E zbulon profesori ndërkombëtar, ja arsyeja pse Putini e takoi Thaçin!

Politika

E zbulon profesori ndërkombëtar, ja arsyeja pse Putini e takoi Thaçin!

Nga: N.H Më: 13 nëntor 2018 Në ora: 11:18
Vladimir Putin, Hashim Thaçi

Profesori ndërkombëtar, doktor Enver Bytyçi ka thënë se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është një delenxhi që me forcën e pushtetit të kreut të vendit dëshiron të shesë trojet shqiptare në këmbim të faljes së krimeve që ai ka bërë kryesisht kundër shqiptarëve.

“Të vjetrit na thoshin: “Po nuk e tregove vetë, askush nuk merr vesh se kush je”. Hashim Thaçi ia ka treguar tashmë shqiptarëve faqe botës se kush është: - Një delenxhi që me forcën e pushtetit të kreut të vendit dëshiron të shesë trojet shqiptare në këmbim të faljes së krimeve që ai ka bërë kryesisht kundër shqiptarëve. Shkurt një tregtar trojesh e flamujsh për interesat e veta dhe të armiqve të kombit shqiptar. Takimi i tij me Vladimir Putin e dëshmoi sërishmi se presidenti i Kosovës, vetëm për Kosovën nuk punon. Ai u prit në audiencë më vete. Regjia dhe skenari ishte shumë pompoz. Batoni u kujdes që të paraqesë ekskluzivisht pamjet e këtij takimi. Hashimi shënoi histori: - Është i pari president i Kosovës që takon presidentin e Rusisë”, ka thënë Bytyçi.

Ai shton se Thaçi nuk është qytetari i parë i Kosovës që takohet me presidentin e Rusisë, sipas tij edhe i pari i qeverisë shqiptare ka dashur prej vitesh ta vizitonte Kremlinin.

Image
Enver Bytyçi

“Ashtu siç “shënoi histori” Edi Rama me vizitën e tij të parë në Beograd dhe aktrimin e skenarizuar të “provokacijas”. A nuk hidhej Batoni përpjetë në vjeshtën e vitit 2014 dhe tregonte përralla me sjelljet e Ramës në Beograd, e mburrte atë dhe i thoshte se kishte bërë histori?. Historia e asaj vizite u dëshmua si përpjekje për shkatërrimin e substancës së kombit shqiptar. Por të bërit histori Hashimit i bën hije takimi i Pacollit me Boris Jelcinin. Kështu që Thaçi nuk është qytetari i parë i Kosovës që takohet me presidentin e Rusisë. Edhe Rama ka dashur prej vitesh ta vizitonte Kremlinin. Por Putin i vuri disa kushte për nënshkrimin e marrëveshjeve që binin në kundërshtim me sanksionet amerikane dhe europiane. Rama pati frikë të nënshkruante. Prandaj nuk mundi ta bënte atë vizitë. Dhashë këtë shembull për të kuptuar se Vladimir Putin nuk e ka pritur duarbosh Hashim Thaçin”, shprehet ai.

Bytyçi thotë se Presidenti i Kosovës nuk mori një copë gur të Trepçës e t’ia jepte si dhuratë shefit të Kremlinit, siç bënte Rugova kur takohej si president i një vendi të panjohur me gjigantët e politikës botërore, Bill Clintonin, Tony Blair, Zhak Shirak-un, Gerhard Schreoder e të tjerë.

“Përkundrazi, Thaçi ia premtoi Putinit vetë Trepçën. Ky ishte kushti i asaj regjizure “triumfaliste” e llojit të servilëve dhe tradhtarëve të kombit. Prandaj mos u çudisni kur flamuri rus të valvitet përkrah flamurit serb në Trepçën e heronjve të vitit 1989. Ah çfarë i kanë bërë këta minatorë Hashim Thaçit. Ai nuk do të donte kurrë që të kishin ndodhur ato greva e protesta unikale në historinë e botës demokratike. Sepse janë pengesa kryesore morale e faljes së Trepçës”, thekson ai.

Tutje, profesori ndërkombëtar potencon se kreu i shtetit të Kosovës nuk do të ndalet, pasi siç shprehet Bytyçi, nuk ka kush e ndalë këtë marionetë në duart e skiles së Kremlinit dhe çakallit të Beogradit.

“Megjithatë Hashim Thaçi nuk ndalet. Sepse nuk ka kush e ndalë këtë marionetë në duart e skiles së Kremlinit dhe çakallit të Beogradit. Regjisorët ishin kujdesur të tregonin edhe se “Çfarë i premtoi Vladimir Putin Hashim Thaçit”. Mbështetje për marrëveshjen Prishtinë-Beograd?. – thuhet. Kjo fjali standard fsheh një të vërtetë të hidhur tjetër. Presidenti rus i premtoi presidentit të Kosovës se “Nëse ia jep pjesën më vitale të pasurive të vendit të tij Serbisë, ai do të kujdeset që ta zhbëjë Gjykatën Speciale”. Do të bëjë atë që Hashimi deshi ta bënte para më shumë se një viti, kur nxiti deputetët monstra të tij për të votuar anulimin e nenit kushtetues, me të cilin do të zhbëhej ligjërisht Gjykata Speciale. Jam i sigurt se jo vetëm Putin, por edhe Vuçiq i kanë premtuar aksione në Trepçe. Madje, nëse shqiptarët nuk ia lënë vendin në Kosovë i ka premtuar parajsën në Moskë. Edhe Ramës e Batonit bashkë me Devollët, pse jo?. Por, Thaçi u takua edhe për një arsye tjetër. Nuk i ka besuar plotësisht Sandrit të Beogradit kur ky i ka premtuar mos dërgimin në Hagë pranë Gjykatës Speciale. Ndaj dhe Sandri i ka kërkuar Ladit të Moskës që ta presë e t’ia premtojë drejtpërdrejt moskallximin penal me kushtin e “përfundimit me sukses të ndarjes së Kosovës”.

“A nuk e patë sesi pak orë para takimit, presidenti i përçudnuar i Kosovës u deklarua se “Të gjithë ata që kundërshtojnë korrigjimin e kufijve janë njëkohësisht kundërshtarë të paqes”?. Në fakt është e kundërta. Ata që nuk duan ndryshimin e kufijve, duan paqen, sepse konflikti për territorin në Ballkan është permanent, i egër dhe i paevitueshëm. Dhe fliste për paqe në Evropë eeej. E kush? Ai që nuk bëri në 20 vjet asgjë për ta afruar Kosovën me Evropën. Edhe Hitleri e ka nis Luftën e Dytë Botërore në emër të paqes. Edhe Milosheviçi po ashtu kreu masakra në Kosovë në emër të paqes së mëvonshme në rajon. Vladimir Putin gjithashtu i nisi luftërat në Gjeorgji e në Ukrainë në emër të paqes, madje duke e fetishizuar atë. Hashim Thaçi po bën të njëjtin rol. Por nëse të gjithë diktatorët dhe luftëbërësit e mëparshëm kanë zhvilluar beteja ushtarake e diplomatike për t’i zgjeruar territoret e shteteve të tyre, Hashim Thaçi e zhvillon betejën e tij për të kundërtën, që t’i zvogëlojë territoret e shtetit të tij. Ky është siu gjeneris në historinë politike të botës. Kjo është arsyeja pse e priti Vladimir Putin. Dhe kjo është arsyeja pse ai i dha atij garanci se nuk do të përfundojë në Gjykatën e krimeve që ai ka bërë e për të cilin kjo gjykatë është ngritur. Shihni tani sa herë do ta përsërisë presidenti i Kosovës refrenin e tij se “Mua më mbështet bashkësia ndërkombëtare në iniciativën për marrëveshje me ndryshim kufijsh me Serbinë”, potencuan ai.

Në fund, Bytyçi thekson se, nëse shqiptarët, para së gjithash ata në Kosovë, nuk reagojnë shpejt e në mënyrë të vendosur, koalicioni antishqiptar në pesëkëndëshin Moskë-Beograd-Tiranë-Prishtinë-Paris, me përfaqësuesit e tij, Putin-Vuçiq-Rama-Thaçi-Macron, do ta zhbëjnë Kosovën.

“Do ta shihni sa krenar do të shitet për atë takim me njeriun që prej 20 vitesh ka bllokuar çdo proces të shtetësisë së Kosovës. Dhe të pretendosh se presidenti rus do ta çbllokojë këtë proces për hatër të Hashimit është si të besosh se nata është ditë. Nëse shqiptarët, para së gjithash ata në Kosovë, nuk reagojnë shpejt e në mënyrë të vendosur, koalicioni antishqiptar në pesëkëndëshin Moskë-Beograd-Tiranë-Prishtinë-Paris, me përfaqësuesit e tij, Putin-Vuçiq-Rama-Thaçi-Macron, do ta zhbëjë Kosovën, do ta tjetërsojë territorin e saj, do ta zhdukë nga harta politike shtetin e Kosovës dhe do ta kthejë atë në një krahinë autonome, ndoshta formalisht të Tiranës e praktikisht të dominuar nga politika e Serbisë. Bashkëkombës të mijë, mos thoni se nuk e kemi ditur këtë skemë të rrezikshme për ekzistencën tonë. O sot, o kurrë”, ka përfunduar profesori ndërkombëtar, doktor Enver Bytyçi për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat