“Dita e 11 nëntorit mund të jetë ditë e kobshme për Kosovën”

Politika

“Dita e 11 nëntorit mund të jetë ditë e kobshme për Kosovën”

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 9 nëntor 2018 Në ora: 17:15
Aleksandër Vuçiq, Hashim Thaçi, Emanuel Macron

11 nëntori mund të jetë dita më e kobshme për Republikën e Kosovës.

Kjo për faktin se, në këtë ditë, në Paris do të marrin pjesë dy presidentët, ai i Kosovës, Hashim Thaçi dhe homologu i tij serb, Aleksandër Vuçiq.

Përveç tyre, të ftuar nga presidenti francez Emanuel Macron janë edhe liderët më të fuqishëm botëror, si presidenti amerikan Donalt Trump, ai ruse Vladimir Putin dhe kancelaria gjermane Angela Merkel.

Dihet se bisedimet në mes të Kosovës dhe Serbisë kanë hyrë në fazën finale, dhe ajo mund të marrë formë më 11 nëntor në Francë, ku gjatë këtij takimi mund të ia “lidhin kokën” një marrëveshje historike presidenti Thaçi dhe Vuçiq.

Ish-deputeti i LDK-së, Adem Salihaj këtë ditë e quan ankth për Kosovën, kurse epilogun e këtij takimi e pret me frikë.

Image
Adem Salihaj

“Kosova duhet ta presë me ankth 11 nëntorin, ditën kur do të mbahet samiti i të mëdhenjve në Paris. Takimi i dy liderëve më të mëdhenj botëror dhe i dy liderëve më të mëdhenj evropianë, ku do të jenë edhe Vuçiqi dhe Thaçi, nuk ndjell asgjë të mirë për Kosovën. Duke marrë parasysh qëndrimin e Putinit dhe Trumpit, si dhe qëndrimin e Francës, atë të Vuçiqit dhe Thaçit, atëherë ne duhet ta presim me frikë epilogun e këtij takimi”, thotë Salihaj për gazetën “Bota sot”.

Ai këshilltarin e presidentin amerikan, Jon Bolton e quan kundërshtar të pavarësisë së Kosovës, ndërsa Kosovën thotë vetëm Merkeli mund ta mbroj në këtë samit, edhe përkundër faktit se kundërshtar e ka pikërisht presidentin Hashim Thaçi.

“Këshilltari i Trumpit, Jon Bolton, një kundërshtar i pavarësisë së Kosovës, sigurisht nuk ka pas folur krye në vete kur ishte në Prishtinë para një kohe. Kështu që, raporti i forcave në këtë takim është, siç e thash, pesë me një në favor të Serbisë. Vetëm kancelarja Merkel mund ta mbrojë Kosovën, të gjithë të tjerët janë me Serbinë. Nuk e di sa do të mundet jo e vetme ta mbrojë Kosovën, kur edhe vetë Thaçin e ka kundër. Ky samit u ngjanë Konferencës së Londrës dhe Kongresit të Berlinit, kur u copëtuan tokat shqiptare. Dita e 11 nëntorit mund të jetë ditë e kobshme për Kosovën”, përfundon Adem Salihaj.

Rreth kësaj çështje, Thaçi e Vuçiq kanë dhënë shenja se Kosova dhe Serbia mund të arrijnë marrëveshje historike, përmes korrigjimit të kufirit, ku me këtë rast Serbia do të pranonte Kosovën, dhe kjo e fundit do të mund edhe të bëhej anëtare e OKB-së.

Por, për këtë fuqitë perëndimore vazhdojnë të jenë të ndara. Edhe pse SHBA po e mbështet marrëveshjen Kosovë-Serbi përmes ndryshimit të kufijve, është Gjermania e Angela Merkel që po e kundërshton fuqishëm këtë formulë të zgjidhjes së problemit në mes të dy vendeve.

Prania e liderëve më të mëdhenj botëror te Macron, ku do të diskutohet marrëveshja finale Kosovë-Serbi, që parashihet edhe si përmbyllje e krizës disa dekadash në Ballkanin Perëndimor, po shikohet si mundësi, ku jo vetëm Kosova dhe Serbia, por për këtë të arrihet edhe pajtimi i Rusisë.

“Përtej përkujtimit, kjo është po ashtu një mundësi për të reflektuar rreth rendit të sotëm botëror dhe përgjegjësisë sonë kolektive për forcimin e paqes botërore dhe qeverisjes, duke pasur parasysh mësimet e nxjerra nga Lufta e Parë Botërore dhe angazhimet e më pasme për ndërtimin e një paqeje të qëndrueshme’, thuhet në ftesën që Macron u ka dërguar liderëve të shteteve.

E pikërisht krijimi i një paqeje të qëndrueshme mes Kosovës dhe Serbisë është në tryezën e diskutimeve mes liderëve botërorë më 11 nëntor në Paris.

Siç mësohet, ky do të jetë rast kur fuqitë e mëdha do të kenë rastin që, në prani të presidentit Thaçi dhe Vuçiq, të arrijnë në një konsensus për arritjen e “marrëveshjes finale” mes të dyjave vendeve.

Prania e presidentit Trump, presidentit Putin si dhe kancelares Merkel, e cila është shprehur e ashpër kundër korrigjimit të kufirit, do të krijojë klimën që, siç ishte deklaruar Macron, të gjendet një gjuhë e përbashkët mes Kosovës dhe Serbisë, e cila më pas do të gëzonte përkrahjen e fuqive të mëdha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat