Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Arben Fetoshi, ka thënë për “Bota sot” se skepticizmi i kancelarit Kurz i cili e vizitoi Kosovë, lidhur me ushtrinë apo vizat janë reflektim i qëndrimeve evropiane për Kosovën në njërën anë dhe për institucionet e politikën joserioze në anën tjetër.
“Mesazhet e kancelarit austriak janë në përputhje me sfidat që ka Kosova para vetes në muajt në vazhdim. Mbështetja për perspektivën evropiane, për marrëveshjen eventuale mes Kosovës e Serbisë, si dhe skepticizmi lidhur me ushtrinë apo vizat janë reflektim i qëndrimeve evropiane për Kosovën në njërën anë dhe për institucionet e politikën joserioze në anën tjetër”, ka deklaruar ai për “Bota sot”.
Për më tepër, ai ka shtuar se mesazhet e kancelarit duhet të lexohen si vërejtje për klasën politike, për gjyqësorin dhe për diplomacinë e Kosovës.
“Qëndrim më të ashpër ndaj Serbisë se sa kushtëzimi i rrugës së saj europiane me Kosovën s’mund dhe s’duhet të pritet nga BE-ja. Pjesa tjetër i takon Kosovës dhe politikës së saj, e cila po vazhdon të tregohet e paaftë dhe skandaloze përballë interesave jetike. Pra, mesazhet e kancelarit duhet të lexohen si vërejtje për klasën politike, për gjyqësorin dhe për diplomacinë e Kosovës. Në këtë kuptim, përgjegjësia për dështimet do të jetë e qeverisë, por edhe e gjithë spektrit politik, sepse marrëveshja finale me Serbinë vazhdon të jetë krye tema e angazhimit ndërkombëtar në rajon. Pra, në kontekst të këtij qëllimi mendoj se duhet vendosur edhe çështjet si liberalizimi, ushtria apo edhe anëtarësimi në Interpol”, ka potencuar Fetoshi për “Bota sot”.