Partitë ia mësyjnë terrenit, paralajmërohen zgjedhje të parakohshme

Politika

Partitë ia mësyjnë terrenit, paralajmërohen zgjedhje të parakohshme

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 21 nëntor 2018 Në ora: 20:06
Ilustrim

Partitë politike kanë filluar t’i shtojnë intensivisht aktivitetet e tyre në terën. Përfaqësuesit e subjekteve politike si nga pozita ashtu edhe nga opozita takimet e tyre mobilizuese tashmë i kanë bërë edhe ditore me strukturat e tyre në pothuajse të gjitha degët e tyre në mbarë Kosovën.

Gjatë kësaj jave më aktive shihet të jetë partia që është pjesë e koalicionit qeverisës, Nisma Socialdemokrate, e cila mbanë takime mobilizuese nëpër degët e saj, mirëpo nuk mbesin anash as partitë tjera nga opozita.

Krahu opozitar shprehet se është i gatshëm për zgjedhje të reja, krejt kjo për shkak të zhvillimeve të fundit në vend.

Andaj opozita zgjedhjet e jashtëzakonshme po i konsideron si forma e vetme për t’i zgjidhur problemet që e kanë kapluar vendin.

Ndërsa, shoqëria civile shprehet e bindur se vendi po shkon drejt zgjedhjeve dhe partitë politike te të gjitha krahëve po bëjnë fushatë, madje, sipas tyre edhe kundër njëra tjetrës pa e marr parasysh a janë në koalicion qeverisës apo janë në opozitë.

Millaku: Kosovës vendi i duhet qeveri e re, me shumicë shqiptare

Image
Drita Millaku

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se zgjedhjet e reja duhet të ndodhin, pasi sipas saj, kjo është një qeveri e kriminalizuar dhe qeveri e të paditurve.

“Kjo është qeveri e kriminalizuar, është qeveri e të paditurve dhe është qeveri e paaftë kjo qeveri ka gabuar rrugën për anëtarësim në INTERPOL. Kjo qeveri është dashur të bëje kërkesë për anëtarësim ne organizatat mafioze”, ka thënë deputetja e Vetëvendosjes.

Tutje, deputetja e opozitës shprehet se Kosovës i duhet një qeveri e re, me shumicë shqiptare.

Krejt në fund, ajo është e bindur se Lëvizja Vetëvendosje është gatshme të hyjë në zgjedhje dhe se rezultati i tyre do të jetë edhe më i mirë se në vitin 2017.

“Këtij vendi i duhet qeveri e re me shumicë shqiptare. Lëvizja Vetëvendosje është gatshme të hyjë në zgjedhje. Rezultati do të jetë edhe më i mirë se në 2017 për ketë jam shumë e bindur”, ka theksuar deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku, për gazetën “Bota sot”.

Tahiri: Vendi drejt zgjedhjeve, partitë politike kanë filluar fushatën

Image
Ramush Tahiri

E, në anën tjetër, politologu i njohur në vend, Ramush Tahiri, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se tashmë vendi po shkon drejt zgjedhjeve dhe partitë politike të të gjithë krahëve po bëjnë fushatë

“Po vendi po shkon drejt zgjedhjeve dhe partitë politike te të gjitha krahëve po bëjnë fushatë, madje edhe kundër njëra tjetrës pa e marr parasysh a janë në koalicion qeverisës apo janë në opozitë. Gjithashtu partitë politike dëshirojnë të jenë të gatshme dhe mobile që të animojnë anëtarësinë e vet, por edhe opinionin për qëllimet dhe për qëndrimet e tyre e sidomos të elitave për çështjet aktuale por edhe për çështjet parimore e strategjike”, ka thënë politologu Tahiri.

Me tej, ai pyet se kur partive politike dhe strukturave udhëheqëse iu përshtatën zgjedhjet parlamentare?

“Tash pyetja është kur partive politike dhe strukturave udhëheqëse iu përshtatën zgjedhjet parlamentare. E kuptueshme që dëshirojnë zgjedhje të rregullta çdo katër vjet sepse ndihen komod e rehat me ndarje të pushtetit”, pyet ai.

Ndër tjerash, ai për gazetën “Bota sot”, ka thënë gjithashtu se do të ketë zgjedhje përpara vjeshtës së ardhshme, pra, sipas tij, në vitit 2019, sepse këtyre deputetëve të kësaj legjislature u duhet të rrinë deri në qershor të vitit të ardhshëm që t’i bëjnë dy vjet.

“Konsideroj se nuk do të ketë zgjedhje përpara vjeshtës së ardhshme, pra të vitit 2019, sepse këtyre deputetëve të kësaj legjislature u duhet të rrinë deri në qershor të vitit të ardhshëm që t’i bëjnë dy vjet dhe t’i gëzojnë benefitet edhe një vit pa punuar asgjë. Arsyeja është praktike dhe nuk ka lidhje a ka nevojë Kosova për zgjedhje dhe a janë të dobishme”, ka përfunduar politologu i njohur në vend, Ramush Tahiri .

Krasniqi: Aktivitetet në terren, tregues për zgjedhjet e reja

Image
Faik Krasniqi

Ndërsa, analisti politik, Faik Krasniqi konsideron se partitë në vend kalkulojnë sipas interesave të tyre personale, dhe aktivitetet e tyre në terren janë deri diku njëfarë treguesi për zgjedhjet e reja.

Ai në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se gjendjën nëpër të cilën po kalon Kosova, zgjedhjet e jashtëzakonshme janë tashmë domosdoshmëri për të dalë nga ky kaos politik.

“Partitë politike në Kosovë kalkulojnë sipas interesave të tyre personale, dhe aktivitetet e tyre në terren janë deri diku njëfarë treguesi për zgjedhjet e reja. Nëpër këtë gjendje nëpër të cilën po kalon Kosova, zgjedhjet e jashtëzakonshme janë domosdoshmëri për të dalë nga ky kaos politik. Por zgjedhjet nuk do të ishin zgjidhje nëse partitë politike prapë nëpër lista për kandidatë ose partitë që fitojnë pushtetin, vendosin njerëz që janë të shpenzuar, njerëz që janë bashkëfajtorë për gjendjen në të cilën ndodhet shteti ynë”, ka thënë Krasniqi.

Sipas Krasniqit, Vetëm njerëz të rinj gjak i ri që se kanë provuar pushtetin duhet të vijnë në pushtët, përndryshe siç ka thënë ai, zgjedhjet për popullin që s'janë pjesë e asnjë partie dhe nuk kanë interes prej tyre.

“Njerëz që u intereson vetëm karriga e deputetit për t'ia futur gjumë në Parlament dhe t'i vjelin pagat e mëditjet nga paraja e popullit. Ose njerëz që mezi presin të bëhen ministra ose shumë prej tyre të rikthehen prapë ministra. Shumë prej tyre me ambicie edhe në Diplomaci. Shtetin nuk mund ta vënë në binarë këta që janë në pushtet, dhe as ata që ishin në pushtet”.

“Për dy dekada i kemi provuar të dyja palët. Vetëm njerëz të rinj gjak i ri që se kanë provuar pushtetin mund ta bëjnë një gjë të tillë. Përndryshe, zgjedhjet për popullin që s'janë pjesë e asnjë partie dhe nuk kanë interes prej tyre, nuk do të ishin asnjë zgjidhje. Do kishim vetëm ndërrim xhaketash e asgjë më shumë”, ka përfunduar analisti politik, Faik Krasniqi, për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat