INTERPOL-i, sfidat dhe leverditë e Kosovës

Politika

INTERPOL-i, sfidat dhe leverditë e Kosovës

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 19 nëntor 2018 Në ora: 22:28
INTERPOL

Të martën Kosova mund të fitojë edhe një betejë nga lufta e mundimshme dhe e padrejtë prej shumë dekadave. Që nga e diela (18 nëntor) deri të mërkurën (21 nëntor) do të mbahet Asambleja e Përgjithshme e INTERPOL-it, ku edhe Kosova është në rend dite për anëtarësim.

Skepticizmi është në nivele të ulëta, ndërsa optimizmi për përkrahje nga të gjitha shtetet në ditën kur do të votohet për Kosovën, është shumë i madh. Madje, besohet se përveç që shtetet dhe parterët strategjik të Kosovës do ta votojnë pa hamendje pro shtetin tonë, atë do ta bëjnë edhe shtete tjera, të ashtuquajtura shtete të treta.

Nëse Kosova anëtarësohet në INTERPOL, humbëse do të jetë vetëm Serbia dhe krimi trans-nacional. Vendet perëndimore, strategjike dhe mike të Kosovës, do ta kenë edhe një partner të besueshëm në rajonin e Ballkanit, për të luftuar krimin global.

Se Kosova është e gatshme për INTERPOL, e dëshmon fakti se shteti ynë ndonëse jo zyrtarisht kishte ndihmuar INTERPOL-in në arrestime nga fletë-arrestimet e lëshuara pikërisht nga INTERPOL-i. Por, ato arrestime nuk kanë qenë të rrezikshme dhe për mundësi destabilizimi. Kosova të vetmin problem në të ardhmen kur do të jetë anëtare e INTERPOL-it, do ta ketë në arrestimin e zyrtarëve politik. Ato arrestime mund të sjellin provokime me tendenca për destabilizim të situatës, e që me shumë mundësi mund të vjen nga Serbia apo Rusia. Madje, serbët që tani kanë filluar të frikësohen sa i përket anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL, e që kanë deklaruar zyrtarisht se në listën e personave ndaj të cilëve do të lëshojë urdhër arrest Kosova, do të gjendet ish ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Serbe, gjenerali Lubisha Dikoviq.

Sigurisht që ai nuk do të jetë i vetmi.

Ka shumë kriminelë serb të cilët kanë fletarrestë ndërkombëtar, mirëpo nuk e kanë guximin të kalojnë kufij për në shtete tjera, e shumë nga ta vizitojnë vetëm Mitrovicën Veriore, si zonë ku shteti dhe institucionet e Kosovës nuk kanë akses të plotë.

Por, problemi më i madh dhe më i padëshiruar që mund të ndodh është ky: Kosova si një anëtare e INTERPOL-it, duhet të respektoj rregullat dhe ligjet e kësaj organizate. Kësisoj, çdo shtet që kërkon arrestimin e një personi të caktuar në Kosovë, kjo e fundit duhet ta bëjë atë. E padyshim që Serbia do të provojë që përmes saj të kërkoj arrestime për disa persona që edhe më herët kishte lëshuar fletë arrest, me akuza të ashtuquajtura krime të luftës.

Sigurisht që ata nuk do të mbahen në burg pasi Serbia nuk ka prova por vetëm akuza në pezull, por mjafton maltretimi që mund t’iu bëhet disa qytetarëve të Kosovës që janë në “listën e zezë të Serbisë”.

Me anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL, sigurisht se qeverisë sonë i mbetet që të punojë në shtrirjen e legjitimitetit në atë zonë, e që përveçse do të ketë kontroll dhe inspektim të plotë si anëtare e INTERPOL, ata do ta kenë mundësi që ta ndalin kontrabandën masive që bëhet në atë pjesë me produkte të ndryshme. Për këtë të fundit është dashur të veprohej që moti.

Mbi të gjitha, Kosova si një shtet i anëtarësuar në organizatën e INTERPOL, do të jetë një ngritje në një nivel më të lartë të imazhit të saj dhe do të bëhemi shtet më serioz në sytë e shumë vende të mëdha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat