Interpoli, Tahiri tregon dështimin e madh të Kosovës që ndodhi sot në Dubai

Politika

Interpoli, Tahiri tregon dështimin e madh të Kosovës që ndodhi sot në Dubai

Nga: G.B Më: 20 nëntor 2018 Në ora: 15:13
Ramush Tahiri

Edhe pse kishte deklarime dhe optimizëm se Kosova do të jetë pjesë e Interpol-it, kjo gjë nuk ndodhi.

Në raundin e parë Kosova mori 76 vota për, 56 ishin kundër dhe 22 shtete kanë abstenuar.

Ndërsa në raundin e tyre, Kosova mori 68 vota për, 51 kundër dhe 16 abstenime.

Këtë dështim të Kosovës, për gazetën “Bota sot” e ka komentuar politologu Ramush Tahiri, i cili ka thënë se dështimi më i madh për Kosovën është se në votimin e dytë pati 10 vota më pak se në raundin e parë.

“Kosova ne votimin në Asamblenë e Përgjithshme ne dy radhët e votimit nuk i mori votat dhe nuk u anëtarësua në Interpol ndërkohë që pa problem u bënë anëtare dy shtete për të cilat Serbia tha që e kanë tërhequr njohjen e shtetit të Kosovës, pra Kiribati dha Vanuatu. Dështim më i madh për shtetin e Kosovës është së në votimin e dytë, për, ishin dhjetë vota më pak se herën e parë, gjë që flet për paraqitje të keqe të çështjes së anëtarësimit në Interpol të shtetit të Kosovës, të pa argumentuar dhe të pa ndarë nga çështja politike”, është shprehur ai.

Sipas Tahirit, pavarësisht dështimit, politikanët vazhdojnë me deklarime për suksese në të ardhmen dhe akuza pozitë-opozitë, si dhe fajësimi i politikës së pamëshirshme të Serbisë.

“Interpoli si organizatë kriminalistike policore e ka të nevojshme anëtarësimin e çdo shteti, përkatësisht të çdo policie që e kontrollon territorin e caktuar. Kosova dështoi por politika e saj vazhdon me krekosjet, vazhdon me deklarimet e panegirike për sukseset në të ardhmen, vazhdon çuditërisht me akuzat e ndërsjella pozitë e opozitë dhe vazhdon me plasimin publik të pikëpamjeve private ose partiake pa sensin me të vogël të përgjegjësisë për vendin e për pasojat duke numëruar shkaqet joprofesionale ose duke akuzuar politikën e pamëshirshme të Serbisë dhe propagandën e saj anti Kosovë”, ka deklaruar Tahiri.

Ai madje thotë se është e habitshme se këtij kori po i shtohen edhe ambasadat e juaja në Prishtinë, duke i dhënë përkrahje udhëheqjes së shtetit. “E habitshme se këtij kori po i shtohen edhe ambasadat e huaja në Prishtinë, duke i dhënë kështu një përkrahje të fuqishme udhëheqjes politike e shtetërore kosovare, që është krejt e panevojshme në zgjatjen e agonisë”, ka thënë politologu Ramush Tahiri për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat