Vullneti i Listës serbe për rrëzimin e Qeverisë, një lojë Haradinaj-Radojçiq?

Politika

Vullneti i Listës serbe për rrëzimin e Qeverisë, një lojë Haradinaj-Radojçiq?

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 13 nëntor 2018 Në ora: 08:09
Ramush Haradinaj me përfaqësuesit e Listës Serbe

“Shprehja e vullnetit të Listës Serbe për rrëzimin e qeverisë mund edhe të jetë një lojë Haradinaj-Radojçiq, pasi që jam i sigurt se Beogradit më së shumti i konvenon një Qeveri e keqe, si kjo që kemi, e cila nuk mund të shtyjë bash asgjë para, lëne më proceset e rëndësisë nacionale”, thotë Bajram Gecaj për “Bota sot”.

Lista Serbe ka paralajmëruar se do të sillet si opozitë në Parlamentin e Republikës së Kosovës dhe do të mbështesë mocionin për rrëzimin e Qeverinë aktuale e cila udhëhiqet nga Ramush Haradinaj.

E kjo ka bërë që të fillojnë “dridhjet” tek presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe te lideri i PDK-së, njëkohësisht edhe kryetar i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli si dhe tek vet kryeministri Ramush Haradinaj.

Presidenti Hashim Thaçi i ka marrë këto paralajmërime me shqetësime. Ai ka thënë se, nëse kjo Qeveri në këtë format tregohet e paaftë për të funksionuar, për ta ruajtur vazhdimësinë dhe qëndrueshmërinë institucionale, mund të kemi një ristrukturim të partnerëve qeverisës – rrjedhimisht një qeveri tjetër.

E këtë e ka kundërshtuar kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Veseli: E bartim vendimmarrjen te sovrani

Veseli i cili është kryetar i partnerit më të madh në qeverinë e Kosovës, PDK, tha se qeveria nuk do t’u dorëzohet shantazheve.

“Ky vend e ka vetëm një sovran, e ai është qytetari i Kosovës. Nëse dikush tenton me minimalizu qenien e shtetit tonë, karriga s’na intereson. E bartim vendimmarrjen te sovrani. S’mundet askush me na kushtëzua, e shantazhu. Asnjë ditë s’mund ta shtantazhojnë as PDK-në, e besoj as partnerët tanë të koalicionit e kryeministrin Ramush Haradinaj”, ka thënë Kadri Veseli.

Haradinaj: Fillimisht liberelaizimi

Kurse, kryeministri Haradinaj, shprehet se ai është vullnet i Listës Serbe, duke mos u deklaruar në lidhje me paralajmërimet për rrëzimin e Qeverisë.

“Para se me shkua në zgjedhje të reja po këqyrim me e nxjerr liberalizimin, e para se me nxjerr në Parlament nuk kemi pse me spekulua... Sa i përket qëndrimit të partnerit të koalicionit në këtë rast të Listës Serbe është qëndrim i vullnetit të tyre, është vullnet i lirë politik dhe ne nuk e diktojmë atë”, ka thënë ai.

Gecaj: Nuk ka të keqe nga votat e Listës serbe

Image
Bajram Gecaj

Bajram Gecaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës thotë se, Qeverinë më të keqe të cilën e ka pasur Kosova ndonjëherë, apo Qeverinë e “komandantëve” - QPK II, duhet përpjekur për ta rrëzuar me të gjitha mjetet e mundshme dhe të lejuara demokratike, por jo me dhunë, siç e bënin ata.

“Ekziston një frikë jo e logjikshme dhe irracionale e rrëzimit të Qeverisë edhe duke përdorur votat e Listës Serbe. Mos të harrojmë se, me 10 maj 2017, të gjitha partitë tjera kishin përmbysur Qeverinë e LDK-së duke përdorur edhe votat e Listës Serbe. Prandaj, unë nuk shoh asnjë të keqe nëse Qeveria Haradinaj përmbyset duke përdorur edhe votat e kësaj liste, të cilët në fund të fundit janë deputetë të zgjedhur në zgjedhjet e Republikës së Kosovës dhe të një pjese të popullit të Kosovës. Do të ishte jo e drejt sikur përmbysja të bëhej përmes ndonjë kushtëzimi të papranueshëm; por nëse do të bëhej pa kushtëzime sinjifikante, unë personalisht besoj se nuk do të kishte asnjë të keqe”, thotë Gecaj për gazetën “Bota sot”.

Ai pohon se, kjo Qeveri duhet të shkoj patjetër, me apo pa votat e Listës Serbe.

“Sepse e tillë siç është, po i mbanë të gjitha proceset progresive peng dhe, jo që po avancon gjë, por fatkeqësisht me të Kosova po kthehet prapa në shumë procese të rëndësishëm; shembull më konkret i kësaj janë njohjet. Krejt në fund, shprehja e vullnetit të Listës Serbe për rrëzimin e qeverisë mund edhe të jetë një lojë Haradinaj-Radojçiq, pasi që jam i sigurt se Beogradit më së shumti i konvenon një Qeveri e keqe, si kjo që kemi, e cila nuk mund të shtyjë bash asgjë para, lëre më proceset e rëndësisë nacionale”, përfundon Gecaj.

Millaku: Opozita nuk duhet të sulmohet nëse përkrah rrëzimin e Qeverisë me votat e Listës serbe

Image
Drita Millaku

Qëndrim të njëjtë ka edhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku, e cila pohon se, kjo Qeveri e ka mbushur kupën dhe për të mirën e vendit është që kjo Qeveri të rrëzohet për arsye që nga fillimi i krijimit të koalicionit qeverisës gjithçka është bërë pa transparencë.

“Nuk ka asnjë vendim që është marrë nga kjo Qeveri që ka qëllim dhe objektiv për të arritur bile edhe vendimi i fundit për mallrat nga Serbia nuk është i mjaftueshëm pasi që, është dashur të jetë për embargo totale derisa Serbia të sillet si duhet në relacion me Kosovën. Pra, nuk ka arsye që të mbajmë një Qeveri që nuk sjell asgjë pozitive për vendin. Nuk e di si është e mundur të sulmohet opozita nëse përkrahë rrëzimin e Qeverisë me ose pa vota të Listës Serbe, kur pikërisht janë këta “super komandantë” e “super patriotë” që e kanë pritur me orë të tëra Listën Serbe të vij nga Beogradi për ta votuar Qeverinë. Me u formua Qeveria me Listën Serbe po bëka, e me shkarkua Qeverinë me Listën Serbe nuk po bëka”, thotë Millaku për gazetën “Bota sot”.

Murati: Opozita dhe Qeveria të gjejnë konsensus minimal

Image
Valon Murati

Kurse, kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati thotë se, ardhmëria e vendit nuk guxon të varet nga kushtëzimet e Listës Serbe.

“Rrjedhimisht asnjë Qeveri nuk do të duhej të funksiononte duke u bazuar në numrat e këtij subjekti politik, i cili realisht mbron interesat e Serbisë në Kosovë dhe jo të serbëve. Në këto rrethana, opozita dhe Qeveria duhet të uleshin e të ndërtojnë një konsensus minimal. Në periudhën afatshkurtër kjo do të nënkuptonte një Qeveri uniteti me mandat të kufizuar kohor dhe politik. Kështu kjo Qeveri do të duhej të kishte një mandat njëvjeçar dhe të punonte në ndërtimin e një konsensusi politik për bisedimet për Serbinë si dhe të realizonte reformën zgjedhore, kaherë të nisur por asnjëherë të përfunduar. Pastaj në rrethana më të relaksuara politike do të duhej të kishim zgjedhjet parlamentare për të legjitimuar një qeverisje të ardhshme të vendit”, thotë Murati për gazetën “Bota sot”.

Duhanaj: Listën serbe e solli Thaçi

Image
Leon Duhanaj

Ndërsa, analisti politik Leon Duhanaj pohon se, situata politike në vend është aq delikate, sa që më nuk po dihet kush po i frynë me shumë të keqes; Lista Serbe, apo partitë tona shqiptare!

“Përpjekjet e dështuara, që për mendimin tim mund të jenë edhe të qëllimshme nga të gjitha palët, për ta ndërprerë aventurën e z. Thaçi, i cili pa asnjë autorizim kushtetues vazhdon të negocioj me palën serbe, janë dështim i gjithë sferës politike në vend. Nuk ka asnjë arsyetim që mund t'i arsyetoj sjelljet e papërgjegjshme të kësaj kaste kusarësh. Tani, Lista Serbe e bën detyrën e vetë për të cilën edhe është mandatuar nga vetë z. Thaçi, i cili i tradhtoi serbët e integruar të Kosovës duke bashkëpunuar me Vuçiqin që sollën këtë Listë në Kuvend. Ata kanë për detyrë sabotimin e institucioneve duke bashkëpunuar me secilin që u përshtatet interesave të momentit”, thotë Duhanaj për gazetën “Bota sot”.

Ai shton se, Kosova nuk e ka luksin e vakumit institucional, i cili do të krijohej në rast të zgjedhjeve të reja, por as nuk e ka luksin e bllokadës të cilën e kemi tani.

Sipas tij, partitë shqiptare duhet të këndellën dhe ta marrin në dorë çështjen më vitale për Kosovën, sepse nesër do të jetë tepër vonë.

“Kryeministri Haradinaj, deklarimet publike i ka të çarta, por ai duhet ta marrë edhe fatin e vendit në dorë, sepse e ka detyrim kushtetues, dhe jo t'i bartë përgjegjësitë tek z. Thaçi. Për këtë duhet të ndihmohet edhe nga opozita. Duhet të gjenden forma se si të krijohet uniteti kombëtarë, për ndryshe fajin do ta kenë të gjithë bashkë, përderisa pasojat i bartë Kosova dhe kombi shqiptarë. Nuk duam të prodhojmë tradhtarë, mos lejoni që kjo të ndodhë! Mos e përjashtoni askënd nga ky proces, por as mos e leni fatin e vendit në dorë të individit, qoftë ai edhe më i miri, më patrioti”, thotë Leon Duhanaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat