për "tradhtinë", takimin e Ibrahim Rugovës me Millosheviçin në Beograd. Realisht, Presidenti Rugova është kidnapua nga zyrtarët e lartë të Ministrisë të Brendshme të Serbisë, për ta dërguar, dhunshëm, në Beograd.

Në vend të bashkëngjitjes popullit, i cili shprehte dashuri e dhimbje të madhe, për fatin e Presidentit të tyre, stalinistët kriminelë të LPK-së puçiste, tashmë, të identifikuar si vrastarë të kundërshtarëve politikë dhe të ushtarakëve të FARK-ut të Ibrahim Rugovës, festonin dhe shpifnin vrazhdësisht e poshtërsisht.

Ndërkohë që Presidenti Rugova, edhe pse i rrezikuar, personalisht dhe familjarisht, qendronte stoikisht në Prishtinë, "komandantët", hafije e rrugaçë, kishin larguar nga Kosova familjen dhe të afërmit e tyre, me micë e kucë, dhe abuzonin me Fondet nga paratë e mërgimtarëve, në hotelet dhe vilat luksoze të Tiranës.

Dëgjuesi, shikuesi i vëmendshëm, kur gjendet para ekranit, me rastin e leximit të një komunikate të pistë, të shkruar nga lëvizakët shpifës, urdhërdhënës të vrasjeve seriale të shqiptarëve të pafajshëm, shtangët para gjendjes shpirtërore dhe, pothuaj se të përvajshme, deri në lot, të spikerit, folësit Mustafë Muqaj. Ai nuk përballonte shpifjen dhe fyerjen për Presidentin Rugova, Komandantin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës të Kosovës.

Dhe, në pamundësi, për t`i përballuar emocionet, deri në shpërthim loti, ia dorëzoi komunikatën ndyracake, për lexim, folsës provokatore të shqiptarëve, përgjatë gjithë luftës, pjellë e bandës të LPK-së.

Edukimi i anëtarësisë është detyrë

Presidenti Rugova, veç tjerash, vlerësohet lart për edukimin e anëtarësisë dhe të popullit të Kosovës. LDK-ja, në masën më të madhe, ka ruajtur atë edukatë dhe në çfarëdo situate, manifeston etikë e maturi qytetare dhe emancipuese.

Reagimi i pamatur e kërcënues i Ramush kryeministrit, shërbeu si nxitje për militantët e AAK-së. Kinse në mbështetje të shefit të partisë, ata shpërthyen me të shara të pista, kundër deputetit Frashër Krasniqit. Një fjalor i tillë, turpëron shefin dhe partinë e tij. Andaj, është detyrë e drejtuesve të partisë ta edukojnë anëtarësinë, ta pastrojnë fjalorin e rrugëve, të shprehin mendimet e tyre ndryshe, konformë etikës, që kërkon kodi, fjala publike.

Do të ishte në nderin e Ramush kryeministrit t`i tërheq kërcënimet e pamatura, të panevojshme e hiç fisnike, të bëra në adresë të deputetit Frashër Krasniqit. Krahasimi se "unë nuk jam Milaim", është një mburrje naive, primitive e provinciale, një nonsens, që nuk e nderon Ramush kryeministrin. Zenka "live", ishte shqetësuese dhe keqardhje për opinionin. Ishte fajësi e përbashkët e Zekës dhe Krasniqit, që duhet tejkaluar dhe harruar. Edhe sikur Ramushi ta nokautojë çdo ditë nga një njeri, përsëri njerëzit do ta kritikojnë Ramush kryeministrin dhe do ta himnizojnë talentin dhe bukurinë e nuses Anitë. 

Në vitet `60-a, kam shërbyer mësues në komunën e Malishvës. Njoh Familjen Krasniqi, familje konak, e traditës. Rrjedhimisht, edhe  pinjolli i kësaj Familjeje, Frashëri, i dinë rregullat e "lojës". Dhe, asgjë të qëllimshme e keqdashëse, për të talentuarën, në artin e prezantueses, folsës dhe bukurinë e Anitës, nuk ka pasur.

Keqkuptimet e stisura, të kërkuara, të panevojshme, nuk duhet kapitalizuar dhe hiperbolizuar. Përkundrazi, për të mirë, apo për të keq, njerëzit dhe sidomos zyrtarët e lartë, duhet menduar dhe reaguar maturish dhe racionalisht. Përndryshe bëhen qesharakë, bëhen "përrallë me tupan"!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat