Hashim “Non Grata”

Politika

Hashim “Non Grata”

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 12 nëntor 2018 Në ora: 10:15
Hashim Thaçi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, po bëhet një person i padëshiruar thuajse kudo. Përveç se i padëshiruar, ai po bëhet edhe një servil ndaj të fortëve që po e injorojnë në idenë e tij për korrigjim kufijsh me shtetin e Serbisë, në bisedimet në Bruksel.

Ai të shtunën ka publikuar disa foto në rrjetin social Facebook, ku ndër fotot e shumta shihen dy foto të Angela Merkel, e vetme në fotografi. Një paraqitje e qartë e servilitetit të presidentit Thaçi karshi gruas më të fuqishme politike në Botë, kancelares Angela Merkel, pasi kjo e fundit nuk po e mirëpret presidentin e Kosovës me idetë e tij, e që ajo i quan të rrezikshme dhe me tendencë stabilizimi.

Thaçi është i padëshiruar edhe në Kosovë nga pothuajse e gjithë skena politike, përfshirë edhe figura të shquara të kombit shqiptarë. Madje, atij ia kanë kthyer shpinën edhe familja heroike e Adem Jasharit, e cila nuk e do as në fjalime e vizita, kur bëhet fjalë për familjen e tyre.

Prishja e raporteve me kryeministrit Haradinaj dhe kryeparlamentarin Veseli, pikërisht për shkak të idesë së tij për korrigjim kufijsh, e kanë “zhveshur” Thaçin nga fuqia politike në institucionet e Kosovës, e madje edhe nga partia në të cilën për disa vite ishte kryetar.

I vetmi që e përkrahi presidentin e Kosovës në idenë e tij, ishte kancelari austriak, Sebastian Kurz i cili përveç që tha se përkrahin çfarëdo marrëveshje që arrihet në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë, ai deklaroi se Kosova nuk mund të ketë ushtrinë e saj si dhe u tregua shumë skeptik për liberalizimin e vizave.

Presidenti Thaçi është akuzuar se po i “përqafon” planet e Millosheviqit për ndarje të Kosovës dhe ideja e tij është quajtur si eufemizëm.

Thaçi ka vetëm një gjë pozitive. Ai është i vetmi që mund ta mashtrojë Vuçiqin në bisedimet në Bruksel, dhe askush tjetër. Dinakëria e tij mund t’i shërbej Kosovës si një plus i madh, por shancat e vogla janë që ai të fitojë në bisedime. E kaluara e tij në skenën politike të Kosovës, na bën ta themi këtë.

Mirëpo, ai si duket e ka bërë bashkë dinakërinë e tij së bashku me Aleksandër Vuçiqin, pasi pas çdo takimi mes tyre, dalin para mediave dhe tregohen aq skeptikë sa i përket përafrimit të marrëveshjeve. Madje, presidenti ynë viktimizohet shpeshherë ku thotë se e ka shumë të vështirë të dialogoj me të parin e Serbisë, madje ka thënë se më para do të bisedonte me një dreq sesa me të.

Të njëjtën gjë po e thotë edhe presidenti serb.

Por, kemi shumë raste kur ata janë parë shumë afër njëri tjetrit. E presidenti i Kosovës Thaçi ka thënë se ata “nuk janë djem problematik dhe po tentojnë të arrijnë marrëveshje të paqes”, deklaratë kjo e përcjellë nga të qeshura.

Pa dëshirën e tij, presidenti Thaçi po merr epitetin e një njeriu të padëshiruar – “non grata”, ku mundësia për një marrëveshje në kuadër të idesë së tij, është bllokuar nga katër anët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat