Eksperti i sigurisë thotë se Serbia mund ta trazojë situatën nesër

Politika

Eksperti i sigurisë thotë se Serbia mund ta trazojë situatën nesër

Nga: D.RR Më: 22 nëntor 2018 Në ora: 22:10
Ura e Ibrit në Mitrovicë

Eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava në një prononcim për “Bota sot” e ka komentuar paralajmërimin e serbëve për protestën e nesërme që do të mbahet në Mitrovicë, për shkak të taksës prej 100% të vendosur nga shteti i Kosovës për mallrat e Serbisë.

Tërnava thotë se Serbia fillimisht ka marrë masat e reagimit të faktorit vendor dhe atij ndërkombëtar.

Image
Hajrullah Tërnava

“Serbia i ka ndërmarrë të gjitha masat e reagimit të faktorit vendor dhe atij ndërkombëtar (ambasadorët e të gjitha shteteve në Serbi janë njoftuar për këtë masë) , si dhe të institucioneve të saja për gjendjen dhe masat e ndërmarra të ngritjes së taksës ndaj prodhimeve serbe nga ana e Kosovës”, ka thënë ai.

Tërnava thotë se Serbia mund ta trazojë situatën përmes formave të tyre, gjithnjë duke e njohur politikën e Serbisë.

“Duke e njohur politikat serbe, është për t’u besuar se ajo do të bëjë çmos që ta trazoj situatën qoftë politike apo të komunikacionit që e ndërlidhë me Kosovën. Prandaj edhe supozimi se ata do të përdorin nesër mënyrën e barrikadave në disa pozicione kyçe mes jugut dhe veriut e duke e përfshirë edhe urën kryesore mbi Ibër në Mitrovicë dhe në tjera rrugë ku zhvillohet komunikacioni që ndërlidhen rrugët mes këtyre dy shteteve. Serbia si edhe deri më tani sillet në mënyra të çuditshme dhe jo miqësore ndaj Kosovës por jo vetëm ndaj shtetit tonë, por edhe ndaj të gjitha shteteve që dikur ishin në një shtet”, është shprehur ai.

Për më tepër, Tërnava ka thënë se kjo taksë duhet ta vetëdijësoj edhe BE-në.

“Masa e taksave nga ana e Kosovës, duhet ti vetëdijësoj edhe faktorin ndërkombëtar në rend të parë BE që deri më tani ishin në anën e Serbisë, sepse në asnjë rast nuk janë përkujdesur që të angazhohen në jetësimin e shumë vendimeve mes këtyre shteteve sikur e shpjegova”, ka potencuar Tërnava për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat